Në 48 orët e fundit ka pasur një sërë nismash diplomatike nga ana e Rusisë në lidhje me krizën në Lindjen e Mesme. Më 16 tetor, vetë Vladimir Putin bisedoi me Benjamin Netanyahu, kryeministrin e Izraelit, dhe liderët e Egjiptit, Iranit, Sirisë dhe Autoritetit Palestinez.
Presidenti rus shprehu ngushëllimet e tij për izraelitët e vrarë, por nuk denoncoi sulmet e Hamasit. Cari i Rusisë bëri thirrje gjithashtu për një armëpushim dhe fajësoi Amerikën për krizën.
Çfarë sinjalizojnë bisedat telefonike?
Sipas The Economist, këto telefonata konfirmojnë dy gjëra: tjetërsimin e Rusisë nga Izraeli dhe se Kremlini e sheh luftën Izrael-Hamas si një mundësi për të minuar dhe shpërqendruar Perëndimin.
Dhe pikërisht kjo përpjekje është duartrokitur nga Kina, të cilën Putin e vizitoi për të marrë pjesë në samitin e Nismës “Një Brez dhe një Rrugë” të organizuar nga Xi Jinping.
Ndërkohë, Joe Biden u takua Netanyahu, duke i siguruar mbështetjen e vazhdueshme nga SHBA. Netanyahu e quante Vladimir Putinin “mikun e tij të dashur”. Ai ka vizituar Rusinë dhjetëra herë në vitet e fundit, raporton abcnews.al.
Pra, ai duhet të ketë qenë i befasuar që presidenti rus priti nëntë ditë pas sulmit të Hamasit në Izraelin jugor për të biseduar me të.
Disa argumentojnë se Netanyahu, politikani dominues në Izrael për dy dekadat e fundit, ka gjithashtu një “afinitet” me njerëz të fortë si Putini. Ai hezitoi të kritikonte Rusinë për pushtimin e Ukrainës dhe heshti kur e bëri këtë. As nuk e furnizoi Ukrainën me armë, pavarësisht kërkesave të Ukrainës.
Artikulli i The Economist thekson se ka shumë lidhje të mundshme midis Rusisë dhe Izraelit: 15% e izraelitëve flasin rusisht, për shkak të origjinës së tyre në ish-Bashkimin Sovjetik.
Putin duket se e admiron Izraelin si një fuqi rajonale që nuk ka frikë të tregojë fuqinë e tij dhe mirëpriti “indiferencën e dukshme të Netanyahu ndaj dështimeve demokratike të Rusisë”, raporton abcnews.al.
Hamasi
Nuk ka asnjë tregues se Rusia i ka dhënë ndonjë ndihmë të drejtpërdrejtë Hamasit qoftë në planifikimin apo ekzekutimin e sulmit të saj në pjesën jugore të Izraelit.
Por Rusia ka mbajtur marrëdhënie miqësore me grupin e mbështetur nga Irani që kur mori pushtetin në Gaza, duke besuar se një ditë mund të jetë e dobishme. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov mirëpriti një anëtar të udhëheqjes së Hamasit, Khaled Meshaal, në Moskë në vitin 2007. Kur forcat izraelite hynë në Gaza në vitin 2014 në një operacion shtatëjavor, ata u përballën me një numër të madh raketash antitank ruse, të cilat Irani i furnizoi.
Marrëdhënia gjithnjë e më e ngrohtë e Rusisë me Iranin ka krijuar tashmë tensione me Izraelin dhe mund të kishte shkaktuar një ngërç edhe pa mizorinë e 7 tetorit. Vitin e kaluar, Rusia iu drejtua Iranit për të blerë qindra dronë Shahed në mënyrë që të vazhdonte sulmet e saj në Ukrainë.
Në këmbim, Rusia besohet të ketë furnizuar Iranin me helikopterë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. Këto armë, nga ana tjetër, do të rrisnin aftësitë e Iranit nëse do të ishte në luftë me Izraelin.
Përshkallëzimi
Putin mund të mos e dëshironte këtë, por ndoshta nuk do ta kishte problem nëse lufta e Izraelit kundër Hamasit do të përshkallëzohej dhe do të përhapej në pjesë të tjera të botës arabe.
Hamasi tashmë ka ndihmuar në largimin e fokusit të Perëndimit nga lufta në Ukrainë. Presidenti i SHBA Joe Biden po përpiqet të sigurojë miratimin e Kongresit për ndihmë të mëtejshme për Ukrainën. Por edhe nëse kjo do të ketë sukses, luftimet në Lindjen e Mesme do të zvogëlojnë fluksin e municioneve në Ukrainë, në favor të Rusisë.
Duke dërguar dy aeroplanmbajtëse në rajon, si dhe kryediplomatin e saj, Anthony Blinken, Amerika ka treguar se sa e etur është për të parandaluar zgjerimin e konfliktit, raporton abcnews.al
SHBA shpreson të pengojë Hezbollahun, një tjetër përfaqësues iranian, i cili kontrollon Libanin jugor dhe ka një arsenal prej deri në 150,000 raketash që synojnë Izraelin.
Përfitimet
Nëse lufta do të përhapej, do të kishte dy benefite për Rusinë dhe Iranin.
E para do të ishte një rritje e çmimeve të naftës dhe gazit që do të ndihmonte të dyja ekonomitë e trazuara dhe do t’i jepte Putinit para shtesë për të financuar luftën e tij në Ukrainë.
E dyta do të ishte prishja e planeve të Amerikës për Lindjen e Mesme. Tashmë, Hamasi i ka shërbyer interesave të Iranit dhe Rusisë duke shtyrë marrëveshjen e diskutueshme të paqes midis Izraelit dhe Arabisë Saudite, të cilën Amerika ka shpenzuar kaq shumë kohë dhe përpjekje për ta arritur.
Për pothuajse të njëjtat arsye Kina gjithashtu refuzoi t’i ofronte ngushëllime Izraelit duke dënuar Hamasin. Kina deri më tani ka shprehur vetëm shqetësim “për përshkallëzimin aktual të tensioneve dhe dhunës midis Palestinës dhe Izraelit”.
Ashtu si Rusia, Kina do të ishte e lumtur të shihte Amerikën të fundosej në rajon dhe autoriteti i saj të vihej në pikëpyetje, raporton abcnews.al
Kina ndihmoi në ndërmjetësimin e afrimitetit midis Iranit dhe Arabisë Saudite në fillim të këtij viti, pjesërisht me shpresën për të minuar rendin botëror të udhëhequr nga SHBA.
Kina mund të mos ketë pasur asnjë ide për planet e Hamasit, por nuk ka gjasa të pendohet për trazirat që u shkaktuan.
/abcnews.al