Siguria e Ballkanit nuk është vetëm çështje e Europës

schedule10:12 - 2 Nëntor, 2021

schedule 10:12 - 2 Nëntor, 2021

Nga Stephen Blank, The Hill

Në ditët e sotme kemi dëgjuar shpesh për autonominë europiane, megjithëse përkufizimi i saktë i saj mbetet enigmë. Siç ka theksuar Bismarku,  Europa mbetet thjesht një nocion gjeografik, asgjë më shumë. Për më tepër, organizatat që pretendojnë të flasin në emër të Europës, si Bashkimi Europian paraqesin një spektakël të vazhdueshëm dështimi, paaftësie, pavendosmërie dhe mosveprimi.

Politika e BE-së ka dështuar qartë, ajo nuk ka asnjë program për sfidën e emigracionit dhe po lufton me anëtarët që shfaqin gjithnjë e më shumë një deficit demokratik në qeverisjen e tyre. As Brukseli nuk ka asnjë ide se si t’i kundërshtojë sfidat e shumta të Rusisë dhe aq më pak çështjen e Ukrainës. Dështimet e BE-së përfshijnë gjithashtu atë që është ndoshta çështja më urgjente në sigurinë europiane dhe ajo që mund të nxisë lehtësisht një raund tjetër konflikti, përkatësisht tensionet serbo-kosovare dhe ato boshnjake, raporton abcnews.al

Këto çështje janë pjesë e një mozaiku më të madh të çështjeve të pazgjidhura ballkanike që i ofrojnë Moskës dhe mbështetësve të saj shumë mundësi për të minuar paqen dhe sigurinë rajonale. Por përveç shekujve të nxitjes së intrigave ballkanike së Moskës, dështimi i BE-së dhe neglizhenca e përbashkët amerikano-europiane gjithashtu nxit aktorët lokalë të ndërmarrin veprime të njëanshme dhe të nxisin kriza të reja etno-fetare.

Rreziku këtu qëndron në faktin se historia 300 vjeçare europiane tregon se krizat dhe konfliktet ballkanike rrezikojnë në mënyrë të pashmangshme të gjithë sistemin shtetëror europian. Është po aq e vërtetë se pezullimi ose zgjidhja e këtyre krizave të mundshme ndodh vetëm kur qeveritë ose institucionet kryesore europiane marrin drejtimin në menaxhimin ose zgjidhjen e tyre. Sapo këto institucione të fillojnë të neglizhojnë Ballkanin ose të shmangin përgjegjësitë e tyre për ta bërë këtë, ato  pa dashje do të hapin kutinë e Pandorës ose do të lejojnë vendasit ta bëjnë këtë me pasoja të njohura lokale dhe kontinentale.

Kështu ndodhi konflikti i fundit midis Beogradit dhe Prishtinës, i shkaktuar nga një përplasje për një çështje në dukje të parëndësishme të targave, po që nxori në pah dështimin e vazhdueshëm të Brukselit në Ballkan dhe nevojën urgjente për një prani të fuqishme diplomatike të SHBA-së këtu.

Ky angazhim është thelbësor për të parandaluar që aktorët vendas t’i nënshtrohen tundimit për të luajtur në galeritë vendase dhe për të nxitur kriza të reja, për shembull si kriza e fundit e targave. Kjo krizë, ndoshta jo rastësisht, u materializua pak para zgjedhjeve lokale në Kosovë, kur autoritetet në Prishtinë vendosën në mënyrë të njëanshme një politikë të re të targave që prek pakicën serbe atje, me sa duket për të mobilizuar bazën e tyre mbështetëse për ato zgjedhje.

Një ngacmim i tillë i pasioneve etnike i sjell dobi vetëm Moskës dhe në fund dëmton interesat e Prishtinës. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, e vlerësoi saktë këtë krizë kur tha se ” veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme”.

Në të vërtetë, as Prishtina dhe as Beogradi nuk mund të ndryshojnë në mënyrë të njëanshme status quo-në. Pra, nëse Prishtina dëshiron të avancojë statusin e saj ndërkombëtar, do të duhet të bie dakord me Beogradin pasi gjysma e botës vazhdon mos ta njohë atë dhe ka ndaluar pjesëmarrjen e saj në organizatat ndërkombëtare.    Në të njëjtën kohë, status quo-ja aktuale dhe e pazgjidhur mes Beogradit dhe Prishtinës i sjell përfitim Moskës. Rusia përdor ndikimin e saj në mosmarrëveshjen e dy palëve për të ruajtur varësinë serbe, raporton abcnews.al

Prandaj, vazhdimi i kësaj status quo-je është i rrezikshëm për Serbinë, Kosovën dhe Ballkanin në tërësi. Kosova, e cila varet nga Perëndimi, duhet të marrë në konsideratë siç duhet interesat perëndimore për paqen dhe sigurinë në Ballkan, përpara se të veprojë thjesht për të çuar përpara interesat e saj.

Kriza e njëanshme e krijuar rreth çështjes së targave ishte dritëshkurtër, duke e detyruar Serbinë të mbështetet tek Rusia, duke konsoliduar kështu praninë dhe ndikimin e Rusisë në Ballkan. Ky rezultat nuk i sjell dobi Prishtinës, Europës apo SHBA-së, për të ndihmuar veten dhe Perëndimin dhe të çlirojnë Serbinë, nëse jo Ballkanin nga ndikimi rus.

Prishtina dhe Beogradi duhet të negociojnë  për normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Kjo, megjithatë, do të kërkojë angazhim më të madh të SHBA-së. 

Nëse ky projekt mund të vazhdojë  apo edhe të zgjidhë me sukses çështjet e pazgjidhura mes tyre, do t’i japë fund izolimit të tyre dhe do të lehtësojë integrimin e ndërsjellë në Europë. Ky rezultat, nga ana tjetër, do t’i vendosë të dyja palët nën ombrellën e BE-së dhe NATO-s, do të përmirësojë qeverisjen e tyre demokratike, do të zvogëlojë në masë të madhe aftësinë e Rusisë për të ndërhyrë dhe korruptuar politikën e tyre dhe, më e rëndësishmja, do të lehtësojë marrëdhëniet gjithnjë e më paqësore mes tyre me kalimin e kohës.

Precedenti për këtë është suksesi i Uashingtonit me kalimin e kohës në uljen dhe zhdukjen graduale të tensioneve izraelito-arabe. Është e qartë, se BE nuk mund të bëjë asnjë ndryshim të madh në këto çështje shqetësuese të sigurisë në Ballkan. Dhe dështimi i tij për të vendosur për anëtarësimin dhe për të qetësuar marrëdhëniet serbo-kosovare dhe serbo-boshnjake ofron rrëmujë të madhe për aktorët lokalë dhe ata në Rusi që duan të përkeqësojnë tensionet.

Nëse BE dhe aleatët e tyre e braktisim agjendën e sigurisë ballkanike për të ecur me rrymën, herët a vonë kjo rrymë do të vërshojë përsëri dhe do të minojë sigurinë europiane.  Nëse ne dhe aleatët tanë jemi vërtet seriozë për sigurinë dhe autonominë europiane, nuk mund të injorojmë pothuajse tre shekuj të historisë europiane.

Siguria e Ballkanit është siguria europiane dhe siguria europiane është jetike për sigurinë amerikane.

Logjika e padiskutueshme e këtij këndvështrimi, e vërtetuar nga një histori tragjike, duhet të nxisë Uashingtonin që të veprojë tani, në vend që të presë për krizën e ardhshme.

Përktheu Sonila Backa-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!