Si Perëndimi po e ndihmon Ukrainën të rrëzojë raketat ruse

schedule11:02 - 12 Tetor, 2022

schedule 11:02 - 12 Tetor, 2022

The Economist

Alarmi në telefonat celularë filloi të binte pa pushim pas orës 9 të mëngjesit të datës 11 tetor në parkun Taras Shevchenko në Odessa.

Shërbimi i emergjencës shtetërore të Ukrainës paralajmëroi për një “probabilitet të lartë të sulmeve me raketa”, duke këshilluar qytetarët që të strehohen në strehimore dhe të qëndrojnë atje.

Shumë vendas, të mësuar nga alarme të tilla pas 7 muajsh luftë vazhduan të shëtisnin përgjatë parkut dhe të shijonin pamjet e tij nga Deti i Zi, ndonëse të tjerët u larguan për t’u strehuar nga frika e shpërthimeve.

Deri në mesditë, forcat e armatosura të Ukrainës thanë se kishin rrëzuar tre dronë në zonë. Ndërkohë raketat ruse goditën  Zaporizhia, Vinnitsa dhe Lviv, ku kryebashkiaku i qytetit tha se goditën një digë dhe dëmtuan  një pjesë të infrastrukturës energjetike, raporton abcnews.al.

Sipas zyrtarëve, forcat ukrainase rrëzun 20 raketa Kalibr. Ishte dita e dytë radhazi e sulmeve me raketa ruse në shkallë të gjerë ndaj lagjeve dhe infrastrukturës civile, megjithëse nuk ishte aq serioze sa e para.

Më 10 tetor Rusia lëshoi 83 raketa në disa qytete të Ukrainës, duke shkaktuar 19 viktima.

Ukraina tha se kishte rrëzuar 43 prej raketave ruse, pormbështetet ende në sistemet e mbrojtjes të epokës sovjetike si Buk dhe S-300, dhe furnizimet e saj me raketa tokë-ajër janë drej fundit.

Sistemet moderne perëndimore janë shumë më të sofistikuara dhe Ukraina i ka kërkuar Amerikës dhe vendeve të tjera europiane për muaj me radhë të tilla. Pas sulmeve, Joe Biden bisedoi me Volodymyr Zelensky, presidentin e Ukrainës, dhe premtoi se do të dërgonte në Ukrainë sisteme të reja të mbrojtjes.

Por Joe Biden nuk specifikoi se cilat dhe se kur do të dërgohen në Ukrainë.

Në fillim të luftës, Zelensky i bëri thirrje Izraelit t’i shesë Ukrainës sistemin e tij Iron Dome. Në fakt, siç tha Zelensky, ai sistem nuk është i përshtatshëm: ai është projektuar për të ndaluar raketat e vogla me rreze të shkurtër si ato të lëshuara nga Hamasi, një grup militant palestinez, dhe mund të mbulonin vetëm një zonë të kufizuar.

Rusia po sulmon Ukrainën me raketa me rreze të gjatë veprimi si Kalibr dhe Kh-101, të cilat mund të shmangin radarët. Gjithashtu po përdor raketën balistike Iskander dhe ndoshta raketën hipersonike Kinzhal, të cilat të dyja janë shumë efektive dhe të shpejta në krahasim me Iron Dome.

Në vend të kësaj, forcat ukrainase do të furnizohen nga Gjermania me Iris-T SLM. Ukraina do të marrë një prej tyre, e cila përbëhet nga tre lëshues që mbajnë 24 raketa (tetë për një lëshues) me rreze veprimi prej 40 km (25 milje), të kontrolluara nga një sistem i veçantë komandimi deri në 20 km larg.

Sistemi i radarit është jashtëzakonisht i ndjeshëm dhe do të jetë shumë efektiv në zbulimin e raketave të fshehta si Kalibr, sipas Denys Smazhnyi, shefi i trajnimit për forcat raketore anti-ajrore të Ukrainës.

Falë sistemeve të shumta, do të krijohej një linjë mbrojtëse deri në 100 km e gjatë, duke përfshirë rrugët kryesore që përdorin raketat ruse. Më e rëndësishmja, sistemi i komandimit i iris-t integron burime të ndryshme të të dhënave të radarit nga stacionet tokësore dhe avionët, në mënyrë që një bateri të mund të përfshijë objektivat edhe nëse ende nuk mund t’i shohë ato.

Sistemet e sovjetike si Buk dhe S-300 mund të sulmojnë vetëm objektet e gjurmuara nga radarët e tyre. Dhe ndërsa ato sisteme gjurmojnë dhe shkatërrojnë objektivat një nga një, një sistem iris-t mund të lëshojë dhe gjurmojë të gjitha 24 raketat e saj njëkohësisht.

Një tjetër sistem raketash që pritet të plotësojë arsenalin e Ukrainës janë Nasams nga Norvegjia.  Stoqet e mëdha ekzistuese do ta bëjnë më të lehtë rifurnizimin. Nasams përdoret në 12 vende, duke përfshirë anëtarët e NATO-s, dhe forcat ukrainase tashmë janë të trajnuar për t’i përdorur ato.

Raketat e saj kanë një rreze prej 40 km, por një version më i ri do ta zgjasë rrezen e veprimit në mbi 100 km. Kur të hyjë në shërbim, Ukraina mund të jetë në gjendje të përdorë raketat e saj pa pasur nevojë të zëvendësojë sistemin e lëshimit, raporton abcnews.al.

Biden nuk bëri publike se cilat sisteme do të dërgonte në Ukrainë. Ukraina ka lobuar që nga pranvera për raketën më të rëndësishme amerikane të mbrojtjes ajrore, Patriot.

Por “për momentin, ne mund të ëndërrojmë’, tha Iurii Ignat, zëdhënës i komandës së Forcave Ajrore të Ukrainës.

Çdo sistem Patriot kushton mbi 1 miliard dollarë dhe kërkon të paktën 70 ushtarë  dhe muaj të tërë trajnim. Dhe Amerika nuk ka sisteme Patriot rezervë, tha Tom Karako i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, një institut kërkimor në Uashington, DC.

E vetmja gjë që mund të bëjë Joe Biden tashmë është furnizimi i Ukrainës me Nasams sa më shpejt të jetë e mundur. Gjermania i premtoi për herë të parë Ukrainës IRIS-T në qershor.

Me furnizimin e sistemeve  të tilla, Ukraina do të jetë në gjendje të rrëzojë më shumë raketa ruse, që aktualisht mendohet të jetë midis 40-60%. Sistemet raketore Iskander kanë një rreze prej qindra kilometrash, dhe sisteme të tilla nuk mund të devijojnë shumë.

Ndërsa IRIS peshon rreth 100 kg,  koka e raketës Iskander vetëm mund të peshojë 700 kg. Ai është gjithashtu i aftë të manovrojë, gjë që kërkon interceptues më të mëdhenj dhe më të fuqishëm për ta shkatërruar.

Për momentin në Ukrainë, sipas Smazhnyi, “mbrojtja më e mirë kundër raketave balistike është betoni”.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!