MBRETËRI E BASHKUAR- Kryeministri Edi Rama, gjatë një vizite në Mbretërinë e Bashkuar, ka komentuar zhvillimet rreth migracionit, duke i cilësuar disa qëndrime atje si të rrezikshme dhe të dëmshme për vlerat demokratike të vendit.
Duke iu referuar figurës politike britanike Nigel Farage, Rama theksoi se ai nuk duhet parë si problemi kryesor, por si një pasqyrë teatrale e sfidave që përjeton shoqëria britanike.
I ftuar në forumin ndërkombëtar të sigurisë dhe politikave globale “Future Resilience Forum 2025”, Rama kritikoi gjithashtu retorikën politike që identifikon migracionin si burim krize.
Rama risolli në vëmendje deklaratat e ish-Sekretares së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Suella Braverman, e cila më parë kishte veçuar komunitetin shqiptar në mënyrë negative.
Kryeministri Rama e quajti këtë qasje si të gabuar dhe të rrezikshme për shoqërinë dhe kohezionin social ndërmjet kulturave të ndryshme.
“Unë kam prirjen të besoj, që të veçosh Nigel Farage si problemin praktikisht është t’u largohesh rrënjëve të problemit. Nuk është problemi, është pasqyra ku njerëzit mund të shohin në mënyrë teatrale disa prej problemeve.
Unë nuk besoj se ai ka zgjidhjet, dhe s’ka aspak dyshim që zgjidhja është të shfaqesh atë si kokën e turkut apo problemin kryesor, zgjidhja është t’i shohësh problemet ashtu siç janë dhe të gjesh mënyrën se si mund t’i trajtosh, që të riorganizosh njerëzit me politikën dhe t’i bësh njerëzit të besojnë sërish te njerëzit të besojnë te ky vend i madh.
Ta karakterizosh migracionin si problemin është gabim. Migracioni nuk është problemi, migracioni është pjesë e zgjidhjes besoj unë dhe sigurisht më tej është rëndësishme të bëhet dallimi midisi asaj që është e dëmshme dhe asaj që është dobiprurëse.
Pak kohë më parë vizitova këtë qytet, pasi dikush që quhet Suela Braverman, veçoi komunitetit shqiptar në mënyrën më të gabuar të mundshme. Të luash me migracionin në mënyrën se si po luhet është e rrezikshme, sepse është shumë ndikuese.
Pra, dëmton vlerat që e kanë bërë vetë Mbretërinë e Bashkuar atë vend demokratik ku bashkëjetohet, sepse më pas shndërrohet në luftë kulturash.”, tha Rama./abcnews.al

