Sinqeriteti i Novit: Luftëtari po mendon për të ardhmen, garë korrekte deri në fund

schedule19:59 - 4 Mars, 2020

schedule 19:59 - 4 Mars, 2020

Trajneri i Luftëtarit, Neritan Novi, foli për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport pas humbjes kundër Skënderbeut. Në fjalën e tij, kreu i pankinës gjirokastrite tha: “Për hir të së vërtetës, luanim përballë ekipit më të mirë në Shqipëri kohët e fundit, pavarësisht problemeve që ka pasur këto kohë.

Mendoj se Skënderbeu është një ekip shumë i mirë, e kishim përgatitur gjatë gjithë javës ndeshjen, pasi e dinim sa e vështirë do të ishte sfida. Gabuam dy herë në qendër të mbrojtjes, dy gabime që duhet t’i kishim eliminuar.

Unë nuk kam çfarë kërkoj më shumë nga ky grup lojtarësh që kam, thjesht dua t’i falënderoj shumë për garën dhe sakrificën. Kemi shumë kohë që dhe në stërvitje, e aplikojmë shumë para portës, pasi po gabojmë shumë në ndeshje.

Është shqetësues fakti që nuk shënojmë, po nuk shënove, do e pësosh. Sfida ndaj Bylisit? E kam thënë, Luftëtari nuk i hap rrugë asnjë ekipi. Ne do të luajmë deri në javën e fundit të kampionatit, futboll të pastër dhe korrekt.

Me Ballshin do të jetë ndeshje e vështirë, por do të përgatitemi që të futemi në fushë dhe të marrim diçka. Edhe nëse nuk marrim asgjë, nuk është fundi i botës. Po mendoj më shumë për të ardhmen e ekipit”, përfundoi Novi./abcnews.al