Ndryshe nga homologët e tij të Kukësit dhe Skënderbeut, Sinan Idrizi, administratori i Flamurtarit është kundër kthimit të policisë në stadiume. Ai mban qëndrim të kundërt edhe për deklaratat për bojkot.
Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, është kundër rikthimit të efektivëve të policisë në brendësi të stadiumeve.
Sinan Idrizi: “Policia duhet të qëndrojë jashtë stadiumeve. Thjesht ne duhet të forcojmë ligjin, të shtrëngojmë ligjin, të ndëshkojmë në masat më ekstreme ata që prishin rregullat nëpër stadiume dhe çdo gjë rregullohet. Duhet të heqim dorë përfundimisht nga frika e historisë me një polic si nga koha e zogut që mbante një qytet. Nuk kemi pse të kemi frikë nga uniforma e policisë, ne duhet të kemi frikë nga ligji.”
Sipas administratorit të ekipit vlonjat, me gjithë koston e papërballueshme të stjuartëve, stadiumet shqiptare duhet të jenë në vetëkontrollin e tifozerisë dhe të klubeve.
Idrizi nuk pajtohet as me idenë e bojkotit, të hedhur më herët nga presidenti i Kukësit dhe i Skënderbeut.
“Bojkotin duhet ta kemi si term atëhere kur prishen rregullat e lojës, jo të shtrëngojmë shtetin ne që nëse ju nuk vini ne do të largohemi. Bojkoti duhet të ndodhë atëhere kur shiten ndeshjet, kur blihen ndeshjet, kur arbitrat vijnë të paragjykuar, kur arbitrat vijnë me xhepat e mbushur plot etj. Atëhere duhet të bojkotojmë sepse prishen rregullat e lojës. Në rastin konkret nuk është prishur asnjë rregull loje.”
Lënia e policisë jashtë stadiumeve është kthyer në “pataten e nxehtë” të këtij sezoni të superligës, jo vetëm për sigurinë në stadiume, por edhe për kostot shtesë të klubeve sportive./abcnews.al