Si po i shtyp Irani protestuesit, dhe si duhet të reagojë bota

schedule13:32 - 26 Shtator, 2022

schedule 13:32 - 26 Shtator, 2022

Nga Michael Rubin “19 Forty Five

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Në Iran vazhdojnë protestat pas vdekjes në ambientet e paraburgimit të Mahsa Amini, 22-vjeçares iraniane, e arrestuar për “krimin” e mos-mbajtjes së duhur të mbulesës në fytyrë dhe shfaqjes së tepërt të flokëve. Arrestime të tilla për arsye morale, janë të zakonshme në këtë vend.

Kur isha student në një lagje të pasur në Teheranin Verior, ku shumë gra “e mbanin keq hixhabin”, duhej të ecja ndoshta 15 minuta në këmbë deri në një kryqëzim të madh, ku merrja një taksi bashkë me disa të tjerë për të shkuar në qendër të qytetit.

Në disa raste, kalimtarët u pëshpëritnin femrave që ecnin në të njëjtin drejtim me ta, që të kishin kujdes pasi pak më tej kishte një “Hezbollah“, një pikë kontrolli ku policia e moralit ishte duke arrestuar disa gra. Shpeshherë postblloqet kishin më pak të bënin me zbatimin e kodit social të Ajatollahëve, dhe më shumë me korrupsionin.

Pasi shumë shpesh policia e moralit, e përbërë shpesh nga pjesëtarë të segmenteve më të varfra të shoqërisë në Teheranin Perëndimor apo periferitë jugore, kërkonte para për të parandaluar ndalimin. Ata që refuzonin të paguanin futeshin në një furgon policie dhe transferonin në një komisariat ku do të rritej norma e ryshfetit.

Ndërsa ata që nuk janë të lidhur diplomatikisht apo financiarisht me regjimin e liderit suprem Ali Khamenei i mbështesin protestuesit, vetëm mendimi i dëshiruar s’do të sjellë suksesin e lëvizjes. Republika Islamike përdor një sërë strategjish për të shtypur vullnetin popullor.

Irani ka qenë ndër shtetet e para në Lindjen e Mesme që lejoi depërtimin e internetit. Kur shkova për herë të parë në Republikën Islamike në vitin 1996, survejimi ishte ende tradicional. Edhe pse ekzistonin disa pajisje elektronike, shërbimet e sigurisë mbështeteshin tek inteligjenca njerëzore.

Ata paguanin punonjësit në internet-kafe për të përgjuar se çfarë uebsajtesh hapnin qytetarët, apo menaxherët për të regjistruar historitë e kërkimit. Gjërat ndryshuan në vitin 1999, kur Republika Islamike përjetoi protestën e saj të parë mbarëkombëtare që nga Revolucioni Islamik.

Shkëndija e asaj lëvizje ishte një sulm mbi një konvikt studentor në qendër të Teheranit. Disa orë më herët, studentët kishin protestuar paqësisht kundër mbylljes së një gazete të njohur. Gardistët revolucionarë të veshur me rroba civile hynë në konvikt, vodhën dhe shkatërruar sendet e studentëve dhe i dhunuan brutalisht ata, duke vrarë të paktën njërin prej tyre.

Zemërimi dhe shpejtësia me të cilën u përhapën protestat e tronditën regjimin. Madje i kapi në befasi iranianët. Rastësisht në atë kohë isha sërish në Teheran. Mbyllja e shërbimit të telefonisë celulare nuk ndihmoi në shuarjen e protestave. Milicia paraushtarake, Basij, nisi të godiste krerët e lëvizjes.

Por operacioni dështoi, pasi iranianët u kundërpërgjigjën. Duke përdorur një forcë të madhe policore dhe ushtarake, regjimi arriti të spastrojë sheshet dhe rrugët nga protestuesit, por ajo ngjarje i tronditi shumë forcat e sigurisë. Ndaj regjimi i kërkoi ndihmë Kinës për ta ndihmuar me teknologjinë e njohjes së fytyrës.

Kur 2 vite më vonë protestat shpërthyen sërish, pas zërave se regjimi e detyroi ekipin iranian të futbollit që shmangte një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës për të penguar burrat dhe gratë të festonin së bashku në rrugë, regjimi reagoi duke i fotografuar protestuesit. Më pas i arrestoi ata njëri pas tjetrit disa ditë dhe ndonjëherë dhe disa javë më vonë.

Ndalimet ndodhnin në mesnatë kur njerëzit ishin në gjumë. Pjesa më mizore  asaj strategjie ishte ajo që regjimi u bënte të arrestuarve. Shpeshherë për ta jepeshin ndëshkime shumë të ashpra. Në shumë rase pasi policia i çonte në burgun Evin, ku torturoheshin nga forcat e sigurisë.

Shumë burra dhe gra raportuan për rrahje, përdhunime dhe tortura të tjera si futja me forcë e kokës tek jashtëqitjet. Por regjimi nuk ndalej me aq. Përkundrazi, në disa raste do t’i linte të burgosurit të lirë për një fundjavë apo ndoshta më gjatë. Ata ktheheshin në shtëpi ku jo vetëm familja e tyre, por edhe miqtë dhe shokët e klasës mund të vinin re se miqtë dhe të dashurit e tyre ishin fizikisht dhe mendërisht jo ata që kishin njohur vetëm disa javë më parë.

