Sondazh

Në SPAK nis epoka Braho:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Si të mbahet gjallë ëndrra e anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit

schedule10:39 - 14 Qershor, 2022

schedule 10:39 - 14 Qershor, 2022

Nga Clare Nuttall “Intellinews

Pëktheu: Alket Goce-abcnews.al

Pushtimi rus i Ukrainës, ka konfirmuar atë që i druheshin shumë njerëz:Rusia po përpiqet të zgjerojë në mënyrë agresive praninë e saj në ato që ajo i sheh si sferat e saj të ndikimit, dhe këtu përfshihet edhe Ballkani Perëndimor.

Zgjerimi i BE-së në këtë rajon, që është ngadalësuar ndjeshëm nga varfëria e tij në raport me pjesët e tjera të Evropës dhe konfliktet e vjetra të pazgjidhura, është një mënyrë për të eksportuar stabilitet dhe prosperitet. Por edhe para luftës aktuale, mosmarrëveshjet politike e kishin penguar përparimin drejt unionit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në kushtet kur nuk ka më shumë qartësi se më parë, se si duhet të zgjidhen këto probleme, lind pyetja:A mund të gëzojë rajoni një pjesë të përfitimeve nga anëtarësimi në BE, në një kohë që po zgjidhen këto ndarje politike?

Ideja e realizimit të një lloj gati-anëtarësimi, apo dhënia e disa prej përfitimeve të anëtarësimit shteteve që presin të hyjnë në BE, ka qarkulluar prej disa kohësh. Ajo është një temë politikisht e ndjeshme, pasi ka një rezistencë ndaj saj nga ana e anëtarëve aspirantë të BE-së, për sa kohë që shihet si një alternativë potenciale ndaj anëtarësimit (në vend të një hapi në rrugën drejt anëtarësimit të plotë).

Por ky koncept u rikthye në tryezën e diskutimeve pasi fillimisht Ukraina, më pas Gjeorgjia dhe Moldavia depozituan aplikimet tyre për anëtarësim, duke iu bashkuar radhës së bashku me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, që ndodhen prej vitesh në faza të ndryshme të këtij procesi.

Mbi këtë koncept janë paraqitur një sërë variacionesh, por ajo që kanë të përbashkët, është fakti që kandidatët mund të ndajnë disa nga përfitimet e anëtarësimit në BE, si qasja në tregjet e BE-së dhe më shumë fonde për zhvillim, ndërsa progresi drejt anëtarësimit të plotë mbetet i kushtëzuar nga reformat.

Me afrimin e mbledhjes së samitit të BE-së të datës 23 qershor, në të cilën do të merren vendime shumë të rëndësishme jo vetëm për shtetet kandidate, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe për 3 shtetet e Partneritetit Lindor, presidenti francez Emmanuel Macron parashtroi idenë e krijimit të një “komuniteti politik evropian”.

Ai synon të krijojë një “hapësirë ​​të re bashkëpunimi politik, në fushën e sigurisë, energjitikës, transportit dhe investimeve në infrastrukturë” për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Partneritetit Lindor, për të qenë pjesë e një “Evrope politike” në pritje të anëtarësimit.

Potenciali për zgjerimin e përfitimeve ekonomike për shtetet aspirante, dhe mbi format e ndryshme të anëtarësimit u diskutuan në një uebinar të organizuar më 8 qershor nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare.

Një studim i ri nga ky institut dhe Bertelsmann Stiftung, arriti në përfundimin se pranimi në BE, e ka përmirësuar integrimin ekonomik rajonal në vendet anëtare të Evropës Qendrore dhe Lindore. Kështu tregtia e mallrave dhe e shërbimeve u rrit me 50 për qind.

Edhe flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte u rritën gjithashtu, por në një mënyrë më modeste. “Aspekti kryesor, përmes të cilit anëtarësimi në BE e ka përmirësuar integrimin ekonomik rajonal kanë qenë të ardhurat. PBB-ja më e lartë për frymë në rajon, e ka rritur kërkesën dhe ofertën e produkteve nga rajoni, e cila nga ana e saj ka shtuar tregtinë dhe investimet brenda rajonit.

Këto gjetje nënkuptojnë se mënyra më e mirë për të nxitur integrimin dhe zhvillimin ekonomik rajonal në Ballkanin Perëndimor, do të ishte përmes politikave që synojnë rritjen e të ardhurave, dhe se një mënyrë është rritja e transfertave të BE-së për këto vende”- thuhet në raport.

