Sinani: Portugalia e fortë, ka vetëm një rrugë për ne!

schedule13:46 - 1 Tetor, 2019

schedule 13:46 - 1 Tetor, 2019

Vioresin Sinani, trajneri i kombëtares së femrave, ka dalë sot në konferencë për shtyp dhe ka folur për ndeshjen që vajzat kuqezi zhvillojnë kundër Portugalisë. Shkodrani e di që i presin sfida të vështirë, ndërkohë që thekson se do të mundohen që me kundërsulme t’i kapin kundërshtaret.

“Jemi grumbulluar për ndeshjet e radhës me Portugalinë dhe Finlandën. Janë ekipe të forta, ekipe elitë. Kemi dy ditë që stërvitemi normalisht dhe po bëhemi gati t’i përgjigjemi me të mirën Portugalisë. Jam i bindur se do paraqitemi mirë, pse jo të marrim edhe rezultat. Do bëjmë maksimumin në këto dy ndeshje. Do luajmë të ngjeshur në mesfushë dhe me kundërsulme do tentojmë të kapim ekipet kundërshtare”.

Sinani e ka të qartë që skuadra e tij duhet të tregojë shpirtin e lartë të garës ndaj Portugalisë. “Pika më e fortë është kolektiviteti. Jemi një grup i mirë, me vajza që luajnë në shtëpi, Kosovë dhe jashtë. Punojmë me dëshirë dhe luftojnë së bashku. Kjo është e vetmja armë me të cilën mund t’u përgjigjemi. Ne nuk kemi kualitetet e atyre, vetëm me shpirt gare mund t’i përballojmë. Jam i bindur se do dalim mirë. Kemi marrë elementet më të mira të mundshme. Ka vend për prurje të reja, por jemi më të kufizuar te femrat. Besoj se janë më të mirat”, shtoi tekniku.

Në fund ai kërkon që të ketë edhe mbështetjen e tifozëve dhe është i sigurt që shqiptarët do i përgjigjen ftesës së tij. “I bëj thirrje gjithë popullit të Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë, që të vijnë t’i mbështesin vajzat. Ato kanë nevojë dhe besoj se do na mbështesin”, deklaroi trajneri Sinani.

Shqipëria e femrave ka në program dy ndeshjet eliminatore të vlefshme për Grupin E. Fillimisht luhet ndaj Portugalisë më 4 Tetor, në “Elbasan Arena”. Kjo sfidë nis prej orës 18:00 dhe hyrja e tifozëve në stadium është falas. E radhës është transferta ndaj Finlandës, më 8 retor, në të njëjtin orar. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!