Si të ripërtërihet roli i OKB në botën e sotme

schedule22:00 - 24 Tetor, 2020

schedule 22:00 - 24 Tetor, 2020

Nga Madeleine Albright & Ibrahim Gambari “Project Syndicate”

Komuniteti ndërkombëtar ka nevojë urgjentisht për mjete, ide dhe iniciativa të reja për të adresuar kërcënimet dhe sfidat e përbashkëta, me të cilat përballen 193 vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara.

75 vjetori i këtij organizmi botëror, paraqet një mundësi shumë të mirë për të hartuar një rrugë drejt partneriteteve që na duhen, për të qenë në lartësinë e sfidave me të cilat do të përballemi në vitet dhe dekadat e ardhshme.

Në vazhdën e pandemisë së Covid-19 – kriza më e kushtueshme dhe më e madhe që nga Lufta e Dytë Botërore – nevoja për rinovimin dhe rimëkëmbjen e institucioneve ndërkombëtare është e dukshme.Ndër kërcënimet dhe sfidat më ogurzeza, përtej pandemisë, janë një klimë globale në ndryshim të shpejtë, konfliktet e dhunshme dhe zhvendosja në shkallë të gjerë e popullatës në shtete të brishta, dhe sulme të sofistikuara kibernetike.

E përbashkëta e këtyre sfidave, është se ato janë përtej aftësisë së çdo vendi për t’i zgjidhur vetë. Ndaj bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor. Por ky bashkëpunim po rrezikohet nga një ringjallje e nacionalizmit, që kërcënon vetë strukturën e rendit ndërkombëtar të ndërtuar treçerek shekulli më parë.

Nacionalizmi në rritje,krijon një rrezik serioz, që strukturat dhe institucionet e sistemit të OKB, të cilat kanë nevojë për përtëritje, të lihen të degradojnë apo edhe shpërbëhen. Një rezultat i tillë do të ishte tragjik, jo vetëm për ato institucione por për të gjithë njerëzimin.

Ne besojmë se ka edhe një rrugë tjetër. Për të ndihmuar në promovimin e përgjigjeve të përbashkëta mbi problemet më të ngutshme globale të sotme, ne jemi të kënaqur t’i japim mbështetjen tonë “Udhërrëfyesit për të Ardhmen që Duam dhe OKB që Duam”, prezantuar muajin e kaluar nga presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB, në Forumin Global të Qeverisjes UN75 .

Duke mbrojtur politikat e jashtme të vendeve tona, si përfaqësues të tyre në Nju Jork, dhe duke i vendosur ato në krye të ministrive tona të jashtme, ne e dimë nga përvoja se idetë origjinale nga palët e jashtme të interesuara, mund të ndihmojnë në ecjen përpara të organizatave komplekse shumëpalëshe drejt rezultateve pozitive.

Individët dhe organizatat nga e gjithë shoqëria civile globale kanë një shans, gjatë kremtimit të themelimit të OKB, që të ndihmojnë në këtë proces. “Diskutimi Global”i Sekretarit

të Përgjithshëm, ka angazhuar tashmë mbi një milion njerëz në të gjithë botën përmes sondazheve, sondazheve zyrtare dhe qindra dialogëve.

Diskutime dhe debate të tilla, shërbejnë si një kujtesë se sistemi i OKB gjatë dekadave të fundit, ka ofruar mbështetje jetike për njerëzit në nevojë, ka mbrojtur të drejtat themelore të njeriut, ka garantuar një zhvillim të qëndrueshëm, dhe ka parandaluar një Luftë të Tretë Botërore.

Nëse të gjitha vendet anëtare veprojnë siç duhet sipas Deklaratës UN75, dhe me mbështetjen e shoqërisë civile globale, ato mund të ushqejnë një frymë të ripërtërirë të bashkëpunimit ndërkombëtar me dy qëllime kryesore:forcimin institucional dhe një rimëkëmbje të fortë dhe “të gjelbër” nga kriza që ka shkaktuar pandemia.

Në veçanti, në bashkë me partnerë të tjerë, u bëjmë thirrje udhëheqësve tëbotës që të rrisin ambicien e tyre në lartësinë e 12 angazhimeve të Deklaratës. Ata duhet të bien dakord të shtojnë secili propozime dhe plane veprimi të zhvilluara me kujdes për të forcuar kapacitetin institucional, përmirësuar politikat, dhe për të forcuar partneritetin publik-privat.

Ne gjithashtu përkrahim mbajtjen e një Samiti Botëror mbi Qeverisjen Globale Gjithëpërfshirëse, siç kërkohet në raportin e fundit të Qendrës Stimson “UN 2.0”. I parashikuar për në shtatorin e vitit 2023, samiti do të kërkojë të përditësojë dhe forcojë sistemin e qeverisjes globale, për të adresuar çështjet kryesore me të cilat përballet komuniteti ndërkombëtar, dhe të hyjënë një dialog të ri me qytetarët, për të rritur dhe rindërtuar besimin tek institucionet shumëpalëshe.

Para këtij takimi, duhet të mbahen vitin e ardhshëm 2 Samite të G20, të ngjashme me ato të mbajtura në Londër dhe Pitsburg, për të dizenjuar rrugën si të dilet nga kjo krizë, ashtu si nga kriza financiare globale e vitit 2008, duke u fokusuar tek politikat makroekonomike, sociale dhe mjedisore të koordinuara mes tyre për të promovuar një rimëkëmbje të qëndrueshme nga Covid-19.

Nga ana tjetër, këto diskutime midis udhëheqësve të ekonomive më të mëdha duhet të sinkronizohen me një strategji më të gjerë të rimëkëmbjes nga Covid-19, që kërkon miratimin nga të 193 vendet anëtare të OKB dhe mbështetjen e institucioneve financiare ndërkombëtare, Organizatës Botërore të Tregtisë dhe organeve të tjera globale dhe rajonale .

Në vitin 2015, kur Komisioni për Sigurinë Globale, Drejtësinë dhe Qeverisjen paraqiti raportin e tij UN70, Përballimi i Krizës së Qeverisjes Globale, ai parashikoi kthimin e nacionalizmit virulent, të nxitur nga emigrimi i shtuar, pabarazia ekonomike dhe udhëheqësit që dehumanizojnë të tjerët, dhe që kërkojnë me tepër të përçajnë sesa të bashkojnë.

Pesë vjet më vonë, duhet më shumë se kurrë një udhëheqje e iluminuar, e mbështetur nga ide dhe nën presionin politik nga shoqëria civile në të gjithë botën.

Duke e ringjallur bashkëpunimin për të përballuar shumë nga sfidat e sotme, ne mund të sigurojmë që “e ardhmja që duam”, për brezin e ri të sotëm dhe të gjithë brezat e ardhshëm, të bëhet e ardhmja që ne do të kemi realisht.

*Shënim: Madeleine Albright, ish-sekretare amerikane e shtetit, aktualisht ambasadore e SHBA në Kombet e Bashkuara. Ibrahim Gambari, një ish-ministër i Jashtëm i Nigerisë dhe ambasador në Kombet e Bashkuara.

**Përktheu Alket Goce-Abcnews.al