Historia e Arsen Mataj është një shembull frymëzues për të gjithë. Sipërmarrësi shqiptar, i cili jeton në Angli, ka ndërtuar në vitet e fundit kompaninë e tij në hapësirën e kriptomonedhave.
Në një intervistë për “ABC-ja e mëngjesit”, Mataj tregoi se emigroi me familjen kur ishte 8 vjeç. Në moshën 12 vjeçare merrej me shitjen e gazetave, por gjithmonë kishte pasionin të merrej me biznes.
“Që i vogël kam pasur qejf biznesin dhe financën. Prindërit gjithmonë na kanë shtyrë me qenë sa më mirë. Na kanë sjellë në Angli dhe ka qenë puna ime me qenë më i miri që mund me qenë. Kam qenë 8 vjeç kur kemi ardhur në Angli me nënën dhe vëllain, babai erdhi një vit më përpara. Që në vitin ’99 jemi këtu”, u shpreh sipërmarrësi.
Prej shtatë vitesh ai merret me kriptomonedhat. Me këtë “botë”, siç thekson ai, e prezantuan miqtë e tij.
“Para 7 vitesh kam hyrë në këtë punë. Gjithmonë kam qenë në investime. Kisha shokë që më flisnin për investime në bitcoin. Nisa të shikoj për këtë punë dhe e doja shumë këtë punë.”, shtoi ai.
Ai ka në plan për të hapur një zyrë edhe në Shqipëri, Miami dhe Dubai. /abcnews.al

