Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë zgjohet. Në fakt duhet të kishte dalë me kohë me një qëndrim, siç ndodhi në Itali dhe Francë, ku lojtarët ngritën zërin dhe kërkuan që çdo aktivitet sportiv të pezullohej dhe të mos luhej me dyer të mbyllura. Sipas tyre ajo masë nuk i mbronte futbollistët, që gjithsesi do të duhet të kishin kontakte me njëri-tjetrin dhe të udhëtonin nga një qytet në tjetrin.
Nga klubet e Superiores ishte Laçi që doli publikisht dhe kërkoi që kampionati të pezullohej. Edhe klubet e tjera ishin dakord dhe në fund u mor vendimi nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF. SFPSH nuk u ndje atëherë. Gjithsesi tani del me një kërkesë ndaj FSHF, duke kërkuar që klubet të mos lejohen të grumbullojnë futbollistët për t’u stërvitur.
“SFPSH, në emër të gjithë futbollisteve profesionistë Shqiptare dhe familjeve të tyre, dëshiron të shprehë një falënderim të madh heronjve të ditëve të sotme, shërbimit shëndetësor shqiptar (mjekë, infermierë,farmacistë e kujtdo tjetër që po kontribuon për të kaluar këtë situatë).
Sigurisht që sakrifica e Shërbimit Shëndetësor nuk do të kishte asnjë vlerë, nëse edhe ne nuk do të japim kontributin tonë duke zbatuar të gjithë masat e vendosura nga Qeveria Shqiptare. Po nisur nga disa njoftime që kemi marrë nga futbollistet, se po ju kërkohet që gjatë kësaj kohe të dalin në stërvitje me ekipet, ju bëjmë thirrje klubeve të futbollit që të respektojnë masat e vendosura nga qeveria për vetëkarantinimin 2-javor.
Gjithashtu i kërkojmë FSHF që të mbikëqyri këtë situatë dhe të ndaloj klubet e futbollit që të grumbullojnë futbollistet dhe të kryejnë stërvitjet ditore. Duke besuar në mirëkuptimin e të gjithëve ju kujtojmë se: Sot lufta kryesore edhe për jetën dhe shëndetin. Më pas vijnë të tjerat”, shkruhet në komunikatën e SFPSH. /abcnews.al