Si të fillohet një epokë e re në marrëdhëniet BE-SHBA

schedule15:34 - 15 Dhjetor, 2020

schedule 15:34 - 15 Dhjetor, 2020

Nga Josep Borrell “Foreign Policy”

Asnjë çift tjetër në skenën ndërkombëtare nuk mund të krahasohet me partneritetin midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. As Evropa dhe as Amerika nuk do të gjejnë një partner më të madh që është më i fuqishëm dhenë linjë me vlerat e tyre.

Pas 4 viteve të vështira, ka ardhur koha për një fillim të ri. Zgjedhja e Joe Biden si president i SHBA-së  na jep mundësinë që t`a bëjmë këtë. Kjo nuk do të thotë që do të biem gjithmonë dakord, apo se kemi interesa identike. Ky nuk ishte rasti as para presidentit Donald Trump, dhe as gjatë presidencës Biden.

Ajo që kemi aktualisht është një partneritet i qëndrueshëm, i bazuar në vlera të përbashkëta dhe përvojën e dekadave të punës së përbashkët. Katër vitet e kaluara kanë qenë të vështira. Dhe ka disa arsye themelore – demografike, ekonomike dhe politike – pse trajektorja historike e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës mund të ndryshojë për mirë.

Por ne e vlerësojmë faktin që të paktën për 4 vitet e ardhshme, SHBA do të ketë një president që beson tek partneritet me aleatët e saj demokratikë. Si përfaqësuesi i lartë i BE-së  për çështjet e jashtme, mesazhi im është i qartë:Evropa dëshiron ta shfrytëzojë në maksimum këtë mundësi.

Dhe ne vijmë jo vetëm me dëshira dhe kërkesa, por edhe me oferta. Ka shumë gjëra që duhen riparuar, dhe madje edhe më shumë që duhen ndërtuar së bashku. Si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe BE-ja përballen me polarizimin dhe ndarjet social.

Ne shohim nëpër botë autokratë dhe përçarës të tjerë politikë, që po e minojnë sigurinë rajonale dhe rendin global. Ne kemi aktualisht një pandemi të Covid-19, një krizë globale të klimës, periferinë e Evropës në konflikt, dhe një rivalitet të ashpër mbi atë se kush do të shkruajë rregullat e Epokës Dixhitale.

Ajo që bie në sy, është fakti që aftësia jonë për të gjetur zgjidhje, nuk ka ecur në një hap me shpejtësinë dhe fushën e ndryshimit. Koha në politikë është relative. Ashtu si në fizikë, kjo varet nga shpejtësia me të cilin ecën: Nëse bota po ndryshon më shpejt sesa aftësia jonë për ta përballuar ritmin, atëherë në terma relativë ne mbetemi pas.

Kjo nuk mund të tolerohet më. Presidenti i zgjedhur i SHBA-së  Biden e ka nënvizuar rolin kryesor që ai sheh për një partneritet të ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe BE-së . Evropa ka idetë e veta për një axhendë ambicioze trans-Atlantike. Tani ne duhet t`a shndërrojmë atmosferën pozitive në veprime konkrete.

Për këtë qëllim, Komisioni Evropian ka propozuar një “Axhendë të re BE-SHBA për Ndryshimin Global”, për një veprim të përbashkët të fokusuar në luftën kundër Covid-19, rimëkëmbjen e ekonomive, ndryshimin e klimës, teknologjinë, tregtinë dhe standardet dhe forcimin e demokracisë në të gjithë botën.

Tani për tani, unë dua të përqendrohem në politikën e jashtme dhe të sigurisë, dhe të nënvizoj tre momente. Së pari, roli i SHBA në sigurinë evropiane është i domosdoshëm. Njëherazi, ne evropianët duhet të kujdesemi akoma më shumë për sigurinë tonë.

Prandaj, ne jemi plotësisht të angazhuar për të forcuar aftësitë evropiane të mbrojtjes dhe angazhimin tonë operativ. Sot kemi 17 operacione dhe misione të menaxhimit të krizës nga Ballkani Perëndimor, në Ukrainë, Sahel dhe më gjerë. Dhe jemi duke investuar përmes nismave të ndryshme të mbrojtjes së BE-së për përvetësimin e aftësive që na duhen.

Kjo është edhe arsyeja pse ne duhet të vazhdojmë me punën tonë për autonominë strategjike: Një Evropë e fortë dhe e aftë, nuk është një rivale e aleancës trans-atlantike por një parakusht për të. Ne kemi nevojë për hapa konkretë, si për të rritur aftësinë tonë për të vepruar, ashtu edhe për t’u bërë më elastik në fushat strategjike.

