Nga Karen Kornbluh, Sustainable Goals
Në korrik, një video me titull “Mjekët amerikanë të vijës së frontit”, bëri bujë në të gjitha platformat kryesore digjitale. Në video, e realizuar nga uesajti Breitbart, dhe e përhapur nga grupet e konspiracioneve, pohohej se maskat e fytyrës janë të rrezikshme, se distancimi social është i panevojshëm, dhe se hidroksiklorokina është një kurë e mrekullueshme kundër Covid-19.
Ajo video mori 20 milion shikime në vetëm 12 orë vetëm në Facebook, para se të fshihej nga vetë Facebook, Tëitter dhe YouTube për shkelje të udhëzimeve të tyre. Një raport nga rrjeti “Avaaz”, zbuloi se keqinformimi global mbi çështjet e shëndetit, kishte gjeneruar 3.8 miliardë shikime në Facebook vetëm gjatë vitit të kaluar.
Por keqinformimi buron nga një numër relativisht i vogël faqesh në internet, të cilat kanë një frekuentim të lartë dhe që paraqiten si media. Dhjetë uebsajtet më ndjekura që keqinformojnë publikun, patën 4 herë më shumë klikime sesa përmbajtja në faqet e internetit të 10 institucioneve kryesore shëndetësore, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetit (OBSH) dhe Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Gjatë një pandemie të rëndë globale, kjo përhapje e shpejtë e keqinformimit mbi aspektet shëndetësore, është tërësisht e papranueshme. Një nga qëllimet më të rëndësishme të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Qëndrueshëm është SDG3(sigurimi i një jete të shëndetshme, dhe promovimi i mirëqenies për të gjithë dhe në të gjitha moshat).
Por lehtësia me të cilën përhapet në të gjithë platformat digjitale keqinformimi mbi çështjet e shëndetit publik, e sfidon direkt aftësinë tonë për të promovuar mirëqenien. Keqinformimi në internet, e ka bërë më të vështirë që profesionistët e mjekësisë të ofrojnë këshilla domethënëse për pacientët. Sipas një studimi të fundit të botuar nga Revista Amerikane e Mjekësisë Tropikale dhe Higjenës, nga janari deri në mars të këtij vitit (kur si Covid-19 ashtu edhe keqinformimi lidhur më të, ishin përhapur tek një pjesë e popullsisë), në të gjithë botën rreth 800 njerëz kishin vdekur nga Covid-19 dhe 5.876 ishin shtruar në spital si rezultat i një konspiracioni, sipas të cilit një alkooli me përqendrim të lartë mund ta vrasë virusin, ndërsa 60 njerëz u verbuan plotësisht, pasi pinë metanol si një kurë ndaj Covid-19.
Platformat kryesore të mediave sociale, kanë bërë publike përpjekjet e tyre për ta reduktuar këtë fenomen. Në mars, Facebook nisi përdorimin e etiketave paralajmëruese në 40 milion postime në lidhje me Covid-19.
Edhe YouTube hoqi disa përmbajtje keqinformuese në fillim të pandemisë. Këto kompani po punojnë gjithashtu për të përforcuar informacionin e besueshëm, duke i drejtuar përdoruesit tek informacioni i prodhuar nga burime autoritare si CDC-ja amerikane dhe OBSH.
Por siç e tregojnë të dhënat, përmbajtja e keqinformuesve mund të përhapet në të gjithë uebin, përpara se kontrolluesit e fakteve të kenë “mprehur lapsat e tyre”. Faqet që keqinformojnë në internet përhapen me shpejtësi, pasi ato u paraqiten përdoruesve si media, ndërsa publikojnë vazhdimisht përmbajtje të rreme.
Ato e paraqesin keqinformimin e tyre si opinion, për të shmangur kontrollimin e fakteve dhe për të maskuar autorësinë e tyre. “Avaaz” zbuloi se faqe si REALFarmacy.com (581 milionë pëlqime në Facebook gjatë vitit të fundit) dhe GreenMedInfo.com (39 milion), vazhdojnë të publikojnë keqinformime mbi Covid-19 në Facebook.
