Historiani Mariglen Kasmi ka sjellë një këndvështrim të ri mbi rrethanat e krijimit të Partisë Komuniste Shqiptare, duke theksuar se ajo nuk lindi si rezultat i bindjeve të thella marksiste, por si produkt i një momenti historik dhe shoqëror të favorshëm.
Gjatë prezantimit të librit të tij më të ri “Sadik Premtaj, Trockisti i fundit”, Kasmi u shpreh se në fillim të viteve ’40 komunizmi ishte një trend për të rinjtë, ndërsa një nga arsyet kryesore të zgjerimit të kësaj lëvizjeje ishte urrejtja e akumuluar ndaj regjimit të Ahmet Zogut.
I ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, ai theksoi se Partia Komuniste u themelua me program kryesor çlirimin e vendit, duke shfrytëzuar kontekstin e Luftës së Dytë Botërore dhe zhvillimet ndërkombëtare, çka bëri që ajo të gjente mbështetje të gjerë dhe të konsolidonte radhët e saj në një moment kyç historik.
Mariglen Kasmi: Fillim vitet 40 të ishe komunist ishte trend i kohës dhe këtu dal te elementi moshës. Komunizmi për të rinjtë ishte atraktiv, nuk duhet harruar që grupet komuniste që ishin aty, pavarësisht se nuk merreshin vesh për tu angazhuar dhe formuar një parti të vetme, shtratin e kishin të shtruar nga urrejtja që kishin patur me regjimin e Zogut dhe ky shtrat u kanalizua më qartë me sulmin nga Bashkimit Sovjetik.
Është e vetmja parti komuniste që themelohet me program kryesor çlirimin e vendit, çka padyshim i shtrëngoi më shumë radhët e saj. Nuk duhet menduar se ishte parti që u formua nga marksist leninistë të vërtetë komunistë me bindje. Një nga arsyet kryesore që partia komuniste gjeti një shtrat kaq të zgjeruar në Shqipëri, ishte pikërisht ajo urrejtje që ishte mbledhur ndaj sistemit të Zogut. E tregojnë faktet, ka historianë që e trajtojnë.
Në libër nuk jam marr me pjesën e organizimit të luftës, por jam përqendruar vetëm me organizimin e saj të brendshëm si një analizë politike, duke marrë si shembull edhe Sadik Premten me qëllim që të kuptojmë më mirë, intensitetin e zhvillimit të ngjarjeve brenda dhe kjo parti që drejtoi luftën duhet parë edhe si luftoi brenda saj. Ndaj viti 1941 përveç angazhimit të madh në nivel botëror ku bota hyri qartë në një konflikt të hapur, u krijuan kampet dhe derisa u përmend Curcill, thirrja e tij nuk i drejtohet qeverisë së Bashkimit Sovjetik, por popullit sovjetik. Ndaj ky është momenti që u shfrytëzua nga komunistët shqiptar. Në gjithë këtë zhvillim, ditën të gjejnë shtratin kapën momentin historik.

