Siri, bastionet e rebelëve po bien, por fundi i luftës ende larg

schedule19:48 - 30 Prill, 2018

schedule 19:48 - 30 Prill, 2018

Edhe pse bastionet e rebelëve në Siri po bien dita ditës përballë trupave të regjimit, fundi i luftës është ende larg. Prestigjozja “The Economist” paralajmëron në një analizë të detajuar se konflikti do të komplikohet më tej në muajt e ardhshëm.

Palët e përfshira në konfliktin sirian deklarojnë se synojnë t’i japin fund luftës, por në të vërtetë kriza ka gjasa të bëhet edhe më e komplikuar. Më 7 prill, pas një sulmi të dyshuar me armë kimike në Duma, Amerika, Britania dhe Franca bombarduan impiantet kimike siriane. Presidenti Trump nxitoi të deklaronte fitoren në Twitter, por kur kanë kaluar mbi tre javë, realiteti në terren flet ndryshe.

Sulmet e Perëndimit nuk e kanë penguar presidentin Assad të vazhdojë ofensivën e tij kundër rebelëve, një betejë që duket se ai po e fiton. Në këtë situatë, prestigjozja “The Economist” shtron pyetjen: Cila do të jetë lëvizja e ardhshme e tij? Zonat e kontrolluara nga rebelët në brendësi të Sirisë janë shënjestrat më të lehta të tij. Rebelët atje janë të izoluar nga mbështetja ndërkombëtare dhe rezistenca e tyre nuk do ta ketë të gjatë. Por ç’do të ndodhë më pas me rebelët në zonat kufitare? Kjo është e vështirë të parashikohet, shkruan “The Economist”.

Shumica e qytetit të Idlibit, në veri të Sirisë, ndodhet nën kontrollin rebel. Atje veprojnë trupat turke, të cilat e shohin të brishtë armëpushimin me milicitë kurde dhe nëse regjimi sirian do të sulmojë, ai ose do t’i bjerë përreth qytetit, ose do të përballet me trupat turke. Në këtë situatë, Rusia, aleate e Assad, do të ndodhet në një pozitë të vështirë, sepse bashkë me Turqinë po punon për t’i dhënë fund luftës. Ndërkohë, në jug Assadit do t’i duhet përveç mbështetjes ruse edhe ajo iraniane.

Por përfshirja e Iranit rrezikon të provokojë Izraelin, që ka bombarduar disa herë bazat iraniane në Siri. Më pas janë njësitë kurde në veri-lindje, që mbështeten nga ato amerikane në luftën kundër ISIS. Nëse presidenti Trump mban premtimin për të tërhequr trupat, ato do të zëvendësohen nga ushtritë e vendeve të Gjirit Arab. Me përfshirjen e gjithë këtyre elementëve, kriza siriane po bëhet gjithnjë e më e komplikuar dhe fundi i saj është ende larg – përfundon “The Economist”. /abcnews.al