Si mund të bëjë një emigrant 2 milion euro dhe të mos i deklarojë? Zëvendësministrja për amnistinë fiskale: Si funksionon

schedule13:56 - 5 Korrik, 2022

schedule 13:56 - 5 Korrik, 2022

Vasilika Vjero, zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Financave duke folur në “ABC Live” ka shpjeguar detaje të reja lidhur me amnistinë fiskale për emigrantët që qeveria pritet ta bëjë ligj.

Sipas Vjeros ligji i amnistisë fiskale është konsultuar disa herë dhe pasuria që mund të legjitimohet mund të jetë e disa formave, para cash, grurë të çmuar, vepra arti apo sende të tjera me vlerë. Ajo tha se me anë të një strukture të posaçme do të verifikohen nëse këto para janë apo jo të ardhur nga krimi.

“Ligji është parë edhe një herë. Mund të jenë piktura, pasuri si gurë të çmuar, e gjithë ajo që shpjegohet si pasuri. Do bëhet me proces i strukturuar, jo vetëm nga administrata por edhe më gjerë. Që nuk janë të ardhura nga aktivitetet kriminale. Kemi parashikuar një nen të veçantë se kush do përjashtohet. Postet e rëndësishme, Presidenti e deri më poshtë që duhet të deklarojnë pasurinë tek Inspektorati i lartë. Apo edhe familjarët e tyre janë të përjashtuar.” tha Vjero.

Duke u ndalur tek personat që janë të përjashtuar nga ky ligj, Vjero u shpreh se nuk do të lejohet të amnistojnë paratë e tyre as ish funksionarët.

“Kur flasim për familjen është vetëm trungu i familjes. Edhe ish funksionarët nuk kanë të drejtë të përfitojnë nga ky ligj. Ajo që është e rëndësishme, është së subjektet e dënuar më para apo kanë qenë objekt i OFL dhe subjekte të tjera. Ajo që ka dyshime për element kriminal nuk mund të ndodh që të legalizohet pasuria.” tha Vjero.

Në 4 mujorshin e parë zv.ministrja u shpreh se do të ketë 10% tatim ndërsa më pas kjo do të ulet në 7%.

“Do jetë edhe një tatim i posaçëm, 7% ndërsa në 4 muajt e parë do të jetë 10 %. Ligjësimi më i madh është 2 milion euro.” tha Vjero.

Por si mund t’i bëjë një emigrant shqiptar 2 milion euro pasuri, dhe si do të sillet në Shqipëri kjo pasuri? Për këtë zv.ministrja dha se nuk ka një përgjigje, por shpjegoi se ligji parashikon edhe amnisti për bizneset dhe jo vetëm për personat fizik.

“Paratë nuk do sillen nëpërmjet sistemit bankar. Do të sillen nga individët apo subjektet nëpërmjet doganës. Ka dhe shumë individë që i kanë sjellë me vite brenda kufirit të lejuar këtej. Nëse ka emigrantë me nivele kaq të larta, nuk di t’u përgjigjem. Nga një punë informale ata nuk kanë mundur të ligjësojnë paratë”

“Ligji nuk është vetëm për emigrantët por edhe për individë të tjera. Kufiri është kaq se mund të ketë edhe biznese që e kanë deklaruar më pak apo se kanë deklaruar. Mund të kenë interes për të ligjësuar paratë.” tha ajo.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!