Analistët amerikanë janë të bindur se me shkarkimet dhe me emërimet e fundit, administrata e Trump mund të konsiderohet si një administratë ushtarake. Madje në Uashington thonë se këto shkarkime do të vazhdojnë.
Shkarkimi i Rex Tillerson mund të shihet në një këndvështrim më të gjerë, që prek dhe zgjidhjet strategjike dhe jo vetëm njerëzit e presidentit amerikan. Nga ekonomia e deri tek politika e jashtme, Trump tashmë është gati që të imponojë nacionalizmin e tij ndaj Amerikës dhe botës. Ose të paktën do të përpiqet ta bëjë këtë.
Një paralajmërim për shkarkimin, Reks Tillerson e mori disa ditë më parë kur kreu i stafit të presidentit i tha që të shkurtonte vizitën në Afrikë, pasi mund të merrte një mesazh në Twitter. Dhe ishte pikërisht me një mesazh në Twitter që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës i komunikoi vendimin ish-sekretarit të Shtetit. Trajtimi brutal konfirmoi marrëdhëniet e këqija mes të dyve. Tillerson nga ana e tij nuk e ka mohuar asnjëherë, që e ka quajtur hajvan presidentin, duke u bërë hallka e fundit e zinxhirit të pushimeve nga puna, që nisën menjëherë pas uljes së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Por në folklorin politik, vendimi i fundit tregon një zhvillim më të gjerë dhe të thellë, me pasoja në politikën e administratës amerikane.
Pas më shumë se një viti në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump po ndërton një skuadër, që ka të njëjtin këndvështrim me të për një botë nga e cila duhet të mbrohen duke ndjekur moton: Amerika e para! Është një kthesë, që i përket si frontit të politikave të jashtme ashtu dhe atij ekonomik.
Shkarkimi i Rex Tillerson ishte i paevitueshëm edhe për analistët që kishin besuar në influencën e moderuar e ish-kreut të Exxon. Tillerson përfaqësonte një linjë mbrojtjeje ndaj ideve të kreut të Shtëpisë së Bardhë, që shpesh kanë qenë virtual si mesazhet e tij në Twitter.
Por Presidenti dhe sekretari i Shtetit kishin mendime të ndryshme pothuajse për gjithçka, që nga Irani e deri te Koreja e Veriut apo Rusi. Dhe kontrasti me Shtëpinë e Bardhë, në vend që të përmirësonte politikën e jashtme amerikane, ka ridimensionuar peshën e Departamentit të Shtetit, të braktisur në duart e një sekretari pa eksperiencë në këtë fushë.
Emërimi i Mike Pompeo rivendos në funksion makinerinë e diplomacisë amerikane. Por në drejtimin e saj do të jetë një fajkua, si e kanë pagëzuar mediat amerikane, i cili ka të njëjtën linjë të ashpër të Trump për shumë dosje, në radhë të parë për marrëveshjen bërthamore me Iranin. Fati i kësaj marrëveshjej do të vendoset përfundimisht javët e ardhshme. Hyrja e tij në Departamentin e Shtetit nuk është sinjal për uljen e tensioneve, të paktën, sipas Teheranit dhe jo vetëm, madje media zyrtare e Partisë Komuniste në Kinë e komenton me një fjali këtë emërim të ri: Për ne ndryshon shumë pak, sepse Tillerson nuk ndikonte në marrëdhëniet mes dy vendeve”. Por Trump do të ketë pranë një njeri shumë besnik dhe që e sheh botën njësoj si ai.
E njëjta gjë mund të thuhet dhe për emërimin e Gina Haspel, gruaja e parë që drejton CIA-n dhe e para që disa vite më parë drejtonte një nga burgjet sekrete në Tajlandë, burg ku praktikoheshin tortura. Kolegët e njohin si “Bloody Gina” (Xhina e përgjakshme) dhe ajo u përpoq të fshihte çdo gjurmë të së kaluarës dhe pse nuk e mohoi asnjëherë. Sepse ashtu si presidenti dhe sekretari i ri i Shtetit, dhe drejtoresha e re e CIA-s vlerëson se një dozë e moderuar torturash është një përbërës i domosdoshëm për mbrojtjen e sigurisë kombëtare.
Por në Uashington flitet se shkakrkimet nuk përfundojnë këtu, dhe personi i radhës që do të dalë nga skena mendohet të jetë gjenerali H. R. McMaster, shumë i ashpër me Presidentin. Në vendin e tij një tjetër shumë i besuar i Trump, John Bolton, bashkëpunëtor i ish-presidentit Bush.
Por gjithsesi nuk është vetëm një çështje emrash. Shkarkimet e Trump në kundërshtim me traditën presidenciale amerikane bëjnë akoma më të dukshme risitë në fushën ekonomike, ku taksat e reja për hekurin dhe aluminin çuan në dorëheqjen e drejtorit të Këshillit Ekonomik Kombëtar, Gary Cohn, këshilltari i parë i Presidentit për çështjet ekonomike.
Analistët shkojnë dhe më tej duke e cilësuar si një qeveri ushtarake, administratën e re të Trump.
