E ndërsa të dhënat epidemiologjike në Europë për momentin tregojnë një pamje më të mirë, mutacioni “Delta” i zbuluar për herë të parë në Indi po përhapet me shpejtësi në të gjithë kontinentin e vjetër.
Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve mutacioni “Delta” është 40 deri 60% më ngjitës se varianti fillestar dhe gjithnjë e më shumë vende po përballen me këtë kërcënim të ri.
Vendi më i goditur është Britania, ku mutacioni “Delta” ka dominuar në vetëm disa javë. Në 24 orët e fundit në Britani 18,270 njerëz u zbuluan pozitivë për virusin, me numrin e rasteve që ishte më i larti pas 5 shkurtit ku u regjistruan 19,144 raste.
“Delta” gjithashtu po dominon në Portugali dhe Rusi, ndërsa në Izrael rastet arritën nivelin më të lartë që nga 5 maji me vendin që rivendosi përdorimin e detyrueshëm të maskës në ambientet e brendshme.
Sipas shkallës aktuale të transmetimit, mutacioni “Delta” pritet të përbëjë 70% të të gjitha rasteve të reja në Europë deri në fillim të gushtit. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandoi që personat e vaksinuar të përdorin një maskë dhe të respektojnë rregullat.
Përveç kësaj, shkencëtarët po japin alarmin, duke bërë thirrje për intensifikimin e vaksinimeve. Heqja e masave kufizuese në Evropë tani nga një pjesë e shkencëtarëve është konsideruar se “mund të çojë në një rritje të shpejtë dhe të ndjeshme të infeksioneve në të gjitha grupmoshat me një rritje relative të shtrimeve në spital dhe vdekjeve“. d.b/Abcnews.al