SHQIPËRI- Në prag të ndërrimit të viteve, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka ndërmarrë një plan masash në të gjithë vendin për të garantuar sigurinë dhe qarkullimin normal në akset rrugore.
Drejtori i Përgjithshëm i ARRSH-së, Ami Kozeli, u shpreh se dita e fundit e vitit shoqërohet çdo vit me një fluks të shtuar të automjeteve në të gjitha rrugët e vendit. Sipas tij, autoritetet janë të përgatitura për të përballuar situatën.
““Sot është dita e fundit e vitit, ashtu si çdo vit. Pritet një fluks i shtuar i automjeteve në të gjitha akset e Shqipërisë. ARRSH, së bashku me të gjitha ekipet nënkontraktore, është në gatishmëri të plotë dhe ka marrë të gjitha masat për të siguruar një qarkullim të vazhdueshëm në të gjitha akset rrugore në mbarë Shqipërinë. ARRSH ka marrë masat, ku do jenë në gatishmëri 130 borëpastruese dhe 577 mjete të tjera dhe 800 punonjës, që do jenë në gatishmëri 24 orë”, deklaroi Kozeli.
Autoriteti Rrugor u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të pajisen me goma dimërore, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimeve festive pasi parashikohet ulje e temperaturave dhe prezencë ngrice në rrugë.


