Atletico Madrid e mbylli në barazim 0-0 takimin jashtë fushe ndaj Barcelonës, rezultat që mban skuadrën “Colchoneros” në vend të parë në La Liga. Një ndeshje e bukur u zhvillua në “Camp Nou”, edhe pse nuk pati gola.
Miqtë ishin më të rrezikshëm në pjesën e parë, ndërsa fraksioni i dytë i takimit foli për skuadrën katalanase. Trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone foli për mediat pas ndeshjes, duke u shprehur i kënaqur me pikën e marrë.
“Ndeshja shkoi fiks ashtu siç e kishim imagjinuar. Bëmë shumë presing, rikuperuam topa dhe krijuam disa raste për gol, si ai i Carrascos. Skuadra po bën një punë të shkëlqyer ndeshje pas ndeshje, kështu do të vazhdojmë deri në fund të kampionatit.
Zhvilluam një ndeshje të mirë, teksa Barcelona tentoi të na godiste në pjesën e dytë. Koeman po bën një punë të shkëlqyer: fitoi Kupën e Mbretit dhe po lufton për titullin kampion.
Çfarë u kërkova lojtarëve? Të luanin futboll dhe të ishin vetvetja, ata e bënë një gjë të tillë. Ne luftojmë çdo vit për objektiva të mëdha, është sukses i madh një gjë e tillë“, deklaroi trajneri argjentinas. /abcnews.al