“Sigurimsat e politikës”, sa gjasa ka të hapen dosjet?

schedule21:17 - 10 Shtator, 2022

schedule 21:17 - 10 Shtator, 2022

Nga emisioni VETTING

Një email anonim mbërriti në postën e Autoritetit të Dosjeve më 25 korrik 2022. Autori i paidentifikuar i kërkonte Autoritetit të Dosjeve të bënte publike një informacion që lidhej me pretendimin se ish-presidenti Ilir Meta kishte qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit në kohën kur ishte student në Fakultetin e Ekonomisë. Sipas pretendimeve të autorit të paidentifikuar, Ilir Meta kishte spiunuar shokun e tij student që quhet Filip Talo. Email-i ka mbërritur në ditën kur Ilir Meta përfundoi mandatin si president.

Autori anonim i këtij email-i, i kërkon autoritetit të dosjeve që të zbatojë ligjin duke vënë në dijeni parlamentin për zbardhjen e të vërtetës mbi dosjen e Ilir Metës.

Pas mbërritjes së këtij informacioni, kryetarja e AIDSSH-së Gentiana Sulaj ka mbledhur anëtarët e autoritetit ku dhe është vendosur që institucioni t’i drejtohet parlamentit me një letër ku kërkohet një ndryshimi i ligjit për ti dhënë hapësirë për hetime të mëtejshme në dosjen e Ilir Metës. Kjo kërkesë bazohej në një detaj me shumë rëndësi për debatin që lidhet me rezultatet e kërkimeve që ishin bërë për dosjen e Ilir Metës. Me pak fjalë, bëhej e qartë se në dosjen e Ilir Metës ishin gjetur të dhëna që të çojnë në një tjetër përfundim nga ai që kishte rezultuar në komisionet e pastërtisë së figurave të quajtura komisioni ‘Mezini’ në vitin 1996 dhe komisioni ‘Bezhani’ në vitin 1997. Këto dy komisione kishin certifikuar Ilir Metën si figurë të pastër në raport me dosjet e sigurimit të shtetit.

Zonja Sula sqaron pse u vu në lëvizje AIDSSH nga ky email anonim, ku sqaron gjithashtu se bëhej fjalë për koordinata të sakta të detajeve në dosjen e Ilir Metës.

Rruga që ka ndjekur AIDSSH është vlerësuar nga ish-presidenti si një lojë politike ku sipas tij, kryeministri ka skllavëruar kryetaren e AIDSSH-së duke e përdorur për të sulmuar Ilir Metën. Ky i fundit pretendon se dosja e tij është manipuluar nga AIDSSH. Meta ka paraqitur padi ndaj anëtarëve të AIDSSH-së duke i ngarkuar me disa akuza.

Zonja Sula kundërshton akuzat e ish-presidentit duke sqaruar se dokumentacioni që gjendet në arkivin e AIDSSH-së ruhet rreptësisht në shkallën maksimale të sigurisë. Ajo përjashton çdo mundësi manipulimi në dosjen e Ilir Metës apo të kujtdo tjetër.

Pastërtia e figurës së Ilir Metës ishte konfirmuar nga dy komisione të mëparshme, komisioni ‘Mezini’ i ngritur në vitin 1996 për pastërtinë e figurave të kandidatëve për deputet dhe komisioni ‘Bezhani’ i ngritur në vitin 1998 për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës shtetërore dhe politikës. Por Zonja Sula pretendon se ato dy komisione nuk patën mundësi të verifikojnë dosjet e Sigurimit të Shtetit. Ishin komisione ad-hok që nuk eksploruar dot çfarë kishte në dosjet e sigurimit.


Por ish-kreu i SHISH Fatos Klosi, thotë se ka asistuar komisionin ‘Bezhani’ në vitin 1998-2002. Ai flet për verifikim të detajuar të dosjeve nga ana e këtij komisioni.
Kryetarja e AIDSSH këmbëngul se qoftë ‘Bezhani’ qoftë ‘Mezini’ nuk patën stafet e nevojshme për ti shkuar leximit të dosjeve deri në detaje.

Si për të mbështetur bindjen e pamundësisë së verifikimit të dosjeve nga komisionet ‘Mezini’ dhe ‘Bezhani’, Sula jep shifra konkrete dhe raste kur ka figura të deklaruara të pastra nga komisioni ‘Bezhani’ të cilat më pas kanë rezultuar bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.

Por për cilat arsye u hap ky debat pikërisht tani kur Ilir Meta mbylli mandatin si president? Ai qëndroi në presidencë për pesë vite dhe socialistët, AIDSSH apo edhe autori anonim i email-it që vuri në lëvizje autoritetin, e patën mundësinë ta kishin konstatuar qysh në fillim kur u shpall kandidat për president.