Dhe kjo pavarësisht kushteve të Facebook, që thonë se platforma do të bëjë publike faqet e shkelësve të ligjit, kur secila nga faqet “e tejkalon një numër të caktuar shkeljesh”. Disa faqe keqinformuese që kanë lidhje me Zhozef Merkola, një nga furnizuesit kryesorë të informacioneve të gabuara mbi Covid-19, pretendojnë më kot se “të gjithë artikujt e Merkolas kontrollohen dhe verifikohen sipas standardeve të gazetarisë të agjencisë Associated Press dhe Shoqërisë së Gazetarëve Profesionistë”.
Në fakt, shumica e pretendimeve të Merkolas mbi çështjet shëndetësore, janë hedhur poshtë nga kontrollorët e fakteve. Disa nga këto faqe, i ndërtojnë audiencat e tyre duke paguar platforma të ndryshme për t’i promovuar ato.
Më pas, përmbajtja e rrezikshme nga këto faqe merret nga faqe të tjera apo kanale si YouTube, nga ndikues me audiencë të madhe. Kështu gazetari Xhud Legum ka treguar se si 5 faqet e mëdha të Mad World News në Facebook, përhapin përmbajtje nga portalet konservatore amerikane dhe faqja e internetit “The Daily Wire”.
Infrastruktura e përhapjes së konspiracioneve, gjeneron të ardhura si për zotëruesit e faqeve, ashtu edhe për vetë platformat. Këto të fundit vendosin reklama pranë përmbajtjes konspirative. Shumë nga pronarët e këtyre faqeve, falsifikojnë produkte të ndryshme shëndetësore më qëllim pasurimin e shpejtë.
Dhe në vend që të “karantinojnë” faqet që keqinformojnë, dhe të sigurohen që shpërndarësit e tyre të mbeten të izoluar dhe të vështirë për t’u gjetur, këto platforma dështojnë shpesh të zbatojnë standardet e tyre. Edhe kur izolojnë një histori individuale konspirative, kjo ndodh shpesh vetëm pasi ajo është postuar dhe komentuar gjerësisht. Në atë moment, dëmi në shëndetin publik është bërë.
Qeveritë, platformat dhe ekspertët e shëndetit publik duhet të bëhen bashkë për t’iu kundërvënë kësaj dukurie. Së pari, si qeveritë ashtu edhe platformat, mund të ndihmojnë si të mbrohemi nga keqinformimi, përmes financimit dhe promovimit tek përdoruesit të një platformë të besueshme të pavarur në internet – një lloj BBC ose PBS (Shërbimi i Transmetimit Publik) të internetit. Ajo duhet të sigurojë një gazetari me interes publik, publikim të informacioneve korrekte mbi shëndetin publik nga burime autoritare, dhe operacione të kontrollit të fakteve.
Së dyti, platformat duhet t’i izolojnë faqet keqinformuese, që paraqiten si media duke u zotuar të kufizojnë shtrirjen e atyre faqeve në rrjet.
Së treti, grupet, ndikuesit dhe kanalet që e nxisin keqinformimin, duhet të humbasin aftësinë e tyre për ta bërë këtë.
Së katërti, platformat duhet të ndalojnë përhapjen algoritmike të informacioneve të gabuara. Platformat duhet të ndalojnë përhapjen e përmbajtjes virale, derisa të mund të përcaktojnë nëse ajo ka apo jo potencialin për të bërë dëme nëse përhapet më tej, dhe nëse është në përputhje me ligjet.
Së fundmi, për ta goditur këtë dukuri, ne kemi nevojë për një transparencë rrënjësore. Platformat duhet të kërkojnë që reklamat, faqet, kanalet, ndikuesit dhe grupet të sigurojnë transparencë shtesë se kush i financon ato. Ato duhet të zbulojnë mënyrat përmes të cilave kurohet dhe moderohet drejtpërdrejt përmbajtja në mënyrë algoritmike.
Qeveritë duhet të përditësojnë dhe përmirësojnë zbatimin e ligjeve për mbrojtjen e konsumatorit, të cilat nuk kanë arritur të ecin me zhvillimet teknologjike. Informacioni i gabuar, nuk ndalet vetëm në kufijtë kombëtarë. Prandaj çdo program kuptimplotë për të adresuar përhapjen e keqinformimit mbi shëndetin publik, duhet të mbështetet në ligjet kombëtare, por duhet të koordinohet dhe monitorohet në nivel ndërkombëtar. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al