Nga Ben Hall në Londër, Sam Fleming & James Shotter “Financial Times”
Kur Alexander Lukashenko vizitoi një grup emigrantësh të bllokuar në kufirin midis Bjellorusisë me Poloninë, pasi përpjekjet e tyre për të kaluar ilegalisht u bllokuan nga forcat polake, ai u kërkoi atyre të vazhdonin të përpiqeshin.
“Nëse doni të shkoni në Perëndim, ne nuk do t’ju ndalojmë apo dhunojmë. Kjo është zgjedhja juaj. Kaloni matanë!”- u tha udhëheqësi autokratik bjellorus grupit të emigrantëve që ishte mbledhur jashtë një magazine pranë Bruzgi, strehimi i tyre i përkohshëm teksa dimri i akullt i Evropës Lindore sapo kishte filluar.
“Shkoni në Perëndim! Kjo është e gjithë filozofia. E di se ajo që thashë nuk do t’i pëlqejë të gjithëve, sidomos jashtë vendit. Por kjo është e vërtetë, dhe ata duhet ta dinë të vërtetën”- deklaroi Lukashenko gjatë një vizitë në kufi më 26 nëntor, e cila u filmua dhe u transmetua në televizionin kombëtar.
Orkestrimi tejet e hapur i një krize humanitare nga Lukashenko – zyrtarët evropianë e kanë akuzuar regjimin e tij për lehtësimin e qëllimtë të hyrjes së emigrantëve nga Lindja e Mesme në Bjellorusi, dhe përcjelljen e tyre drejt kufirit – është ndoshta shembulli më i hapur i kohëve të fundit i diplomacisë shtrënguese që përdor si armë emigrantët dhe refugjatët.
Dhe kjo armë po drejtohet gjithnjë e më shumë kundër BE-së, si një mjet për të shfrytëzuar ndarjet e saj të thella politike dhe frikën e publikut ndaj migrimit të pakontrolluar.
Kjo dukuri po nxit një ashpërsim të mëtejshëm të qëndrimeve brenda unionit ndaj emigracionit dhe azilkërkuesve, teksa shtetet anëtare po kërkojnë mënyra të reja për të forcuar kufijtë e tyre dhe për t’i penguar njerëzit e zhvendosur që të hyjnë në union.
Sipas Marcin Przydacz, zëvendësministër i Jashtëm i Polonisë, synimi është “të kontrollojmë qëndrueshmërinë e vendeve tona”. Qeveritë evropiane po përpiqen të gjejnë mjetet e duhura për t’iu përgjigjur përdorimit të migrimit si një armë, krahas mekanizmave të tjerë shantazhues, që synojnë destabilizimin social dhe politik, si sulmet kibernetike dhe keq-informimi, të cilat janë rafinuar nga Moska në një doktrinë të sofistikuar ushtarake të “luftës hibride”, duke u kopjuar më pas nga të tjerët.
“Dallimi klasik midis luftës dhe paqes ka ardhur duke u zvogëluar”- tha muajin e kaluar Josep Borrell, shefi i politikës së jashtme të BE-së, teksa premtoi “busullën strategjike”, ose strategjinë e re të politikës së jashtme të unionit. “Bota është plot me situata hibride, ku ne përballemi me një dinamikë të ndërmjetme të konkurrencës, frikësimit dhe detyrimit. Dhe ajo që po shohim sot në kufirin Poloni-Bjellorusi është një shembull tipik”- shtoi ai.
Evropa nuk është sigurisht rajoni i vetëm ku emigracioni është një çështje e ndjeshme. Por BE-ja bart një sërë karakteristikash unike, që mund t’i shfrytëzojnë kundërshtarët e saj si Lukashenko. Qeveritë kombëtare janë kryesisht përgjegjëse për kontrollin e kufijve të jashtëm.
Por brenda pjesës më të madhe të bllokut kryhen udhëtime pa kufizime, nuk ka asnjë sistem për menaxhimin e flukseve të brendshme, dhe asnjë mekanizëm funksional për ndarjen e përgjegjësisë për azilkërkuesit. Disa shtete anëtare janë shumë më të ekspozuara se të tjerët, qoftë si pika hyrëse apo si destinacione të preferuara.