Në kohën kur Meta u zgjodh president, ishte aleat i kryeministrit Rama në koalicionin qeveritar. U zgjodh në këtë detyrë me votat e socialistëve. Në atë kohë u prish koalicioni Rama-Meta dhe nisi lufta politike mes tyre për të mbërritur në një moment kur sipas Metës, Edi Rama do ta shpallte spiun të Sigurimit të Shtetit, duke përdorur Autoritetin e Dosjeve.

Sapo mori informacionin nga AIDSSH, kryetarja e parlamentit nxitoi të dalë para mediave me një alarm të pazakontë se ishte zbuluar një dosje e ish-presidentit si bashkëpunëtor i Sgurimit të Shtetit.

Ka një moskordinim në deklaratat e dy zyrtareve pasi kryetarja e AIDSSH thekson disa herë se kërkesa për informacion erdhi nga parlamenti, por zonja Nikolla ia lë meritën e këtij zbulimi me kurajo, AIDSSH-së.

Në atë letër që AIDSSH i kishte dërguar zonjës Nikolla, gjendej i njëjti informacion edhe për pesë politikanë të tjerë që kanë rekorde të ngjashme me ato të supozuara për Metën në dosjet e sigurimit të shtetit. Por zonja Nikolla nuk përmendi asgjë të tillë dhe nuk tha se në të ardhmen parlamenti do të verifikojë çdo figurë të kujtdo që hyn në sallën e kuvendit të Shqipërisë si ligjvënës.
Debati aktual dhe të tjerë të mëparshëm vlerësohet nga deputetja e PDIU-së, Mesila Doda vetëm si një mjet për të luftuar kundërshtarët.

Luftë politike e konsideroi edhe Berisha i cili mori në mbrojtje pa rezerva ish-presidentin duke garantuar se kishte në dorë materialët prej të cilave i rezultonte se dosja e Ilir Metës ishte stisur trashë nga ana e Edi Ramës.

Rruga e Ilir Metës në politikë nis më aktivizimin në lëvizjen studentore të dhjetorit të vitit ‘90, atje ku nis edhe ajo e Berishës, atje ku nuk mungon as Edi Rama. Në ato fillime të gjithë demaskuan veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit e megjithatë, secili e kishte kuptuar mirë pushtetin që gjendej Brenda atyre dosjeve.

Në atë kohë kur elita e re po mësonte si të ecte me këmbët e veta pa bekimin e udhëheqjes komuniste, posedimi i dosjeve të Sigurimit të Shtetit ishte një armë shumë e fuqishme. Këtë armë e pati mundësinë ta kishte padyshim PS-ja e riemëruar si e tillë nga Partia e Punës së Shqipërisë për të vazhduar me mazhorancat pasardhëse.

Vjeshtën e vitit 1992, kur po zgjidheshin drejtuesit e rinj të institucioneve të drejtësisë, kërkohej pastërtia e figurës së tyre në raport me Sigurimin e shtetit. Në seancën parlamentare ku po vendoseshin kriteret, deputeti socialist Dritëro Agolli, propozoi që para se të hapeshin dosjet për njerëzit e drejtësisë, të hapeshin për ata të politikës.

Nga arkiva e parlamentit është shkëputur një pjesë e shkurtër e këtij debati për ta sjellë në vëmendje këto kohë të debatit për bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit.

Në fund të atij debati, u votua propozimi për hapjen e dosjeve për politikanët. 32 deputetë votuan pro hapjes së dosjeve, 52 të tjerë kundër dhe 33 abstenuan. Është domethënës rezultati i votimit, shumica e refuzon hapjen e dosjeve.

Ish-kreu i SHISH Fatos Klosi, flet për kohën e parë të debatit dhe mendon se ligji duhet të vepronte për drejtuesit e Sigurimit të shtetit jo për bashkëpunëtorët. Edhe pse kanë kaluar 32 vjet, ende ka ish-funksionarë të Sigurimit të Shtetit që mbajnë sot poste publike.

Liderët politikë në këto 32 vite, nuk i trazuan kurrë drejtuesit e lartë të Sigurimit të Shtetit dhe udhëheqjen komuniste. Ata jetuan të pashqetësuar për mëkatet e tyre. Veprat kriminale të tyre në 50 vjet, lanë shenjat nëpër ato dosje për të mbajtur peng mijëra njerëz e për ti dhënë pushtet liderëve. Sepse dosjet e sigurimit u përdorën pa ndalur për të eliminuar kundërshtarët politikë brenda dhe jashtë kampeve politike. Nis herët, në kohën e parë kur lindën grupet kundërshtare në PD në vitin 1992.

Është salla e konferencës kombëtare të PD-së e vitit 1992, ku e gjithë turma akuzon njëzëri liderin e lëvizjes studentore, si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

U akuzuan si bashkëpunëtorë të sigurimit shumë prej themeluesve të PD-së të cilët ishin shpallur kundërshtarët e liderit demokrat Berisha. Këto akuza nuk u provuan kurrë. Lideri i dhjetorit ndërroi jetë dhe është sot hero, ndërsa të tjerë të akuzuar u rikthyen në drejtimin e PD-së vite më vonë. Akuza për lidhje me sigurimin e shtetit u harrua.

