Si mund ta zbusë Evropa krizën Rusi-Ukrainë

schedule11:38 - 16 Dhjetor, 2021

schedule 11:38 - 16 Dhjetor, 2021

Nga Paul Taylor & Oksana Antonenko “Politico.eu

Evropa nuk ka luksin të qëndrojë duarkryq përballë krizës në përshkallëzim e sipër midis Rusisë dhe Ukrainës, duke e lënë vetëm presidentin e Shteteve të Bashkuara Joe Biden në përpjekjen e tij për të parandaluar një luftë në pragun e saj.

Bashkimi Evropian, zotëron mjetet e duhura për ta ndihmuar Kievin të mbrohet dhe të zhvillojë ekonominë e tij. Megjithatë, pavarësisht të gjitha diskutimeve mbi autonominë strategjike të unionit, ajo që mungon deri tani është vullneti politik për të përdorur të gjitha mjetet që janë në dispozicion të unionit.

Samiti i kësaj jave i Partneritetit Lindor të BE-së, që përfshin Ukrainën, Gjeorgjinë, Moldavinë, Armeninë dhe Azerbajxhanin (Bjellorusia e pezulloi pjesëmarrjen e saj që në qershor), është një mundësi për të zbatuar një nismë evropiane më pro-aktive në rajon.

Me sulmin e tij ndaj vendeve të Evropës Lindore, presidenti rus Vladimir Putin dëshiron të rishkruajë Kartën e Parisit të vitit 1990, e cila u dha mundësi vendeve të rajonit që të rifitonin lirinë, sigurinë dhe prosperitetin e tyre. Ai synon t’i bëjë të duken të pafuqishme Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

Evropa neglizhoi luftën midis anëtarëve të Partneritetit Lindor, Azerbajxhani dhe Armenisë mbi rajonin e kontestuar të Nagorno-Karabakh vitin e kaluar, duke ia lënë në dorë Rusinë të negocionte dhe të mbikëqyrte një armëpushim që u arrit midis dy palëve.

Ajo nuk duhet të ketë të njëjtën qasje pasive në lidhje me Ukrainën, vend që ndodhet ngjitur me kufijtë e saj, dhe me të cilën ka një Marrëveshje të Asociimit. Po cila janë hapat që duhet të ndjekë Brukseli në këtë rast?

Së pari, Bashkimi Evropian duhet të bëjë të qartë se si do ta rrisë koston që do të paguajë Rusia, në rastin e një sulm të saj ushtarak ndaj Ukrainës. Duke bashkëpunuar paralelisht me Uashingtonin, qeveritë evropiane mund të jenë ende në gjendje të ndryshojnë llogaritë që po bën aktualisht Moska.

Pra BE duhet të jetë gati të përcaktojnë se çfarë sanksionesh shtesë do të vendosë, në rastin e  agresionit të mundshëm rus, përfshirë hapat vendimtarë për të reduktuar importet e hidrokarbureve ruse. Për shembull, nëse Kremlini do të sulmonte me shumë trupa Ukrainën, Berlini do të përballej me një presion të madh për të anuluar marrjen e gazit nga gazsjellësi rus, që ka përfunduar së ndërtuari pak kohë më parë “Nord Stream 2”.

Do të ishte një lëvizje shumë e zgjuar nëse kancelari i ri i Gjermanisë Olaf Scholz, do t’i paraprinte situatës, duke e kushtëzuar qartazi punën e këtij gazsjellësi, i cili ka përfunduar por që është ende jo funksional. Gjermania mund të përballet me një mungesë të mundshme të energjisë.

Por një paralajmërim i qartë se e ardhmja e këtij projekti është në fije të perit, mund ta bëjë Putinin të ri-mendojë mundësinë e pushtimit të Ukrainës. Po ashtu evropianët mund të bëjnë më shumë për t’i ofruar Kievit siguri dhe mbështetje ekonomike, në një kohë që mund të ushtrojë presion ndaj të dyja palëve për të zbatuar marrëveshjet e paqes të Minskut në Ukrainën Lindore.

Bashkimi Evropian duhet të përfshijë në axhendë miratimin e një pakti të sigurisë në Partneritetin e saj Lindor – të paktën për të ashtuquajturën Treshja e Asociuar, që përbëhet ngae Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia – duke përfshirë ndihmën në trajnime ushtarake, reformimin e shërbimeve sekrete, reagimin ndaj kundër luftës hibride dhe asaj kibernetike.

