Sinisha Mihajloviç i habit të gjithë

schedule13:49 - 26 Gusht, 2019

schedule 13:49 - 26 Gusht, 2019

Sinisha Mihajloviç vlerësohet si hero pasi doli nga spitali për të ndjekur skuadrën e tij, Bolonjën, në Serinë A. Trajneri serb është i sëmurë me leuçemi.

Habia ishte e jashtëzakonshme kur u mor vesh se do të ishte aty. Po aq i thellë edhe admirimi për Sinisha Mihajloviçin, trajnerin e Bolonjës që vendosi të bënte një veprim të madh, të ulej në stol për ndeshjen në Veronë, pavarësisht sëmundjes së tmerrshme të leuçemisë.

Pesëdhjetëvjeçari me baba serb e nënë kroate, la spitalin ku ndodhej prej gati gjashtë javësh, dhe udhëhoqi skuadrën në sfidën e parë të sezonit në Serinë A. Gjesti i tij thuajse vetëmohues vlejti më shumë sesa vetë ndeshja, edhe pse kjo ishte për një nga pesë ligat më të forta të botë.

Përfundoi në barazim 1-1, me bolonjezët që shënuan të parët me anë të Nikola Sansones me penallti, por me veronezët që barazuan që në pjesën e parë, falë rrjetës së Migel Velosos.

Miqtë ishin thuajse gjatë gjithë kohës në epërsi numerike pasi Davidoviç doli me karton të kuq për Veronën. Jehona ishte e madhe për Mihën, nga gazetat dhe të tjerët.

“La Gazeta delo Sport”: Të gjithë në këmbë për Sinishën! Miha papritur në stol me Bolonjën: E kisha thënë se do të kthehesha!

“Il Korriere”: Një burrë! Mihajloviç i habit të gjithë dhe paraqitet në stol në Veronë! Pas 6 javësh në klinikë, Sinisha mban premtimin!

“Tutosport”: I pamasë! Mihajloviçi i habit të gjithë. Lë spitalin pas 40 ditësh kimioterapi dhe shkon në Veronë, për t’u ulur në stolin e Bolonjës!

Trajneri i Italisë, Roberto Mançini, pati gjithashtu fjalë të mëdha.

“Forca e tij është që nuk dorëzohet kurrë, – theksoi Manço, – jam shumë i lumtur për Sinishën dhe shpresoj që gjithçka të përfundojë shpejt dhe mirë. Do të duhet kohë, por padyshim që ai do t’ia dalë”.

Gruaja e tij, Ariana, i kushtoi një mesazh dashurie në Instagram.

“Luftëtarët dallohen që larg, – shkruajti ajo, – Dashuria ime!”

Nuk munguan as dedikimet e vajzave, me Virxhinian që shkruajti në rrjetet sociale se “forca, shpirti yt dhe guximi yt, më bëjnë sërish sot vajzën më krenare në këtë botë”.

Vajza tjetër, Viktorija, shkruajti në formë pyetje: Po si ia del, Bukuri e Madhe! Në përfundim të ndeshjes, Sinisha Mihajloviç u kthye në spital, duke vendosur maskën në fytyrë, por besohet se do ta drejtojë përsëri ekipin e tij në të ardhmen./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!