Në vitin 1996, kur po afrohej koha e përzgjedhjes së kandidatëve për deputet. Berisha ngriti komisionin ‘Mezini’, i cili certifikonte kandidatët sa i përket të shkuarës së tyre në lidhje me Sigurimin e Shtetit. Ishte një moment që s’kualifikoi shumë figura politike nga e majta dhe e djathta.

Por çfarë kishte mbetur nga dosjet e Sigurimit të Shtetit pasi Berisha u rrëzua nga pushteti në vitin 1997. Cili ishte misioni i komisionit ‘Bezhani’ që pasoi komisionin ‘Mezinin’?!

Dosjet e Sigurimit të Shtetit u përdorën nga qeverisja e Fatos Nanos për të shkarkuar nga sistemi një grup zyrtarësh të administratës së lartë publike, njëherësh u përdorën si mjet shantazhi për shumë anëtar të parlamentit të kohës.

Historia e përdorjes së dosjeve të sigurimit për të ndëshkuar kundërshtarët do të përsëritej shpesh herë dhe sa herë i duhej secilit lider të pastronte partinë nga kundërshtarët.

Përdorja e dosjeve të sigurimit përmes metodave të Sigurimit të Shtetit ishte denoncuar më me neveri nga lideri i socialistëve Edi Rama.

Por a është e njëjta tradhti tani kur kjo armë e sigurimit po përdoret ndaj kundërshtarit?!.

Rama flet me bindje për një ligj që do ti jepte zgjidhje gjithë problematikës por sot pas 7 viteve nga dita e hyrjes në fuqi, rezultati më domethënës i atij ligji, është publikimi i lajmit se Ilir Meta ka një dosje komprometuese në arkivin e Sigurimit të Shtetit. Një informacion që i serviret publikut përmes hijeve të dyshimta të një procesi të iniciuar nga një person anonim…. Tipike e metodave të Sigurimit të Shtetit.

Partia Socialiste ka propozuar një projektligj që detyron verifikimin e figurës për kandidatët për deputetë dhe të zgjedhur të tjerë të pushtetit vendor e qendror. Ligji i mëparshëm i miratuar në vitin 2015 e parashikonte pastërtinë e kandidatëve për tu zgjedhur në institucionet e qeverisjes qendrore dhe vendore. Rama dhe liderët e tjerë nuk kërkuan kurrë pastërtinë e figurës për kandidatët për deputetë apo zyrtarë të administratës së lartë, duke përjashtuar rastin e PDIU-së që ka verifikuar pastërtinë e kandidatëve për deputetë.

Deputetja e PDIU-së Mesila Doda, ka qenë më shumë se një herë iniciatore për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Në vitin 2015 bashkë me kreun e PDIU-së Shpëtim Idrizi, me mbështetjen e shoqërisë civile, hartuan një projektligj që parashikonte hapjen e dosjeve dhe lustracionin. Por ligji u refuzua nga dy partitë e mëdha, PS dhe PD. Për Dodën ky është një debat i vonuar që shkon për llogari të personave të caktuar.

Megjithatë, sipas zonjës Sula, janë mijëra ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit që janë sot drejtues në administratën e lartë publike, në politike, drejtësi, polici e gjetkë.

“Kush kontrollon të kaluarën kontrollon të ardhmen, kush kontrollon të tashmen kontrollon të shkuarën”, është një ndër thëniet e Xhorxh Orëell, e cila duket se i shkon më përshtat debatit 32-vjeçar për dosjet e Sigurimit të Shtetit. Kjo organizatë kriminale ku mbështetej regjimi diktatorial, u shpërbë në vitin 1991 duke lënë pas mijëra skllevër e padronë. Shumë dosje u dogjën me vendime zyrtare, të tjera u grabitën nga drejtues të ndryshëm të institucioneve në 32 vjet, për tu përdorur për shantazh. Ato që mbetën u retushuan. Drejtuesja e AIDSSH-së thotë se ka vende bosh të mbuluara me bojë të bardhë në regjistrat e Sigurimit të Shtetit. Poshtë bojës së bardhë vendosur me kujdes nëpër rreshtat e atyre regjistrave ishin dikur emra njerëzish që kishin bashkëpunuar me regjimin. Ndoshta mes tyre kishte edhe personazhe të tjerë ende të papërmendur por shumë të rëndësishëm, pjesë e elitës që na drejton prej 32 vitesh. Nuk duket se ka gjasa të hapen dosjet, gjithsesi për sa kohë ato janë të mbyllura, të gjithë ata që u formuan gjatë kohës së diktaturës, do të mbeten njësoj të dyshuar ose siç ishte parulla e fillimeve, bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë.

/abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!