Emërimi i Pompeo për të drejtuar politikën e jashtme plotëson ekipin e personazheve me kompleksin ushtarak të aftë për të influencuar në mënyrë vendimtare në Shtëpinë e Bardhë. Nuk është një risi, pasi që në vitin 1961, presidenti Ajzenauer, në fjalimin e tij të lamtumirës paralajmëronte amerikanët për rrezikun e vendosjes së pushtetit në duart e njerëzve me uniformë dhe prodhuesve të armëve. Ai që kishte drejtuar ushtritë aleate kundër Hitlerit. Më pas ushtarë të tjerë morën poste të larta drejtuese: Alexander Haig (sekretar Shteti me Regan), Brent Scoucroft (këshilltar për Sigurinë Kombëtare me Ford e Bush), Colin Pouell (sekretar Shteti me Bush).
Po në presidencën Trump, ushtarakët ishin ata që fituan Shtëpinë e Bardhë. John Kelly, shefi i stafit; James Mattis, ministër Mbrojtje; Joseph Dunford dhe Herbert Raymond McMaster, këshilltarë për Sigurinë Kombëtare. Tre të parët janë ish-gjeneralë marine dhe i katërti një ish-gjeneral ushtrie. Atyre u shtohet Pompeo, i cili, përveç se është një diplomat i akademisë ushtarake të Uest Point ka qenë dhe një industrial i sektorit aero–hapësinor para se të bëhej pjesë e të djathtës republikane. Si politikan, Pompeo ka mbrojtur “Patriot Act”, që lejon përgjimin e komunikimeve mes qytetarve amerikanë, ka kritikuar marrëveshjen me Iranin për programin bërthamor, është kundër mbylljes së Guantanamos dhe cilëson si patriotë agjentët e CIA të akuzuar për tortuar ndaj të burgosurve.
Pra shtëpia e Bardhë është tashmë një administratë ushtarake ngrenë alarmin analistët. Duke bërë që politika e jashtme amerikane të bëhet gjithnjë e më shumë agressive. Kërcënimi për prishjen e marrëveshjes së arritur me Iranin në 2015-n, kërcënimi ndaj Koresë së Veriut, çështja e Jeruzalemit, impenjimi ushtarak në Siri, taksat për importin me Bashkimin Europian, paralajmërimi për të shkurtuar buxhetin për NATO-n dhe përballja me Kinën janë vetëm disa nga karakteristikat e administratës së projektuar nga Trump.
Ka nga ata që pyesin nëse dhe polemikat mes Mbretërisë së Bashkuar ndaj Moskës për shkak të helmimit të ish-spiunit rus, mund të jetë parathënia e një ofensive të koordinuar kundër Rusisë.
Nëse Londra dhe Uashingtoni, tradicionalisht aleatë, të vendosnin për të bojkotuar kampionatin botëror të futbollit në Rusi, cfarë do të bënin vendet europiane?
Politika ndërkombëtare amerikane ka hyrë në një tokë të panjohur ku busulla e presidentit është në duart e Pompeos i cili është shumë i ngjashëm me Trump në temperament.
Një personazh që nuk do të bëjë asgjë për të përmbajtur deklaratat dhe vendimet e presidentit, përkundrazi do i mbështesë dhe mund ta shtyjë për më shumë. E kundërta e asaj që u përpoq të bënte Tillerson.
Me daljen nga skena të Tillerson, i vetmi sekretar që konsiderohet i pjekur nga analistët është Mad Dog Mattis, sekretari i Mbrojtjes, një ushtarak që e di shumë mirë se e vetmja zgjidhje për Afganistanin është rruga e diplomacisë. Por ende nuk dihet nëse do të mund të bëjë kundërpeshën ndaj dyshes Trump-Pompeo.
Por përse Trump vazhdon të largojë njerëzit që e ngjitën në Shtëpinë e Bardhë?
Sipas mediave amerikane, Rex Tillerson nuk ka asnjë lloj simpatie për Rusinë dhe kjo mund t’i ketë kushtuar postin. Në fakt, deklarata e tij e fundit ishte: “Nga Ukraina në Siri, e tashmë Mbretëria e Bashkuar. Rusia vazhdon të jetë një forcë e papërgjegjshme në botë, duke vepruar pa asnjë vlerësim për sovranitetin e shteteve të tjera dhe jetën e qytetarëve të tyre”.
Që kur Donald Trump është në krye të shtëpisë së Bardhë, ky është dënimi i më fortë amerikan ndaj sjelljes ruse. Vetëm se nuk erdhi nga presidenca amerikane por nga kreu i diplomacisë që me sa duket veproi pa u konsultuar me Trump. Ky i fundit e shkarkoi vetëm pak orë pas deklaratës në fjalë.
Por cilat janë disa nga shkarkimet dhe dorëheqjet në administratën amerikane që nga marrja e presidencës nga ana e Trump. Aktualisht numri i të larguarve me apo pa dëshirë është 25:
Reks Tillerson është vetëm i fundit në radhë nga bashkëpunëtorët e Donald Trump, i cili që nga fillimi i presidencës së tij janë pushuar nga puna ose kanë dhënë dorëheqjen.
