Disa njerëz po pyesin se përse koronavirusi aktual e ka gjunjëzuar botën, por koronavirusi i mëparshëm vdekjeprurës, SARS, nuk e bëri diçka të tillë.
Të tjerë kanë ngritur pyetjen se përse një vaksinë është e nevojshme në mënyrë urgjente tani për të penguar përhapjen e koronavirusit aktual, kur për SARS nuk u prodhua kurrë një vaksinë, shkruan The Jakarta Post.
Unë studioj viruset dhe jam e mahnitur nga kompleksiteti i tyre dhe kam shkruar edhe një libër për ta. Historia e SARS dhe koronavirusit të ri që shkakton Covid-19, SARS-CoV-2, tregon se sa të paparashikueshëm janë viruset, veçanërisht kur kalojnë nga kafshët te njerëzit. Të kuptuarit e sëmundjeve infektive të reja duhet të jetë përparësi.
SARS, i cili vrau rreth 1 në 10 njerëz të infektuar, doli të ishte shumë vdekjeprurës, por në fund të fundit dhe disi në mënyrë misterioze, u zhduk.
Një virus mund të mbahet nën kontroll
SARS, ose sindroma e rëndë akute e frymëmarrjes, u pikas për herë të parë në provicën Guangdong në Kinë në nëntor të vitit 2002, kur mjekët atje vunë re një pneumoni të pazakontë. Por sëmundja nuk u raportua në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në atë kohë.
Në shkurt të vitit 2003, një shpërthim tjetër ndodhi në Hanoi, Vietnam dhe një oficer i OBSH, që vdiq më vonë, ekzaminoi një pacient atje dhe raportoi një shpërthim të madh te zyrat kryesore të OBSH më 10 mars 2003, raporton abcnews.al
Ndërkohë, një mjek nga provinca Guangdong udhëtoi për në Hong Kong dhe qëndroi në Hotel Metropol, së bashku me një numër udhëtarësh ndërkombëtarë. Mjeku ishte i infektuar me atë që tani e njohim si SARS-CoV-1. Virusi u transmetua të paktën te një dyzinë klientësh të hotelit. Dy u kthyen në Kanada dhe e transmetuan virusin atje. Njëri u kthye në Irlandë dhe një tjetër në SHBA. Tre shkuan në Singapor dhe një në Vietnam. Për më tepër, disa njerëz u shtruan në spital në Hong Kong dhe virusi e pati shpërthimin aty, raporton abcnews.al
Nga kjo pikë, SARS u përhap në pjesën më të madhe të botës, megjithëse shumica e rasteve mbetën në Azi. Virusi ishte agresiv dhe vdekjeprurës. Kishte pak raportime për të infektuar pa simptoma, siç ka me Covid-19. Maskat dolën, skanuesit e temperaturave u vendosën në të gjitha vendet kryesore të grumbullimit të njerëzvë në Kinë dhe pjesë të tjera të Kinës, u zbatuan karantina dhe infeksioni arriti kulmin në fund të majit 2003 dhe pastaj u zhduk. Masat e rrepta të karantinës dhanë fryte dhe në korrik të vitit 2003, OBSH e deklaroi të zhdukur kërcënimin që vinte nga virusi.
Në total u regjistruan pak më shumë se 8 mijë raste me SARS-CoV-1 dhe rreth 700 vdekje. Në SHBA u regjistruan vetëm 29 raste të konfirmuara dhe asnjë vdekje. Ekonomia e Hong Kongut, e cila ndikohet shumë nga turizmi, u prek rëndë nga SARS në vitin 2003, aq sa industria e turizmit në SHBA, e cila është ndër më të prekurat nga SARS-CoV-2.
A janë viruse të njejta vdekjeprurëse?
SARS-CoV-1 dhe SARS-CoV-2 janë viruse të lidhura ngushtësisht. Shkencëtarët besojnë se të dy viruset e kanë origjinën nga lakuriqi. Genet e ARN-së të viruseve janë rreth 80 përqind identike. Çfarë do të thotë kjo?
