Si të mbrohemi nga alergjitë? Mjekja thirrje qytetarëve: Tregoni kujdes me ekspozimin në diell

schedule18:07 - 23 Qershor, 2023

schedule 18:07 - 23 Qershor, 2023

TIRANË- Ekspozimi në temperatura të larta dhe në rrezet e diellit mund të shoqërohen me alergji. Ky është një nga paralajmërimet që japin bluzat e bardha për qytetarët, të cilët i drejtohen plazhit për të kaluar pushimet.

Mjekja alerologe, Maria Zoto, tha për “News Line” se personat që nuk janë ekspozuar për një kohë të gjatë në diell, rrezikojnë të preken nga alergjitë, ndaj apeloi të tregohet kujdes i shtuar.

“Ka alergji nga dielli dhe më shumë është shfaqur tek të rriturit, tek personat që kanë pasur një mungesë ekspozimi të gjatë nga dielli. Ndoshta favorizuar edhe kjo pranverë e gjatë e këtij viti me vranësira,dhe tani befas del dielli. Personat që e kanë këtë tendencë dhe që preken nga dielli janë më të rrezikuar nga dielli”, tha ajo.

Por, çfarë rekomandohet dhe si duhet të veprojmë në të tilla raste? Mjekja u shpreh se qytetarët duhet të përdorin më shumë dhe më shpesh krem mbrojtës. Gjithashtu ajo tha se një zgjidhje tjetër është që të shmanget ekspozimi në diell gjatë pikut të vapës. Mjekja po ashtu rekomandoi që kjo kategori qytetarësh, që rrezikojnë nga alergjitë e shkaktuara nga dielli duhet t’i lënë pushimet në një kohë të dytë, kur rrezet e diellit të dobësohen.

“Unë rekomandoj për të gjithë grup-moshat mbrojtje nga diell. Lyerje me krem mbrojtës në çdo dy orë. Personat që kanë alergji nga dielli, është e mira ta shmangin plazhin në këtë periudhë dhe mund të lënë ekspozimin në diell për nga fundi i gushtit dhe fillimi i shtatorit, ku bie forca e diellit. Duhet të ekspozohen në orët që ka më pak diell, të mbrohen me krem mbrojtës.”, tha ajo.

Ajo tha se alergjia nga dielli ka disa simptoma, të cilat nuk duhen neglizhuar. Sipas mjekes, personat që marrin antibiotikë rrezikojnë të preken nga alergjia dhe në këtë kuadër këshillohet që të shmanget ekspozimi në diell.

“Është një skuqje më e shprehur se djegia, që fillon dhe kruhet dhe që mund të shfaqet pas disa orësh. Kemi irritim të lëkurës në të gjitha zonat e ekspozuara nga dielli. Mund të shtoj këtu, ka edhe raste, që alergjinë nga dielli e favorizojnë disa antibiotikë dhe kur i marrim këto antibiotikë nuk duhet të ekspozohemi në diell”, u shpreh ajo./ n.m.abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!