BERAT – Policia ka zbardhur ngjarjen e rëndë të ndodhur në Berat mbrëmjen e sotme ku një efektiv i forcave të policisë ka mbetur i plagosur me armë zjarri.
Sipas policisë ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:20, ku ka ardhur një telefonatë në Sallën Operative se në lagjen “Dëshmorët e Kombit” vëllezërit, Gerald Marini 38 vjeç, Marjus Marini 42 vjeç dhe Arjan Marini 40 vjeç, që dyshohet të jenë përdorues të lëndëve narkotike, po konfliktoheshin me A.Mema dhe bashkëshorten e tij shtetasen O.Mema .
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë ku kanë ndërhyrë për shuarjen e konfliktit. Në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, tre vëllezërit kanë dhunuar, goditur dhe kanë tentuar ti marrin armën e shërbimit njërit prej punonjësve të policisë dhe gjatë konfrontimit fizik dyshohet se arma ka kryer qitje të pavullnetshme ku është plagosur në këmbë punonjësi i policisë Julian Xhahalili, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Berat, nën kujdesin e mjekëve.
Nga shërbimet e policisë është bërë, neutralizimi dhe shoqërimi i personave në konflikt dhe është siguruar vendi ngjarjes. Është krijuar menjëherë një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, vijon puna intensive për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Efektivi i policisë Julian Xhahalili që mbeti i plagosur pas konfliktit në Berat ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Lajmin e bën të ditur për Abcneës.al mjeku kirurg i urgjencës Piro Leka. Mjeku tha se polici u paraqit me plagë arme zjarri në këmbën e djathtë ndërsa shtoi se gjendja është e mirë.
Kujtojmë se një ditë më parë një ngjarje e ngjashme ndodhi në Mamurras, ku mbetën të plagosur dy efektivë policie dhe një tjetër person. Edhe në këtë ngjarje shkak u bë sulmi ndaj efektivëve të policisë nga fisi Fufi në Mamurras. E.L/abcnews.al/