Në funksion të këtij synimi, ai mund të zgjerojë edhe në Kiev mandatin e Misionit Këshillimor ekzistues të BE-së për Reformën e Sektorit të Sigurisë Civile. Gjermania është e penguar nga ligjet e saj, të cila e ndalojnë dërgimin e armëve në zonat e krizës, edhe pse ato nuk e ndalojnë të furnizojë me trajnime dhe armë për Peshmergat kurde në Irak, që luftojnë kundër luftëtarëve të ISIS.

Por Franca dhe Italia nuk kanë kufizime të tilla të vetë-imponuara, ndaj mund të ndihmojnë në forcimin e ushtrisë ukrainase, siç po bëjnë tashmë SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Turqia.

Për më tepër, meqë SHBA-ja nuk ofron asnjë investim domethënës dhe interesi kinez nuk është gjithnjë i mirëpritur, vetëm BE mund t’i ofrojë rajonit të Detit të Zi një të ardhme më të begatë dhe më të qëndrueshme në aspektin ekonomik.

Brukseli duhet ta vendosë këtë çështje një fokus shumë më të madh të shpenzimeve të tij, dialogut diplomatik dhe atij politik. BE-ja duhet të përdorë gjithashtu fondin e saj të sapokrijuar të infrastrukturës të quajtur “Global Gateëay” për të zhvilluar transportin, energjinë dhe korridoret dixhitale.

Ajo duhet të angazhojë fqinjët e saj evropiano-lindorë në projekte të mëdha si energjia e gjelbër e hidrogjenit, duke pranuar edhe përfshirjen e Rusisë, në rast se kjo e fundit anulon kërcënimet ushtarake kundër Ukrainës.

Përvoja e unionit në nxitjen e bashkëpunimit ndërkufitar dhe kontakteve midis njerëzve në rajonin e Detit Baltik, duhet të përdoret për të forcuar lidhjet ekonomike dhe njerëzore në Detin e Zi. Teksa SHBA-ja është e vendosur ta përqendrojë vëmendjen e saj në Kinë, dhe BE-ja është e etur që të përmbushë ambicien e saj të deklaruar për të marrë më shumë përgjegjësi, kriza e Ukrainës përbën një test real mbi aftësinë e Evropës për të ndihmuar në stabilizimin e fqinjëve të saj.

Po ashtu ai është një test për gatishmërinë e qeverisë së re gjermane, për të qenë “realiste” në lidhje me kërcënimet e sigurisë. Ai është gjithashtu një test i marrëdhënieve të reja të bashkëpunimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Që të dyja këto do të miratojnë udhëzime të reja strategjike gjatë muajve të ardhshëm. Kjo krizë është edhe një mundësi, ku BE-ja mund ta vendosë rajonin e Detit të Zi në fokusin e strategjisë së aj të rinovuar, për t’u angazhuar me Turqinë.

Ankaraja ka ndërtuar marrëdhënie të ngushta me Moskën dhe Kievin, dhe një nismë e përbashkët BE-Turqi, mund të jetë pjesë e një largimi nga përplasja aktuale, gjithnjë në rast se Putini vendos ta pranojë atë.

BE-ja ka qenë gjithmonë e përçarë për Rusinë. Gjermania, Franca dhe Italia e kundërshtojnë ushtrimin e një presioni shumë të fortë ndaj Moskës, për të mbrojtur marrëdhëniet e tyre dypalëshe dhe interesat ekonomike.

Ndërsa anëtarët e BE-së nga vendet e Evropës Qendrore, kanë bllokuar çdo dialog dhe bashkëpunim kuptimplotë midis BE-së dhe Rusisë, sidomos në lidhje me fqinjësinë e tyre të përbashkët. Por tani ka ardhur koha të lihen mënjanë këto dallime. Vetëm duke ndërmarrë veprime kolektive, BE-ja mund të lehtësojë arritjen e një paqe të qëndrueshme në rajonin e Detit të Zi. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim:Oksana Antonenko, bashkëpunëtore në Institutin Kenan dhe anëtare e rrjetit të ekspertëve BE-Rusi mbi politikën e jashtme. Paul Taylor, është bashkëpunëtor në Politico.eu.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!