Ai rekomandon “integrimin më të madh të mundshëm të Ballkanit Perëndimor në BE, duke përfshirë qasjen e plotë në buxhetin e BE-së, me kushtëzimin e nevojshëm me reformat”. “Edhe nëse anëtarësimi i plotë është ende i largët, zgjerimi i integrimit dhe i zhvillimit ekonomik rajonal, do t’i bënte vendet e Ballkanit Perëndimor më të afta për të përmbushur kriteret e hyrjes në BE. Për më tepër, ai mund të kontribuojë edhe në zbutjen e mosmarrëveshjeve territoriale dhe kushtetuese të rajonit, të cilat përfaqësojnë disa nga barrierat kryesore për anëtarësimin në BE”- thekson më tej studimi.

Ekonomisti i Instituti të Vjenës, Branimir Jovanoviç, argumentoi në panel se “strategjia aktuale e angazhimit me Ballkanin Perëndimor nuk ka qenë shumë e suksesshme, për ta thënë këtë në një mënyrë elegante”. Maqedonia e Veriut aplikoi në vitin 2004, pra 18 vjet më parë, dhe kandidatë të tjerë aplikuan 12-13 vjet më parë, dhe nuk kanë ende perspektiva të menjëhershme për t’u anëtarësuar.

Ndërkohë të gjitha vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore që iu bashkuan BE-së, iu deshën më pak se 12 vjet nga fillimi deri në fund të procesit, dhe vetëm 8 vjet për Çekinë dhe Sllovakia. Jovanoviç theksoi se edhe përafrimi i të ardhurave në Ballkanin Perëndimor me nivelet mesatare të BE-së, ka qenë shumë i ngadaltë.

Ndërsa të ardhura e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore tashmë janë rreth 90 për qind e mesatares së BE-së, ato në Ballkanin Perëndimor janë vetëm në 30-40 për qind. Në aspektin politik, ndërsa procesi i anëtarësimit është i kushtëzuar me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe nga shtetet – më së shumti me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës – këto vende janë lënë që t’i zgjidhin kryesisht vetë ato.

Kjo qasje nuk ka qenë shumë e suksesshme as me Serbinë dhe Kosovën, dhe as me mosmarrëveshjet midis Maqedonisë së Veriut fillimisht me Greqinë, dhe më vonë me Bullgarinë. Eksperti kërkoi rritjen e transfertave buxhetore të BE-së në rajon, e cila do të sjellë nxitjen e tregtisë dhe bashkëpunimit rajonal.

Raporti tregoi se dyfishimi i transfertave vjetore nga 1 në 2 për qind të PBB-së, çon në një rritje të përgjithshme prej 14 për qind të PBB-së. Ndërkohë Dusan Reljic, kreu i zyrës së Brukselit në Institutin Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (SËP), shkoi më tej në kritikat e tij ndaj politikës perëndimore ndaj anëtarëve aspirantë të BE-së.

“Politika e BE-së dhe e SHBA-së duket se nuk po funksionon. Unë besoj se struktura aktuale e marrëdhënieve politike dhe ekonomike mes BE-së dhe rajonit po prodhon divergjencë, jo konvergjencë. Në aspektin socio-ekonomik, ne jemi dëshmitarë të krijimit të një Muri të ri të Berlinit rreth shteteve jashtë BE-së në Evropën Juglindore”- tha ai.

Reljic tha se nga fondi i rimëkëmbjes nga Covid-19, vendet anëtare të BE-së në rajon do të marrin 11 herë më shumë fonde grantesh dhe kredie sesa ato të Ballkanit Perëndimor. Edhe Hannes Swoboda, president i Institutit të Vjenës dhe ish-deputet i Parlamentit Evropian, argumentoi se duhet të shpenzohen më shumë para në rajon, duke theksuar se neglizhenca e anëtarëve aspirantë të BE-së “nuk është e justifikuar”.

“Nëse nuk do të arrijmë tek kemi një koncept të ri angazhimi, dhe të shohim hapa të dukshëm e të qartë përpara, unë parashikoj më shumë kaos, zhgënjim, dhe më shumë distancim të qytetarëve të rajonit nga BE-ja”- tha ai.

Lufta në Ukrainë i ka shtuar shqetësimet për destabilizimin e mundshëm në Ballkanin Perëndimor. Prej kohësh ka pasur paralajmërime se nëse BE-ja dështon në Ballkanin Perëndimor, do të krijojë hapësirë ​​për fuqitë rivale siç është edhe Rusia.

Ndërkohë, ndërsa rritet zhgënjimi rritet në Ballkanin Perëndimor për perspektivat e anëtarësimit në BE, 3 shtete – Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia  – i morën gjërat në duart e tyre me promovimin e nismës “Ballkani i Hapur”, që e zhvilloi samitin e tij të fundit në Ohër më datat 7-8 qershor. Nisma, së cilës deri më tani i janë bashkuar vetëm 3 nga 6 vendet, synon që të lehtësojë lëvizjen e lirë të mallrave dhe të punës brenda rajonit, me synim stimulimin e ekonomisë rajonale.

Marrë me shkurtime

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!