Deputetët armenë janë zënë me grushte për të tretën herë brenda dy ditësh në ambientet e Parlamentit duke u bërë lajm në të gjithë mediat e botës.
Një ndër përplasjet fizike të ditës së djeshme nisi për shkak se njëri nga deputetët e partisë që ka maxhorancën i quajti tradhtarë disa nga ministrat e Mbrojtjes nisur nga qasja e tyre në reformimin e ushtrisë për t’i bërë ballë Azerbajxhanit.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, lideri i opozitës Vahe Hakobian e quajti kryeministrin Nikol Pashinyan “gënjeshtar populist”, duke bërë që të ndërhynte kreu i Parlamentit për t’i kërkuar deputetit që të largohej nga salla. Pas refuzimit të tij, kryeparlamentari thirri rojet e sigurisë, por kjo shkaktoi ndërhyrjen e deputetëve të tjerë opozitare duke rezultuar në një përplasje me grushte.
Armenia është duke përjetuar tensione të forta politike pas humbjes së luftës me Azerbajxhanin për rajonin e Nagorni Karabakh-ut, i cili ishte territor azer por nën administrimin e armenëve. Lufta e vjeshtës së vitit të shkuar bëri që armenët të largoheshin nga Nagorni Karabakh me humbje të mëdha, gjë që ka shkaktuar reagime të forta ndaj kryeministrit Pashniyan në vend. /abcnews.al