Si ndryshoi rrjedha e historisë njerëzore nga kuajt e zbutur?

schedule14:13 - 23 Tetor, 2021

schedule 14:13 - 23 Tetor, 2021

Nga Ashley Strickland, CNN

Zbutja e kuajve ndryshoi rrjedhën e historisë njerëzore, por shkencëtarët janë përpjekur për vite të kuptojnë se kur dhe ku ndodhi kjo ngjarje vendimtare. Provat nga një studim i fundit, në të cilën u përdor analiza e ADN-së tregojnë se kuajt u zbutën për herë të parë 4200 vite më parë në stepat e rajonit të Detit të Zi, pjesë e Rusisë moderne, përpara se të përhapeshin në të gjithë Azinë dhe Europën në shekujt që pasuan.

Ka qenë tepër e vështirë të përcaktohet se kur dhe ku ka ndodhur zbutja e kuajve, sepse është një ndryshim më pak i dukshëm në krahasim me kafshët e tjera. Por studiuesit duhej të punonin me prova indirekte, si dëmtimi i dhëmbëve që tregonte mbajtjen e frerëve apo edhe simbolikën e kuajve nëpër kultura, sipas autorit  kryesor të studimit Ludovic Orlando, drejtor kërkimor në Qendrën Kombëtare Franceze për Antropobiologjinë dhe Gjenominë e Toulouse për Universitetin e Toulouse–Paul Sabatier në Francë.

“Gjurmimi i aktivitetit njerëzor në të dhënat arkeologjike është një detyrë e vështirë dhe akoma më e vështirë kur bëhet fjalë për rindërtimin e marrëdhënieve të lashta me kuajt, nga të cilat shpesh kemi vetëm materiale të fragmentuara, si kockat, në dispozicion për studim,” tha bashkautori i studimit, Ëilliam Taylor, një asistent profesor dhe kurator i arkeologjisë në Muzeun e Historisë Natyrore të Universitetit të Kolorados.

Me këtë studim të fundit, një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh mblodhi dhe renditi gjenomet nga mbetjet e 273 kuajve të lashtë të gjetur në Europë dhe Azi dhe i krahasuan ato me ADN-në e kuajve modernë për të përcaktuar origjinën e tyre.

 

Hulumtimet e mëparshme treguan që origjina e kuajve të zbutur ishte në Botai, në atë që sot është Kazakistani verior, në Azinë Qendrore, për shkak të dëshmive  më të vjetra arkeologjike të këtyre kafshëve. Por ADN -ja tregoi një histori tjetër. Kuajt Botai, të cilët jetuan 5500 vite më parë, nuk mund të gjurmoheshin te kuajt modernë shtëpiakë, raporton abcnews.al

Studiuesit zgjeruan kërkimin , duke studiuar ADN-në nga kuajt e lashtë që kanë jetuar midis 50,000 para Krishtit dhe 200 para Krishtit. Kur kjo u krahasua me ADN-në moderne të kalit shtëpiak, ekipi ishte në gjendje të përcaktonte kohën dhe vendin.

“Zbutja e kuajve ishte si goditja e një rrufeje në historinë njerëzore, duke çuar në transformime shoqërore të pabesueshme, të përhapura dhe të qëndrueshme në të gjithë botën antike,” tha Taylor.

Euroazia dikur ishte shtëpia e popullsive gjenetikisht të dallueshme të kuajve, por një ndryshim dramatik ndodhi midis viteve 2000 para Krishtit dhe 2200 para Krishtit, sipas studiusve. Një popullatë gjenetike mbizotëruese e kuajve u shfaq në stepën pontiko-kaspiane euroaziatike perëndimore të Kaukazit të Veriut, në lindje të lumit Dnieper brenda pellgjeve Don dhe Vollga. Kjo zonë tani është pjesë e Rusisë.

Kjo popullatë kuajsh më pas u përhap dhe zëvendësoi grupet e kuajve të egër në Euroazi gjatë shekujve.

“Ajo që tregojnë të dhënat tona është se midis 4,600-4,200 vite më parë, barinjtë në rajonin Don-Volga gjetën një mënyrë për të rritur riprodhimin e kuajve. Kjo do të thotë se ata mund të riprodhojnë gjithnjë e më shumë kuaj të tillë brez pas brezi. Ata gjithashtu përzgjodhën kuaj me tipare të veçanta”, tha Orlando.

Brenda ADN-së së kuajve kishte prova të zbutjes, duke përfshirë gjenet që lidhen me sjellje më të bindur, qëndrueshmëri, elasticitet ndaj stresit dhe një shtyllë më të fortë për të mbajtur më shumë peshë. Të gjitha këto janë të lidhura me kalërimin në kafshët moderne.

Kalërimi, si dhe shpikja e karrocave luftarake me rrota, me gjasë u mundësoi këtyre kuajve të zëvendësonin popullatat e tjera brenda 500 viteve dhe ndryshuan përgjithmonë lëvizshmërinë dhe luftën njerëzore.

“Arsyeja pse ne jemi kaq të interesuar për kuajt është se ata ndoshta mund të konsiderohen si një nga kafshët që kanë ndikuar më shumë në historinë njerëzore”, tha Orlando.

Kjo marrëdhënie e ngushtë që ne kemi zhvilluar me këtë kafshë zgjati deri në fillim të shekullit të 20-të, një kohë kur teknologjia e motorit mori përsipër transportin”.

Në Mesdhe dhe Mesopotami, qerret e tërhequra me kuaj ndoshta u përhapën përmes tregtisë dhe pushtimeve ushtarake, sepse kuajt ishin kaq të rëndësishëm sa kafshët e transportit, tha Taylor. Në vende si Azia Qendrore dhe Lindore, kuajt shërbenin gjithashtu si bagëti dhe udhëtonin me barinjtë migrues të kuajve.

/abcnews.al