TIRANË- Nënkryetari i Kuvendit Agron Gjekmarkaj, i ftuar në Real Story me gazetarin Sokol Balla analizoi situatën ku ndodhet Partia Demokratike, dhe fraskionet e saj, që vijojnë përplasjet mes tyre.
Ai e nisi analizën që në përplasjen e dhunshme të 8 janarit ku demokratët u përleshën fizikisht në selinë blu.
“Ju e filluat te një datë konkrete, që është 8 janari, dhe unë përpiqem të reflektoj mbi qëndrimet mbi ngjarjet dhe ajo ka qenë ditë shumë e keqe për PD dhe për Shqipërinë. Të gjithë vraponin drejt një vetëvrasje politike, ata që ishin jashtë dhe pse jo edhe ata që ishin brenda. Nuk besoj se kam ndryshuar shumë në qëndrimet e mia as në raport me z. Basha as në raport me z.Berisha, pas 6 marsit të para dy viteve. Në njëfarë mënyre janë më pozicionet e mia, por kam kuptuar një gjë se z. Berisha përfaqëson një shumicë relative, e dëshmoi në zgjedhjet lokale të fundit, mbi këtë mund të ketë debat dhe diskutim. Numri i bashkive të fituara ishte shumë i brishtë, shumë pak, por në tërësinë e vet, numri i votave shkon rreth 37-38 %, por në shumicë janë vota që i mori pjesa më e madhe të PD-së. Realiteti është ky: Sali Berisha nuk ikën, e kontrollon këtë pjesë, është një pjesë themelore e numrave të opozitës”, tha ai.
Ai theksoi se opozita duhet të kompaksojë numrat e saj dhe të gjejë një formulë bashkëjetese mes shumicës dhe pakicës.
“Çështja është të bëjmë opozitë apo teori opozitare, në sensin pseudo-opozitë. Po i referohemi vetes dhe s’e kam me të tjerët fare. A duhet të themelojmë një opozitë të re, dhe të mendojmë se na duhen 12 vjet për të qenë fitues apo do tentojmë të kompaksojmë numrat opozitarë, duke gjetur një formulë bashkëjetese të shumicës dhe pakicës, ku ruhet identiteti i pakicës, një pakice, e cila nesër tenton të bëhet shumicë qoftë dhe në Partinë Demokratike qoftë dhe duke ruajtur parimet e veta. Kjo mund të ndodh nëpërmjet një fraksioni me një marrëveshje të qartë, të shkruar, duke ruajtur të gjitha koherencat që ne kemi shfaqur deri më tani”, tha ai./n.m.abcnews.al