Kur bëhet fjalë për sigurinë evropiane, ne do të duhet të veprojmë së bashku, për të sjellë

të përfshirë të gjithë Ballkanin Perëndimor në strukturat euro-atlantike; të mbështesim sovranitetin e Ukrainës dhe reformat atje; të zhvillojnë një qasje të fortë dhe të qëndrueshme ndaj Rusisë; dhe për të parandaluar një distancim të mëtejshëm nga Turqia.

Në të gjitha këto raste, unë shoh një nevojë të madhe që BE dhe Shtetet e Bashkuara të punojnë shumë ngushtë me njëra-tjetrën, pasi ne mund të kemi sukses vetëm nëse veprojmë së bashku. Për më tepër, në periferinë e saj Evropa po përballet gjithashtu me një numër konfliktesh dhe tensionesh, si për shembull në Sahel, Libi dhe në Mesdheun Lindor.

Në këto3 raste, Evropa duhet të jetë e gatshme të marrë në dorë zgjidhjen e tyre, pasi këto probleme e shqetësojnë Evropën më drejtpërdrejt se sa Shtetet e Bashkuara.

Së dyti, ne e dimë që ngritja dhe rritja e agresivitetit të Kinës, dhe konkurrenca e lidhur me Shtetet e Bashkuara, do të diktojnë peizazhin global. Disa nga sfidat që përfaqëson Kina, ne duhet t’i diskutojmë bashkë edhe nëse nuk do të biem gjithmonë dakord, nga asimetritë e vazhdueshme të qasjes në treg, tek pikëpyetjet legjitime rreth 5G, dhe përpjekjet e Pekinit për të kërkuar standarde rivale në organizata shumëpalëshe, apo për të dobësuar veprimin kolektiv për të drejtat e njeriut. Dialogu i ri BE-SHBA mbi Kinën, do të sigurojë një mekanizëm kryesor për avancimin e interesave tona dhe menaxhimin e mosmarrëveshjeve tona.

Gjithashtu, BE është e gatshme të angazhohet dhe të punojë për një qasje të ekuilibruar, duke kombinuar fushat e bashkëpunimit me Kinën, siç janë ndryshimi i klimës, aty ku roli i saj si emetuesja më e madhe e dioksidit të karbonit në botë është thelbësor, dhe kthimin pas aty ku është e nevojshme.

Pavarësisht nga politikat që ndjek, ne e shohim Kinën si një partnere, konkurrente, dhe një rival sistematike. Ne jemi të qartë se me Shtetet e Bashkuara kemi një sistem politik demokratik, të bazuar në vlera themelore. Kjo do të thotë që nuk jemi në një distancë të barabartë midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Njëherazi, lidhjet e forta tregtare dhe investimet midis Evropës me Kinën janë të tilla, që ne nuk kemi asnjë interes në një strategji të shkëputjes. E gjithë kjo duhet të kombinohet me një qasje aktive të BE-së për rajonin e gjerë Indo-Paqësor, duke punuar me partnerët tanë demokratë në Azi.

Së treti, ne duhet të gjejmë një mënyrë që Shtetet e Bashkuara t’i ribashkohen marrëveshjes mbi programin bërthamor të Iranit, dhe që Teherani të kthehet ta respektojë plotësisht atë. Marrëveshja qëndron ende si një pikë referimi e një diplomacie të suksesshme.

Ne kemi punuar shumë për ta ruajtur atë, dhe ajo ka sjellë përfitime të qarta. Falë marrëveshjes, programi bërthamor iranian është ende poshtë nivelit të dikurshëm,para se

të binte dakord për paktin. Por marrëveshja bërthamore gjendet sot nën një presion të madh. Largimi i Shteteve të Bashkuara, zvogëloi shumë përfitimet e pritura ekonomike për Iranin, dhe kjo është arsyeja se përse marrëveshja nuk mundi të zhvillonte asnjëherë potencialin e saj të plotë.

BE dhe SHBA duhet t’i japin përparësi mënyrave, për t`u siguruar që marrëveshja të zbatohet plotësisht nga të gjithë, duke rindërtuar kësisoj besimin midis të gjithëve. Pasi të arrihet kjo gjë, ne duhet të jemi të gatshëm të ndërtojmë mbi këtë sukses, dhe të gjejmë mënyra për të adresuar shqetësime të mëtejshme rajonale të sigurisë.

Jam i bindur se zgjidhja e vetme afatgjatë për destabilitetin kronik është një zgjidhje

rajonale. Sigurisht, ka shumë çështje dhe përparësi të tjera të politikës së jashtme. Por le të përqendrohemi tek këto të tria, duke i përdorur ato për të “ndezur” motorin e bashkëpunimit Trans-Atlantik. Sa më shumë larg të shkojmë, aq më ambiciozë mund të bëhemi. / Perktheu Alket Goce-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!