Sidibe: Te Tirana falë presidentit Halili, ja pse nuk firmosa me Osijek

schedule10:52 - 27 Janar, 2020

schedule 10:52 - 27 Janar, 2020

Tirana zyrtarizoi afrimin e Lancinet Sidibe ditën e djeshme. Mesfushori nga Guinea u huazua nga Besëlidhja për një periudhë 6-mujore të bardheblutë dhe 23-vjeçari dje ndoqi skuadrën e tij të re nga stadiumi dhe shijoi fitoren 5-1 ndaj Luftëtarit.

Në një prononcim për ABC News, ai tregoi edhe pse zgjodhi Tiranën: “Tirana është një ekip i madh, falënderoj presidentët Halili dhe Gjoka (kreu i Besëlidhjes, Gjokë Noka) dhe jam shumë i lumtur që ndodhëm këtu. Kam ardhur për 6 muaj te Tirana. Presidenti Halili më kërkoi dhe bëri gjithçka për të më marrë në ekip, ky është shkaku pse zgjodha bardheblutë”.

Tirana, pas përfundimit të takimit me Luftëtarin mori kreun e klasifikimit. Gjithsesi fitorja e Kukësit i zbriti sërish në vend të dytë. Sidibe vlerëson skuadrën e tij dhe thekson se do të tentojnë të jenë në krye të renditjes.

 

Sidibe duke ndjekur ndeshjen Tirana-Luftëtari

” Mendoj se kemi një skuadër shumë të mirë, të fortë, kemi lojtarë të mirë dhe do bëjmë gjithçka për të qëndruar në vendet e larta”, shtoi Sidibe, i cili më pas qeshi kur ju vu në dukje fakti që kishte veshur xhupin e Skënderbeut.

“Jam stërvitur me Skënderbeun këtë periudhë, trajneri më lejoi dhe e falënderoj trajnerin Daja”, tha mesfushori nga Guinea, i cili në verë ishte shumë pranë kalimit tek Osijek në Kroaci. Gjithsesi Besëlidhja kishte kërkesat e saja financiare dhe në fund nuk u arrit një marrëveshje.

 “Isha dy javë në Kroaci gjatë verës, u stërvita me Osijek, por ata nuk arritën akord me presidentin Gjoka dhe u ktheva në Shqipëri“, përfundoi Sidibe, i cili pritet të jetë nën urdhrat e trajnerit Emanuel Egbo për ndeshjet në vijim. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!