Dhe ekziston një ndarje e dukshme midis vendeve, dhe për më tepër brenda tyre, gjë që e bën këtë çështje politikisht shumë radioaktive për udhëheqësit. “Bjellorusia zgjodhi diçka që ajo e identifikoi si brishtësinë tonë”- thotë Natalie Tocci, drejtore e Institutit për Çështjet Ndërkombëtare në Romë. Ndërkohë Margaritis Schinas, zv/president i Komisionit Evropian, mendon se episodi i Bjellorusisë, shënoi një ndryshim të panoramës politike në të gjithë unionin, duke nxjerrë në pah shkallën në të cilën i gjithë blloku është i ekspozuar ndaj çështjeve të migracionit.
Kjo, argumenton ai, mund të nxisë një ndjenjë më të madhe solidariteti. Përdorimi i flukseve të emigrantëve si një mjet agresioni apo frikësimi nuk është as i ri dhe as i rrallë. Kelly Greenhill, një studiuese amerikane dhe autore e librit “Migrimi masiv si një armë”, ka dokumentuar të paktën 76 raste që nga vitet 1950, dhe e pranon se ndoshta ka edhe shumë të tjera.
Disa prej tyre janë në shkallë të gjerë. Një sulm nga ushtria pakistaneze në vitin 1971, dërgoi në Indi 10 milionë refugjatë bengalezë, pjesërisht për të ushtruar presion ndaj Nju Delhit që të ndërpresë mbështetjen e tij për lëvizjen rebele bengaleze.
Në përpjekje për të luajtur me tensionet racore brenda Evropës, udhëheqësi libian Muammar Gaddafi kërkoi në vitin 2010 5 miliardë euro në vit për të ndaluar emigrimin e paligjshëm nga Afrika drejt Evropës. Edhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka kërcënuar vazhdimisht se do ta “përmbytë” BE-në me një pjesë të mirë të 4 milionë refugjatëve që jetojnë në vendin e tij.
Vitin e kaluar, zyrtarët turq dërguan mijëra prej tyre me autobusë në kufirin tokësor të Turqisë me Greqinë, gjë që solli përplasje të forta me rojet kufitare greke. Erdogan u ankuase Turqia ishte e mbingarkuar, dhe se BE-ja nuk po bënte pjesën e saj.
Ankraja arriti një marrëveshje me Brukselin në vitin 2016 për të ndalur fluksin e refugjatëve kryesisht sirianë drejt Evropës, në këmbim të 6 miliardë eurove ndihmë financiare, dhe një premtimi të BE-së, deri më tani të pa mbajtur, për të pranuar më shumë azilkërkues.
Gjeografia është vetëm një nga arsyet e brishtësisë së BE-së. “Kundërshtarët po përdorin kundër saj themelet politike të BE-së”- thotë Mark Leonard, drejtor i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë. BE-ja u ndërtua mbi multilateralizmin dhe tregjet e lira dhe të hapura, dhe më pas u përpoq ta shtrinte këtë model në pjesën tjetër të botës përmes institucioneve globale dhe marrëveshjeve tregtare.
“Për evropianët kjo ishte një lloj ideologjie por edhe një shans. Ne e pamë veten shumë më të lidhur me botën, ndaj jemi shumë më të prekshëm”- thekson ai. Ata që kërkojnë ta përdorin emigracionin si një armë, kuptojnë se BE-ja po përballet ene me efektet destabilizuese të krizës së viteve 2015-2016, kur rreth 1.5 milion azilkërkues dhe refugjatë mësynë në Evropë.
Vendimi i kancelares Angela Merkel për të mirëpritur refugjatët sirianë në Gjermani, do të mbahet mend nga shumë njerëz si një gjest humanitar dhe fisnik. Por udhëheqësit e tjerë u tmerruan nga një vendim i njëanshëm, i cili mbolli përçarje midis vendeve anëtare të BE-së, përkeqësoi tensionet lindje-perëndim, dhe nxiti rritjen e forcave euroskeptike anti-establishment.
Ajo krizë mund të ketë përmbysur ekuilibrin në favor të Brexit, teksa shkaktoi një përçarje të madhe brenda Unionit Kristiandemokrat të Merkelit, që solli ndoshta edhe daljen e CDU në opozitë. Schinas thotë se mënyra më e mirë për ta trajtuar ekspozimin e Evropës ndaj sulmeve hibride, është nëpërmjet arritjes së marrëveshjeve.
Ai thekson levendet e BE-së duhet të bien dakord mbi zhvendosjen e azilkërkuesve, mbështetjen financiare dhe përdorimin e forcës së saj kufitare Frontex. Por disa vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, duke përfshirë Poloninë dhe Hungarinë, kanë qenë veçanërisht rezistente ndaj këtij plani. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al