Atletico Madrid zhvilloi një paraqitje pozitive në “Santiago Bernabeu”, por e humbi ndeshjen me Real Madrid. Derbi u vendos nga një gol i Karim Benzema, i cili i dhuroi tre pikë shumë të rëndësishme për objektivin titull ekipit të tij.
Diego Simeone është shumë i kënaqur me ndeshjen e djemve të tij, sidomos me pjesën e parë. Trajneri argjentinas thur elozhe për performancën e Atleticos, edhe pse ndihet keq që nuk ia doli të merrte pikë.
“Kam një skuadër shumë të fortë dhe është e sigurt që do t’i realizojmë objektivat tona, nëse luajmë si në pjesën e parë. Zhvilluam një 45 minutësh të kënaqshëm, krijuam raste të rrezikshme, luajtëm me personalitet dhe luajtëm futbollin që donim. Reaguam me krenari pas golit të pësuar në pjesën e dytë, por largohemi të hidhëruar që dolëm pa pikë“, deklaron Diego Simeone. /abcnews.al