Si të ushqeheni gjatë shtatzënisë? Daka: Mbipesha mund të çojë në lindje të parakohshme

schedule09:56 - 27 Shtator, 2021

schedule 09:56 - 27 Shtator, 2021

Mjekja nutricioniste, Albana Daka shpjegoi në rubrikën “Abc-ja e shëndetit” regjimin ushqimor që duhet të ndjekin gratë shtatzëna. Për moderatorin Alban Musa, doktoresha tha se gjëja më e rëndësishme është që nënat të heqin dorë nga miti se në shtatzëni duhet të hanë për dy, por të kujdesen t’i sigurojnë vetes dhe fëmijës elementët e domosdoshëm në mënyrë që fëmija të zhvillohet i shëndetshëm, pa marrë kile të shumta.

Sipas saj, regjimi ushqimor është specifik në varësi të nënës dhe vendoset në konsultim me mjekun. Në rastin e nënave mbipeshë, Daka theksoi se treguar një kujdes i shtuar pasi ekziston rreziku i lindjes së parakohshme.

“Kemi shumë risqe, një grua mbipeshë mund të ketë lindje të parakohshme. Nëse kemi diabet të shtatzënisë, mund të kemi dhe një fëmijë mbipeshë dhe në vazhdimësi mund të vazhdojë të bëhet kandidat për shumë sëmundje. Te nëna mbipeshë, kur kemi diabet të shtatzënisë duhet ta monitorojmë shumë mirë për të mos instaluar një diabet më pas.”, tha Daka.

Cili është regjimi që duhet të ndjekin?  Doktoresha thotë se frutat dhe perimet janë thelbësore në regjimin që duhet të ndjekin shtatzënat. Nuk duhen harruar as ushqimet e pasura me hekur dhe kalcium, dy elementë thelbësorë për zhvillimin e fëmijës. Gjatë shtatzënisë duhen përfshirë dhe ushqimet që përmbajnë omega 3.

“Parimi është që gjatë shtatzënisë, krahas kujdesit për të parandaluar keq formimet apo sëmundje gjenetike, një vend të rëndësishëm zënë dhe sëmundjet infektive, parazitoze apo nga bakteret e ndryshme që ndodhin si pasojë e moskujdesit në higjienë gjatë regjimit ushqimor. Kemi rritje për t’u prekur nga toksoplazoma, një sëmundje infektive që merret nga perimet krudo nëse nuk janë të lara mirë, listeria, salmonella, që mund të merret nga përdorimi i vezës pa u zier apo skuqur dhe nga pula.

Prandaj gjatë shtatzënisë, fokusohet një vëmendje shumë e veçantë në higjienën e perimeve dhe frutave dhe ushqimeve të gatuara mirë. Rekomandohet që frutat e detit të mos përdoren fare. Peshku të jetë i gatuar shumë mirë dhe mishi gjithashtu. Djathi duhet të jetë i stazhionuar, qumështi pa laktozë, kosi mund të përdoret normalisht. Mishi i kuq jo më shumë se dy herë në javë.”, shpjegoi Daka.

/abcnews.al