Eintracht Frankfurt po zhvillon një sezon fantastik. E udhëhequr nga golat e Andre Silva (23 të tillë këtë sezon në Bundesligë), ekipi gjerman renditet në vend të katërt, shtatë mbi Dortmundin e një pozicioni më poshtë.
Kualifikimi në Champions League për sezonin e ardhshëm është afër, teksa disa ndryshime do të ndodhin në klub. Trajneri Adi Hutter do të marrë drejtimin e M’Gladbach sezonin e ardhshëm, ndërsa do të largohet edhe Fredi Bobic.
Ish-sulmuesi do të largohet nga posti i drejtorit sportiv në fund të sezonit. E ardhmja e tij do të jetë Hertha Berlin. Ralf Rangnick përflitet një opsion për të marrë detyrën e dyfishtë: atë të trajnerit dhe drejtorit sportiv.
Ndërkohë, në skenë ka dalë sërish emri i Igli Tares, i cili po bën një punë të shkëlqyer prej vitesh te Lazio. Profili i shqiptarit pëlqehet shumë nga pronarët e Eintracht Frankfurt, të cilët kanë nisur bisedimet me të.
“Kurrë mos thuaj kurrë, asnjë nuk e di se çfarë do na rezervojë jeta në të ardhmen“, u shpreh drejtori sportiv i Lazios në muajin shkurt në lidhje me interesimin e Eintracht. Kujtojmë që trajneri i ekipit U17 të Eintrachtit është Ervin Skela. /abcnews.al