Marrëdhëniet mes Trump dhe Tillerson prej muajsh nuk ishin të mira dhe burime të ndryshme brenda Departamentit Amerikan të Shtetit konfirmonin mundësinë e zëvendësimit të tij.
Tillerson nuk ka folur më me kreun amerikan të shtetit që nga pushimi nga puna dhe injoron arsyet e këtij vendimi, ndërsa përplasjet më të forta mes tyre kishin të bënin me politikën e jashtme.
John McEntee – Asistenti personal i Trump.
Asistenti personal i Trampu pushua nga puna në 12 Mars për një problem sigurie, që nuk u bë asnjëherë publik.
Gary Cohn – Drejtor i Këshillit Ekonomik Kombëtar.
Në 7 Mars të 2017-s, Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se këshilltari kryesor ekonomik i Trump kishte dhënë dorëheqjen. Kohn një mbështetës i tregtisë së lirë në këtë mënyrë u mënjanua nga politikat e Tramp për vendosjen e taksave për hekurin dhe aluminin.
Josh Raffel – Zëvendësdrejtor i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë.
Hope Hicks – Drejtor i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë.
Dorëheqja e tij erdhi një ditë pas dëshmisë në komisionin e Inteligjencës rreth çështjes së Russiagate.
Rachel Brand – Prokurore e Përgjithshme e Asociuar.
Numri tre në departamentin e drejtësisë dha dorëheqjen pas nëntë muajsh në këtë post pas sulmeve të presidentit amerikan ndaj këtij departamenti dhe forcave të rendit.
Rob Porter – Sekretar i Personelit të Shtëpisë së Bardhë.
Ai dha dorëheqjen pas akuzave për ushtrim dhune ndaj bashkëshortes së tij.
Brenda Fitzgerald – Drejtoreshë e Qendrave të Kontrollit të Sëmundjes dhe Parandalimit.
Dorëheqja e saj erdhi pas akuzave për konflikt interesi.
Andreu Mccabe – Zëvendësdrejtor i FBI-së.
Ai u largua nga posti në Janar të 2018-ës pas akuzave se ishte anti–Trump.
Rick Dearborn – Zëvendësshefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë.
Omarosa Manigault-Newman – Drejtoreshë e Komunikimit për Zyrën e Lidhjes me Publikun në Shtëpinë e Bardhë.
U pushua nga puna pas përfshirjes në një punë të dytë në sektorin privat.
Dina Pouell – Zëvendëskëshilltare për Sigurinë Kombëtare.
Tom Price – Sekretari për Shëndetësinë dhe Shërbimet Njerëzore.
Price dha dorëheqjen pasi u përfshi në skandalin e shpërdorimit të fondeve publike për arsye personale.
Sebastian Gorka – Zëvendësasistent i Presidentit për Sigurinë Kombëtare dhe Terrorizmin.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi pushimin e tij nga puna, pasi ishte i lidhur me grupe të ekstremit të djathtë hungarez.
Steve Bannon – Kryestrategu i Shtëpisë së Bardhë.
Këshilltari dhe ideologu i Tramp u pushua nga puna në Gusht të 2017-s.
Carl Icahn – Këshilltar special i Presidentit në fushën e teknikave të rregullatorit.
Sean Spicer – Sekretar për Shtypin në Shtëpinë e Bardhë
Dha dorëheqjen në Korrik të 2017-s.
Anthony Scaramucci – Drejtor për Komunikimin në Shtëpinë e Bardhë.
Ai u pushua nga puna 10 ditë pas marrjes së postit.
Reince Priebus – Shefi i Stafit në Shtëpinë e Bardhë
Valter Shaub – Drejtor i zyrës për etikën në qeveri.
I emëruar në këtë post në mandatin e dytë të ish-presidentit Obama ai dha dorëheqjen në muajin korrik. Kritik i ashpër i administratës Trump për çështje etike.
James Comey – Drejtor i FBI
U pushua nga puna për shkak të hetimeve rreth skandalit të e-maileve të ish-sekreteres amerikane të shtetit, Hilari Klinton.
Michael Dubke – Drejtor për Komunikimin në Shtëpinë e Bardhë
Qëndroi vetëm tre muaj në postin e tij.
Katie Ualsh – Zëvendësshefe e stafit të Shtëpisë së Bardhë.
K.T. McFarland – Zëvendëskëshillatre për Sigurinë Kombëtare.
U detyrua të largohej pas emërimit si ambasadore amerikane në Singapor, një post që nuk e pranoi.
Michael Flynn – Këshilltar për Sigurinë Kombëtare.
Flynn dha dorëheqjen në Shkurt të 2017-s pas presioneve se kishte gënjyer FBI-në për kontaktet e tij me rusët gjatë fushatës elektorale.
Preet Bharara – Prokuror i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Nju Jorkun.
U pushua nga vetë presidenti amerikan Trump, pasi refuzoi të jepte dorëheqjen./abcnews.al