Mesazhi ishte i qartë:kalojeni vijën e kuq, dhe ky njeri mund të jeni ju. Por shumë shpejt udhëheqja e regjimit vuri re se pavarësisht përpjekjeve, shkalla e protestave po rritej. Në vitin 2007, Mohammad Ali Jafari mori drejtimin e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike. Ai e vlerësoi çështjen e sigurisëndryshe nga paraardhësi i tij Yahya Rahim Safavi, që sot shërben si këshilltar special i Khameneit për çështjet ushtarake.

Jafari besonte se kërcënimi i brendshëm ndaj regjimit, ishte më i madh nga ai i fuqive të jashtme, sidomos pas ekzekutimit me varje në litar të presidentit irakian Saddam Husein. Prandaj Jafari e riorganizoi Gardën Revolucionare për të vendosur një njësi në çdo krahinë, të ngarkuar me misionin e ruajtjes së sigurisë atje.

Në vitin 2009, strategjia e riorganizuar kundër protestave funksionoi. Sot kjo gjë mbetet e paqartë. Ndërkohë, regjimi ka përdorur edhe një strategji të arrestimit parandalues ​​të atyre, aktivizmi i të cilëve mund t’i kalonte vijat  kuqe sociale dhe ekonomike. Kjo është arsyeja kryesore pse regjimi ka vënë në shënjestër aktivistët e mbrojtjes së mjedisit dhe sindikalistët.

Kur flitet për sigurinë, regjimi ka një marrëdhënie dashurie-urrejtjeje me internetin.  Ngadalësimi i internetit dhe ndërprerja e lidhjeve në faqet e rrjeteve sociale mbetet thelbësor për strategjinë e këtij regjimit. Nga këtu buron edhe rëndësia që ka aftësia e Elon Musk për të krijuar një rrjet komunikimi alternativ.

Njëkohësisht, duke nisur me protestat ekonomike të vitit 2018, regjimi u përpoq të përdorte Tëitter për të përpiluar një listë me identitetin e drejtuesve të protestës, të cilin kishin maskuar fytyrat e tyre për të penguar identifikimin. Mania e qeverisë për kontrollin e informacionit, nuk bazohet thjesht tek synimi për t’i mohuar protestuesve aftësinë e koordinimit.

Por për kryer krime kundër njerëzimit, duke qenë jashtë vëmendjes ndërkombëtare. Edhe pse regjimi është bërë më i sofistikuar në shtypjen e protestave, forca brutale mbetet alternativa e fundit. Për këtë ka një precedent historik. Reza Khan, në atë kohë një oficer i Kozakëve Persianë në shërbim të Shahut Ahmad Shah, u bë i njohur duke arritur rivendosjen e rendit në provinca pas dekadash kaosi.

Më pas në vitin 1925, ai e rrëzoi mbretin e tij dhe u ngjit vetë në fron. Ndërsa britanikët e detyruan të largohet në fillimin e Luftës së Dytë Botërore për shkak të simpatisë së tij ndaj nazistëve, djali i tij Mohammad Reza, shahu që rrëzua në Revolucionin Islamik të vitit 1979,  ndoqi të njëjtën  rrugë për të rivendosur rendin pas një sërë incidentesh separatiste në fund të viteve 1940.

Republika Islamike e sapokrijuar do të shënjestronte Kurdistanin iranian në vitet pas Revolucionit Islamik, duke përdorur akoma më shumë brutalitet për të nënshtruar kurdët.

Nuk është rastësi sot që kurdët kanë pësuar numrin më të madh të viktimave në protestat e vazhdueshme.

Republika Islamike nuk do të bjerë pa luftë. Ndërsa lufta u takon vetë iranianëve, dhe nga jashtë nuk mund të imponohet asnjë lloj suksesi, nëse protestuesit duan të kenë sukses, ata kanë gjithsesi nevojë për mbështetje morale dhe teknike. Starlink i Musk është një fillim i mbarë.

Sindikatat ndërkombëtare mund t’i mbështesin punëtorët iranianë me fonde për organizimin e grevave, në mënyrë që punëtorët iranianë ta paralizojnë regjimin duke vazhduar të ushqejnë familjet e tyre. Është gjithashtu thelbësore të mos i bëjmë asnjë dëm lëvizjes:nga lehtësimi i sanksioneve përfiton direkt Garda Revolucionare.

Është koha për një pauzë, ose për një rikthim tek presioni maksimal. Është gjithashtu thelbësore të vijojë qarkullimi i informacioni nga Kurdistani në Kish dhe nga Bushehr në Baluchistan, në mënyrë që protestuesit të shohin se janë pjesë e një lëvizjeje shumë më të madhe, dhe që torturuesit e tyre ta kuptojnë se do të japin llogari për çdo abuzim.

Shënim:Dr.Michael Rubin, anëtar në think-tankun American Enterprise Institute (AEI). Autor dhe bashkëautor i disa librave mbi diplomacinë, historinë iraniane dhe kulturën arabe.