Siri, Merkel dhe Macron apel Putin: Të ndalen sulmet

schedule19:03 - 23 Shkurt, 2018

schedule 19:03 - 23 Shkurt, 2018

Qeveritë gjermane dhe franceze kanë bashkuar forcat në përpjekjet për vendosjen e një armëpushimi në Siri, duke ftuar Moskën që të ushtrojë ndikimin e saj.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, i kërkuan presidentit rus, Vladimir Putin, që të mbështesë rezolutën e Këshillit të Sigurisë, që bën thirrje për një armëpushim disamujor në Siri. Dy liderët europianë i bënë thirrje Putin, ushtria e të cilit po ndihmon trupat e presidentit Bashar al Assad, që të ndalë bombardimet në enklavat e kontrolluara nga rebelët në Gutën lindore.

“Franca dhe Gjermania bëjnë thirrje për ndërprerjen e akteve armiqësore dhe aktivizimin e një armëpushimi që do të mundësonte aksesin e ndihmave humanitare dhe mjekësore për civilët”, thuhet në një deklaratë të përbashkët. Merkel dhe Macron ftojnë Rusinë që të marrë mbi shpatulla përgjegjësitë e saj sa i takon konfliktit 7-vjeçar.

Burime diplomatike kanë deklaruar se kancelarja dhe presidenti francez kanë në plan të zhvillojnë edhe një bisedë telefonike me kreun e Kremlinit. Ndërkohë, avionët e trupave qeveritare siriane dhe aleatët e tyre bombarduan zonën periferike në lindje të Damaskut edhe këtë të premte, për të gjashtën ditë rresht. Moska, që gëzon të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, i ka bllokuar draftet e mëparshme të anëtarëve të tjerë që mund të dëmtojnë pozitat e presidentit Assad./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!