Si mund të shpëtohen jetë duke “spiunuar” ujërat e zeza

schedule13:02 - 9 Shtator, 2022

schedule 13:02 - 9 Shtator, 2022

The Economist

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Nëse, siç thotë shprehja, ju jeni ajo çfarë hani, atëherë është e arsyeshme të themi që ju “shkarkoni” atë që në të vërtet jeni. Vladimir Putin me sa duket e vlerëson këtë fakt.

Kur ai ndodhet jashtë vendit dhe duhet të përdorë tualetin, një nga “shërbëtorët” e ditëve moderne të Putin merr në mënyrë diskrete jashtëqitjet e diktatorit për t’i asgjësuar më pas, që të mos bien në duart e agjencive armiqësore të inteligjencës, analiza e të cilave mund të zbulojë shenja komprometuese të shëndetit të presidentit.

Putin ka të drejtë që i kushton vëmendje një fakti të tillë. Analiza e ujërave të zeza të një qyteti ose “sistemi i tretjes” siç e quajnë ata mund të sigurojë të gjitha llojet e njohurive për shëndetin dhe sjelljen e banorëve të tij.

Një mbikëqyrje e tillë mund të na ndihmojë për të marrë mostrat e të gjithë përdoruesve të tualetit. Përveçse është një metodë e fshehtë, është edhe e lirë,-miliarda dollarë më lirë se teknikat alternative të marrjes së provave dhe mjaft fleksibël për të monitoruar gjithçka, nga përdorimi i ilaçeve tek dieta dhe madje edhe shëndeti mendor.

Kryesorja për momentin është gjurmimi i përhapjes së sëmundjes.

Kjo nuk është një ide e re, mbikëqyrja e ujërave të zeza është përdorur në disa vende për të gjurmuar poliomielitin gjatë shekullit të 20-të por diçka e tillë ka ndodhur sërish në epokën e Covid-19.

Programet janë krijuar nga vullnetarët në mbi 70 vende. Ata kanë arritur të dallojnë valët e infeksioneve dhe përhapjen e varianteve të reja javë përpara marrjes së mostrave klinike.

Ndërsa pandemia po reduktohet, ekziston rreziku është që edhe interesi për mbikëqyrjen e ujërave të zeza të zbehet. Përpjekja e Britanisë ishte drejt fundit kur zbulimi i poliovirusit të kësaj vere në ujërat e zeza të Londrës ringjalli interesin, raporton abcnews.al.

Çmontimi i sistemeve të tilla do të ishte një gabim. Ndërsa llojet e tjera të testimit për Covid-19 po pakësohen dhe ndërsa njerëzit kanë më pak gjasa të raportojnë simptoma, ujërat e zeza do të bëhen një sistem paralajmërues më efektiv për mutacione të rrezikshme.

Kjo është veçanërisht e vërtetë në vendet e varfra, ku mjetet alternative të testimit janë jashtëzakonisht të shtrenjta.

Nuk ka asnjë arsye për të kufizuar sistemin në kërkimin e Covid. Mund të aplikohet në shumë sëmundje të tjera, duke përfshirë linë e majmunit, tifonë dhe shigellën. Por që mbikëqyrja e ujërave të zeza të përmbushë potencialin e saj, sistemet e improvizuara të sotme duhet të shndërrohen në diçka më të qëndrueshme dhe më të organizuar.

Kjo do të kërkojë standardizim dhe rregulla që përmirësojnë mbledhjen dhe shkëmbimin e të dhënave. Dhe diçka e tillë nuk duhet të jetë në dorë të akademikëve me mendime të njejta të qytetarëve por te autoritetet e shëndetit publik.

Do të ishte gjithashtu e zgjuar të mendoni se si do të përdoren saktësisht të dhënat. Ndërsa situata qetësohet, agjencitë e zbatimit të ligjit mund të zbulojnë se autoritetet e shëndetit publik kanë instaluar dhe legjitimuar një mjet që mund të ndihmojë në zbulimin e sjelljeve kriminale.

Çdo gjë nga konsumimi i drogave të paligjshme e deri te përbërësit e  bombës mund të zbulohet potencialisht në ujërat e zeza. Megjithëse mbledhja e të dhënave bëhet në ujërat e zeza dhe kampionët e marrë mund të ndihmojnë autoritetet të mbikëqyrin çdo gjë nga një lagje e vogël në një bllok të vetëm banesash, raporton abcnews.al.

Disa universitete përdorin tashmë teknika të tilla për mbikëqyrjen e Covid-it në kampuse. Por mbështetja e popullit do të jetë më e vështirë pasi njerëzit mund të jenë të shqetësuar se të dhënat e tyre mund të shpërndahen gjerësisht.

Prandaj, organet kompentente duhet të jenë vigjilente për shkallën e aftësive të tyre dhe saktësisht se si do të përdoren të dhënat. Ata gjithashtu duhet të konsultohen me njerëzit.

Për vite me radhë, epidemiologët kanë bërë thirrje për sisteme të mbikëqyrjes në mbarë botën për t’i ndihmuar ata të gjurmojnë sëmundjet në zhvillim. Covid-19 ka nxitur investime të tilla. Monitorimi i lirë dhe i përhapur i ujërave të zeza mund të realizohet vetëm në këtë mënyrë.

Do të ishte negative nëse frika për privatësinë do të bënte që mbështetje për sisteme të tilla të mbikëqyrjes të zhdukej në “tualet”.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!