Siguria në shkolla/ Hoxha: Ndër prioritetet kryesore, zbatojmë projektin “Smart City” për të rritur sigurinë

schedule10:55 - 13 Shtator, 2024

schedule 10:55 - 13 Shtator, 2024

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, theksoi sot rëndësinë që ka siguria në shkolla dhe angazhimin për t’u krijuar nxënësve dhe mësuesve një mjedis ku ata të ndjehen të mbrojtur dhe të sigurtë.

Gjatë një aktiviteti të zhvilluar në shkollën “Kosova” në Tiranë, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ministri i Brendshëm renditi masat kryesore të ndërmarra, si rrjedhojë e nismës “Paketa e Sigurisë në Shkolla”.

Gjithashtu, ministri Hoxha prezantoi dhe një nga projektet më madhorë të “Shqipërisë 2030”, në aspektin e sigurisë.

“Përmes ‘Smart City’ synojmë një standard të ri në monitorimin, kontrollin, mbikëqyrjen dhe analizimin e pamjeve të rrugëve, hapësirave të mëdha publike, qyteteve, përfshirë këtu edhe shkollat. Ky projekt do të modernizojë edhe më tej infrastrukturën teknologjike të Policisë së Shtetit”, theksoi ai.

Më poshtë, fjala e plotë e ministrit Hoxha:

I nderuar zoti Kryeministër,
E nderuar znj. Ministre,
Të nderuar drejtues të shkollave, mësues dhe oficerë të sigurisë,
Të dashur nxënës!

Është një privilegj dhe kënaqësi t’ju drejtohem sot, në fillim të këtij viti shkollor, që shënon një etapë të re të udhëtimit tuaj drejt dijes.

Mirë-arsimimi mbetet themeli mbi të cilin ndërtojmë të ardhmen tonë si individë, por edhe si shoqëri.

Suksesi i një udhëtimi është i lidhur ngushtë edhe me Sigurinë, që çdo nxënës dhe mësues të ndjehet i mbrojtur në mjedisin e përditshëm shkollor.

“Paketa e Sigurisë në Shkolla” është një nismë në vitin e dytë të zbatimit dhe konsolidimit të saj.

Ajo është hartuar me një qëllim të qartë: – Të garantojë që çdo shkollë të jetë një vend, ku mbizotëron jo vetëm arsimi cilësor, por edhe siguria për të gjithë, e ku masat janë gjithëpërfshirëse dhe synojnë mbrojtjen e të gjithë komunitetit shkollor.

Aktualisht, kemi shtuar praninë e forcave policore, me dhe pa uniformë, në zonat rreth shkollave, me qëllim kontrollin dhe parandalimin e çdo incidenti që dëmton shëndetin dhe sigurinë e nxënësve.

Janë instaluar kamera sigurie dhe sisteme monitorimi, në hyrje dhe në perimetrin e institucioneve shkollore, për t’u garantuar që çdo incident të parandalohet në kohë.

240 Oficerë të Sigurisë, ura lidhëse mes Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Arsimit, “syri dhe veshi” i policisë në shkolla, janë një hallkë e pazëvendësueshme dhe vlerë e shtuar në sigurinë e nxënësve.

Siguria Rrugore për nxënësit, stafet pedagogjikë dhe të gjithë komunitetin është po aq e rëndësishme sa siguria publike. Ndaj, që në fillim të këtij viti shkollor kam kërkuar një qasje tjetër, me fokus menaxhimin e trafikut dhe përmirësimin e sinjalistikës rrugore.
Më lejoni t’ju informoj se, së shpejti, Qeveria Shqiptare do të vendosë në zbatim projektin “Smart City”, një nga projektet madhorë të “Shqipërisë 2030” në aspektin e sigurisë.

Përmes tij synojmë një standard të ri në monitorimin, kontrollin, mbikëqyrjen dhe analizimin e pamjeve të rrugëve, hapësirave të mëdha publike, qyteteve, përfshirë këtu edhe shkollat.

Ky projekt do të modernizojë edhe më tej infrastrukturën teknologjike të Policisë së Shtetit.

Të gjithë së bashku jemi të angazhuar për të ndërtuar një Shqipëri më të sigurtë dhe më të mirë për brezat e ardhshëm.

Ju faleminderit dhe ju uroj një vit sa më të mbarë shkollor!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!