Atletico Madrid do të vizitojë Bayern Munchen mbrëmjen e nesërme, për llogari të javës së parë të fazës së grupeve në Champions League. Një garë shumë e vështirë për ekipin spanjoll, që do të masë forcat me kampionët në fuqi të Hans-Dieter Flick.
Në konferencën për shtypin, trajneri Diego Simeone nuk i kursen elozhet për kundërshtarët gjermanë. “Jemi në rrugën e duhur dhe nesër do të përballemi me një kundërshtar shumë të rëndësishëm.
Kjo është hera e tretë që luajmë kundër Bayern Munchen që nga viti 2016 dhe mbetet gjithmonë emocionuese të përballemi me një fuqi zjarri si bavarezët. Duhet të mbrohemi me përgjegjësi, duhet të punojmë shumë në fushë, duke e pasur të qartë se rastet për të shënuar nuk do mungojnë.
Objektivi im është të përmirësoj Atleticon, dua të vazhdojmë të garojmë në nivele të larta. Përballja me një nga ekipet më të forta në qarkullim, na jep një entuziazëm shumë të madh“, deklaron trajneri argjentinas i “Colchoneros”. /abcnews.al