Ngjarja tronditëse e ndodhur së fundmi, ku gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën pasi u qëllua me armë nga 30-vjeçari Elvis Shkambi, ka ngritur shqetësime të thella në opinionin publik dhe në strukturat e drejtësisë.
Në një intervistë në “News Line” në ABC News, analisti pranë ABC News Artur Nura theksoi domosdoshmërinë e një reflektimi të thellë institucional dhe shoqëror, duke e cilësuar këtë ngjarje si një alarm që kërkon analizë të gjithanshme dhe jo qasje politike.
Ai u ndal veçanërisht në rolin dhe përgjegjësinë që duhet të mbajë sistemi i drejtësisë dhe politika, duke theksuar se ky rast nuk duhet të mbetet një precedent pa pasojë.
“Ndërgjegjësimi duhet të jetë i gjithanshëm, jo partiak. Këtu bëhet fjalë për një individ, që ka lindur në një proces gjyqësor, dhe ky proces është më i gjatë se vetë jeta e tij. Nuk ka asnjëherë përgjegjësi e njërit krah, është e të dyja palëve. Përgjegjësia duhet të vijë nga vetja. Të gjitha palët duhet t’i vënë gishtin kokës dhe të mendojnë se cila është përgjegjshmëria. Nuk mund të kërkosh dorëheqjen një ministre që do të sjellë risi, dhe është e sapoemëruar. Nuk është problematika tek siguria. Problematika nga sistemi i drejtësisë, duhet të niset nga vetërflektimi. Vrasja në të gjitha filozofitë është e papranueshme. Në këtë plan nuk bie dakord me aktin që ka marrë djali. Por sistemi i drejtësisë dhe ai i politikes duhet që të reflektojë. Të gjithë duhet të reflektojnë që rasti duhet të jetë i pari dhe i fundit, rasti kërkon një analizim 360 gradë”, tha Artur Nura./abcnews.al

