Nga Stephen Collinson, CNN
Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al
Komenti i Presidentit Joe Biden të shtunën gjatë vizitës në Poloni se Vladimir Putin duhet të largohet nga pushteti shkaktoi një stuhi politike ndërkombëtare. Të djelën në mbremje, Biden u tha gazetarëve se ai nuk po bënte thirrje për ndryshimin e regjimit në Rusi, duke i bërë jehonë një mesazhi të shprehur disa herë nga vartësit e tij edhe para se të kthehej në SHBA.
Por komentet e tij e kanë lënë administratën me pikëpyetje të shumta. Disa janë strategjike dhe mund të ndikojnë në rrjedhën e ardhshme të luftës dhe në shpresat e deritanishme për një armëpushim.
Të tjerat janë politikë dhe kanë të bëjnë me qëndrimin e Biden në vend, mes një sërë kritikash të republikanëve, dhe ndërkombëtarisht, teksa ai kërkon të mbajë të bashkuar koalicionin perëndimor.
Ato përfshijnë:
A i përshkallëzoi komenti i Biden edhe më shumë tensionet midis Perendimit dhe Rusisë?
A e ka tronditur Biden besimin ndërkombëtar në udhëheqjen e tij deri më tani në bashkimin e aleancës së NATO-s kundër Moskës? Dhe a do të jetë në gjendje Putini të shfrytëzojë komentin e Biden në kryeqytetet europiane?
A do të ndryshojë vendosmërinë e liderit rus në lidhje me negociatat apo do ta bëjë atë të përshkallëzojë luftën kundër civilëve?
A mund të rrezikohet paqja globale apo një takim i drejtëpërdrejtë midis fuqive më të mëdha të armëve bërthamore?
Apo reagimi i Bidenit në lidhje me refugjatët ukrainas do të harrohet së shpejti nga lufta e përditshme apo do të shihet si një qëndrim i fortë moral që ndryshoi mënyrën se si bota e sheh udhëheqësin rus?
Në fund të fundit, thirrja e ish-Presidentit Ronald Reagan për liderin e atëhershëm sovjetik Mikhail Gorbachev për ta shembur murin e Berlinit, fillimisht u kundërshtua nga disa nga ndihmësit e tij duke e cilësuar si tepër provokuese, raporton abcnews.al
Dhe së fundmi, duke qenë se Moska tashmë i ka cilësuar sanksionet perëndimore si një luftë ekonomike dhe duke pasur parasysh pikëpamjen thellësisht konspirative të Putinit për Perëndimin dhe rolin e tij në mposhtjen e Bashkimit Sovjetik, a mund të përkeqësohet edhe më shumë situata nga disa fjalë të Joe Biden?
Pas deklaratës së Biden, Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se: “Ne nuk kërkojmë ndryshimin e regjimit në Rusi. “Në këtë rast, siç ndodh në çdo rast tjetër, kjo varet nga populli i vendit në fjalë. Kjo varet nga populli rus.”
Çdo ide se SHBA-të e kanë parë konfliktin si një përpjekje për të rrëzuar Putinin, do të ishte e rrezikshme pasi do të çonte në një konflikt të drejtëpërdrejt mes SHBA-së dhe Rusisë. Nuk ka dyshim se Biden i dha Putinit një dhuratë propagande që mund të minojë punën e palodhur të presidentit amerikan në Ukrainë.
Rusia kërkon t’ia paraqesë luftën popullit rus si një shtypje armiqësore nga Perëndimi, me qëllim që të fshehë të vërtetën rreth sulmit të paprovokuar ndaj Ukrainës. Kjo mund të lehtësojë presionin politik që Perëndimi shpreson se do të arrihet nga vendosja e sanksioneve të ashpra.
Por përpjekjet fillestare të Biden për të shmangur personalizimin e konfliktit me Putinin dhe karakterizimin e luftës si një përballje direkte SHBA-Rusi janë minuar nga retorika e tij ndaj liderit rus gjatë ditëve të fundit.
Ai e bëri të ditur në fillim të këtij muaji se beson se Putini është një kriminel lufte pas sulmeve të pamëshirshme ndaj qyteteve dhe civilëve ukrainas që shkaktuan një eksod masiv refugjatësh. Komenti i Biden për qëndrimin në pushtet të liderit rus nuk ishte e vetmja retorikë goditëse e fjalimeve të tij.
Pas takimit me refugjatët të shtunën, Biden e quajti Putinin një “kasap”. Më parë, Biden e kishte quajtur një “bandit” dhe një “vrasës”.
Duke pasur parasysh se Biden ka të ngjarë të ndjejë mbi supet e tij barrën e paqes botërore, reagimet e tij në udhëtimin në Europë mund të kuptohen si një reagim njerëzor ndaj vuajtjeve të mëdha. Por fjalët e një presidenti duhet gjithashtu të zgjidhen me kujdes. Siç tregoi situata të shtunën, mjafton vetëm një moment për të shkaktuar një krizë të rrezikshme diplomatike.
Çdo marrëveshje e ardhshme armëpushimi për të cilën Putini bie dakord, nuk ka gjasa të arrihet falë diplomacisë amerikane, duke pasur parasysh armiqësinë e thellë dhe të ndërsjellë midis Moskës dhe Uashingtonit.
Por çdo marrëveshje përfundimtare për të parandaluar përshkallëzimin e rrezikshëm midis dy fuqive kryesore bërthamore të botës varet nga biseda e tyre me njëra-tjetrën. Ka qenë gjithmonë e vështirë të mendonim një takim midis Biden dhe një lideri rus, të cilin ai e ka quajtur një kriminel lufte.
Ngjarjet e kësaj fundjave e kanë bërë situatën edhe më të vështirë. Dhe ndërsa qëllimi i SHBA-së në Moskë nuk është ndryshimi i regjimit, një bisedë mes të dy liderve është e vështirë të arrihet për sa kohë Putin është në krye të vendit.
/abcnews.al