Integrimi kalon nga tryeza…
Siguria ushqimore, duke qenë edhe një prej kapitujve më sfidues në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, ishte në fokus të takimit të ministrisë së bujqësisë me fermerët në Korçë.
Ministri Andis Salla, theksoi se garantimi i sigurisë ushqimore është një përgjegjësi e përbashkët mes institucioneve dhe fermerëve. Sipas tij, Ministria po punon për orientimin e fermerëve drejt laboratorëve të certifikuar, si dhe për zgjerimin e rrjetit të laboratorëve të rinj që do të shërbejnë për kontrollin dhe analizimin e produkteve bujqësore.
Ministria e Bujqësisë ka akorduar edhe fonde për orientimin dhe informimin e fermerëve mbi përdorimin e pesticideve dhe produkteve të tjera bujqësore, në mënyrë që procesi i prodhimit të jetë i kontrolluar dhe i sigurt. Fermerët do të mbështeten edhe nga agronomët, profesion i cili tashmë është i rregulluar me ligj dhe ndodhet në fazën përfundimtare të zbatimit.
Për çdo grumbullues që ka hasur vështirësi në eksportin e produkteve në vendet e Bashkimit Europian, Ministria ka ngritur një grup të posaçëm pune.


