Me sipërmarrës të përpunimit të vajit të ullirit ne Berat, Rama foli për rritjen e pagave në bujqësi, investimet, lehtësimin e taksave dhe skemat e tjera mbështetëse për këtë sektor, me synimin që të arrihet një standard prodhimi që të jetë i tregtueshëm për tregun e madh të BE-së.
Rama iu tha fermerëve se bashkimi i tyre në shitje bën fuqinë duke sjellë më shumë të ardhura për ta dhe treg të sigurt.
“Të gjithë hidhen përpjetë sa të duan, edhe ky është një sukses: krijimi me vonesë i një modeli shembullor i bashkimit që bën fuqinë në shitje. Në prodhim rrini veç, në shitje sa më shumë të bëni bashkë, aq më shumë do dërgoni në shtëpi. Jeni shumë aktorë në fushën e prodhimit të vajit.
Kështu ulni kostot, krijoni masë kritike për negocim dhe eksportoni apo nxirrni në treg me një çmim që ju sjell vlerë të shtuar. Ne do t’i mbështesim këto nisma. Ne kemi vendosur edhe mbështetje për shoqëritë e bashkuara bujqësore, kur kjo është kooperativë kapitaliste.
Po formësojmë një program të ri kombëtar që do të mundësojë financim për ata që duan të rriten me një plan të qartë dhe një projekt biznesi.”


