Figura e firmëtarit të pavarësisë dhe ministrit të qeverisë së Vlorës Hajredin Bej Cakrani, e denigruar për gjysmë shekulli gati u fshi nga historia. Por kujtimet e tij të ruajtura nga ish shërbyesi dhe së fundmi dokumentat e arkivave europiane, po e risjellin figurën vëllezërve Cakrani, të plotë, pa lënë vend për dyshim në veprën patriotike të tyre.
Personazhet nuk janë fisnikë europianë dhe kështjella nuk është prej tyre. Janë bejlerët e Cakranit. Luftëtarë, patriotë dhe mes protagonistëve kryesorë të shpalljes së pavarësisë. Hajredin Bej Cakrani nuk do ta kishte imagjinuar kurrë se do të shpërblehej me mosmirënjohje, dekada më vonë. Ishte ai që me njerëzit e tij shoqëroi plakun e urtë nga brigjet e Shkumbinit deri në Vlorë përmes stuhive të shiut.
Kujtim Cakrani, pasaardhës: “Ka qenë në harresë nga historia shqiptare dhe saktësisht nga historia komuniste. Hajredin Cakrani është firmëtar i Fierit dhe i Mallakastrës, i cili ka përfaqësuar këto dy rrethe në 1921-n, pra në Pavarësinë e Shqipërisë.”
Hajredin dhe Bektash Cakrani u bënë pjesë e lëvizjeve patriotike duke investuar pasurinë e tyre në vitet para dhe pas shpalljes së pavarësisë. Por e gjithë kjo veprimtari që zuri vend edhe në arkivat e vendeve europiane, u zerua pas Luftës së Dytë Botërore. Nga sarajet madhështore të bejlerëve të Cakranit aty edhe kështjella e ndërtuar me ndihmën e austriakëve, nuk ka mbetur asnjë gjurmë. Vetë patriotizmi i tyre, do të ishte i diskutueshëm po të mos ishte për një fshatar nga Libofsha që ruajti dokumenta dhe dorëshkrime të beut të tij pas shembjes së sarajeve nga regjimi komunist.
“Lëvizja në prona të cilat ne trashëgojmë, rastësisht tek byjqërit që kanë shërbyer tek familja jonë deri në vitin 1945 kishte ruajtur në një sepetë duke saktësuar që unë isha nipi i tyre. Ai mi dhuroi këto sepetë, unë gjithmonë duke menduar se ishin dokumenta pronash dhe kam konstatuar se edhe përveç dokumentave të pronave ishte edhe një arkiv i vogël, i cili më pas na rezultoi se ishin dorëshkrime të firmëtarit të Pavarësisë Hajredin Cakrani.”
Revanshi i regjimit komunist shkoi deri te fshirja e firmës së Hajredinit nga akti i shpalljes së pavarësisë. Mosmirënjoja dhe harresa janë ç’ka mbeti nga gjysmë shekulli përbaltjeje.
Banori 1: “Po është një figurë historike. Është person që i ka shërbyer kombit në atë kohë për pluralizëm.”
Banori 2: “Për fat të keq këtu në zonë dhe në Cakran nuk kujtohen për meritat që kanë ata.”
Banori 3: “Atje s’ka ngelur asnjë gur nga urrejtja e komunistave.”
Hajredin Cakrani firmosi aktin e shpalljes së pavarësisë, ndërsa i vëllai Bektashi vigjëlonte me forcat e tij për të sprapsur ndonjë sulm të pritshëm nga ushtria turke. Dorëshkrimet e tij tregojnë me detaje pjesëmarrjen aktive të dy vëllëzerve në kongrese, kuvende dhe çdo event të rëndësishëm para dhe pas shpalljes së pavarësisë së vendit në nëntor të vitit 1912. Hajredin Cakrani vdiq nga shkaqe natyrore në vitin 1942, ndërsa Bektashi u pushkatua në vitin 1945 nga komunistët. Në Luftën e Dytë Botërore, Bektash Cakrani u pozicionua në krah të Ballit Kombëtar ç’ka i kushtoi jo vetëm jetën, por për pak edhe fshirjen nga historia, të veprës së tyre patriotike./abcnews.al
Përgatiti: Valbona Daci, gazetare e ABC News, Fier