Gjenomet tona janë mbi 98 përqind identike me ato të shimpanzeve, kështu që 80 përqind duket shumë më pak e ngjashme. Për një virus, megjithatë kjo lidhje është shumë e ngushtë.
Kjo për shkak se viruset pësojnë mutacione shumë shpejt, raporton abcnews.al
Të dy viruset kanë proteina të ngjashme në pjesën e jashtme të tyre dhe përdorin të njëjtat proteina, ose receptorë, në sipërfaqet e qelizave tona për të hyrë në qelizë. Këta receptorë gjenden në shumë lloje të ndryshme qelizash.
Shumica e studimeve të SARS-CoV-1 u përqendruan në mushkëri, sepse aty ndodhi sëmundja më e rëndë, por të dy viruset mund të infektojnë shumë organe të ndryshme. Ne nuk do ta dimë se sa shpesh organet e tjera infektohen me SARS-CoV-2 derisa të bëhen autopsitë e trupave për të kuptuar plotësisht mënyrën se si virusi shkakton sëmundje.
Sa të ndryshëm janë dhe si ndikon kjo në rrjedhën e pandemisë?
SARS-CoV-1 ishte më agresiv dhe vdekjeprurës se SARS-CoV-2. Sidoqoftë, SARS-CoV-2 përhapet më shpejt, ndonjëherë me simptoma të fshehura, duke lejuar secilin person të infektuar të infektojë disa të tjerë. Vlerësimi aktual është rreth tre, por shkencëtarët nuk mund ta dinë numrin e vërtetë derisa të testojnë shumë më tepër njerëz dhe të kuptojnë rolin e njerëzve pa simptoma.
Dallimi më i rëndësishëm është se gjurmimi i kontakteve- ose zbulimi i atyre që ishin ekspozuar ndaj virusit- ishte i lehtë: të gjithë kishin simptoma të rënda brenda 2 ose 3 ditësh, raporton abcnews.al
Me SARS-CoV-2 duhen rreth dy javë që të shfaqen simptomat dhe shumë njerëz nuk kanë fare simptoma. Ky mjet kritik për kontrollin e pandemisë është shumë sfidues për t’u zbatuar. Kjo do të thotë se e vetmja mënyrë e sigurt është vendosja e karantinës për të gjithë derisa pandemia të jetë nën kontroll.
A do të ketë vaksinë kundër koronavirusit?
Studimet për vaksinën e SARS-CoV-1 nisën dhe u kryen testimet te kafshët. Një virus joaktiv u përdor te iriqët, majmunët dhe minjtë. Të gjitha vaksinat rezultuan në imunitet mbrojtës, por pati komplikacione: vaksinat sollën një sëmundje imune të kafshët. Nuk u bënë studime te njerëzit dhe vaksina nuk u testua më tej pasi virusi u zhduk.
Shumë faktorë ndikuan në zhdukjen e SARS-CoV-1, ndoshta duke përfshirë këtu temperaturat e verës, dhe sigurisht karantinën e rreptë për të gjithë ata që kishin kontakte me individë të infektuar. Por në të vërtetë nuk e dimë pse përfundoi epidemia. Viruset janë të tillë, të paparashikueshëm.
Shumë nga vaksinat që po zhvillohen për SARS-CoV-2 janë mjaft të ndryshme dhe shumë prej tyre përdorin porcione të vogla të virusit ose RNA-në e virusit. Kjo mund të anashkalojë problemet që u shfaqën me vaksinën e SARS-CoV-1. Prodhimi i vaksinave ka një përbërës të madh eksperimental: ne duhet të bëjmë vetëm supozime të zgjuara, të provojmë gjëra të ndryshme dhe të shohim se çfarë funksionon. Prandaj në laboratorë të ndryshëm në botë po testohen vaksina në mënyrë të ndryshme./abcnews.al