Nga Petro Poroshenko “Financial Times”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Pas një muaji gjakderdhje, bombardime të pamëshirshme dhe vdekje masive të civilëve, plani Blitzkrieg i Vladimir Putinit ka dështuar. Nuk ka pasur asnjë ushtri triumfuese ruse që parakaloi nëpër rrugët e Kievit. Perëndimi nuk ka qëndruar duarkryq i pafuqishëm dhe i dobët.
Ukraina nuk ka kapitulluar. I mbërthyer në grackën që ngriti vetë, duke pësuar shumë humbje në njerëz dhe në ekonominë ruse (falë sanksioneve perëndimore), Putin ka kaluar tani në planin B: të rrafshojë qytetet tona dhe të vrasë sa më shumë njerëz, me armë apo nga uria, për t’i detyruar ukrainasit të nënshtrohen.
Nuk ka asnjë dyshim se pushtimi rus i Ukrainës, i paprovokuar dhe i paramenduar, do të diktojë gjeopolitikën globale gjatë gjysmëshekullit të ardhshëm ose më shumë. Ndikimi i kësaj lufte shtrihet përtej Ukrainës, madje edhe Evropës. E gjithë bota, nga Uashingtoni në Pekin, po sheh se çfarë po ndodh këtu.
Si president i Ukrainës gjatë pushtimit të parë rus në vitet 2014-2015, e di se nëse Vladimir Putini ia hedh paq edhe pas asaj që po i shkakton vendit tim, ai nuk do të ndalet këtu. Liderë të tjerë autoritarë, anembanë globit, do të inkurajohen të bëjnë të njëjtën gjë diku tjetër.
Perëndimi i ka habitur të gjithë me unitetin që ka shfaqur deri më sot. Por mund dhe duhet të ndërmerren shumë hapa të tjerë që ta detyrojnë Putinin të pranojë paqen. Në shkurtin e vitit 1941, Britania e Winston Churchill ishte e vetmja që luftonte kundër Gjermanisë naziste të Adolf Hitlerit.
Ai i tha SHBA-së “Na siguroni mjetet, dhe ne do ta përfundojmë vetë këtë punë!”. Në vitin 2022, Ukraina e gjen veten si i vetmi vend që lufton kundër çmendurisë së Putinit. Prandaj ne kërkojmë të njëjtën gjë nga partnerët tanë perëndimorë. Miratimin e një akti të ngjashëm me Aktin e Huadhënies së SHBA-së të vitit 1941.
Ai duhet t’i autorizojë qeveritë kombëtare që ta furnizojnë Ukrainën me materialet e nevojshme, duke përfshirë ushqimin, municionin, tanket, avionët luftarakë dhe sistemet antitank dhe kundërajrore.
Teksa ushtria e Ukrainës po lufton heroikisht si në tokë ashtu edhe në det, rezultati i luftës ndaj Rusisë, dhe rrjedhimisht edhe e ardhmja e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Evropë, varet kryesisht nga kontrolli efektiv i vendit tonë mbi qiejt tanë.
Është e kuptueshme që NATO nguron të garantojë një “zonë të ndalim-fluturimit”. Por aleanca mund të bëjë ende më shumë për t’i siguruar Ukrainës mjetet e nevojshme për të mbajtur nën kontroll qiellin e saj. Nga transferimi në Ukrainë i avionëve MiG-29 të disponueshëm në vendet e NATO-s.
Më pas me furnizimin e vendit tonë me sistemet e mbrojtjes ajrore (tokë-ajër), si mbrojtja kundërajrore C300, që do ta ndihmonte më tej për t’i mohuar Rusisë epërsinë ajrore. Kur flitet për ndihmën ekonomike, çdo ditë sanksionet perëndimore po e frenojnë aftësinë e Rusisë për të na gjunjëzuar.
Por ka ende hapësirë për t’i bërë këto sanksione edhe më të fuqishme. Kjo nënkupton një embargo tregtare totale, duke përfshirë ndërprerjen e blerjes së naftës dhe gazit rus. Çdo qindarkë që Perëndimi ia mohon Putinit, është një qindarkë që nuk do të hyjë në makinerinë ruse të luftës.
Nëse Rusia do të privohet nga të ardhurat e saj nga nafta dhe gazi, ajo do të zvogëlojë numrin e raketave “Iskander” që aktualisht po godasin çdo ditë vendin tonë. Putini dëshiron që ne të dëshpërohemi nën bombat e tij, në mesin e rrënojave të vendit tonë.
Luftëtarët tanë duhet ta dinë se mbi qytetet tona të shkatërruara, ne do të ndërtojmë një Ukrainë më të fortë, madje më të begatë se ajo që ai u përpoq të na e merrte. Partnerët tanë perëndimorë duhet të sinjalizojnë se tashmë po planifikojnë mbi atë që do të ndodhë nesër dhe pasnesër, se ata do të jenë aty për të na ndihmuar të rindërtojmë pa vonesë vendin tonë. Ne sugjerojmë një plan trepalësh Biden-Michel-Johnson për Ukrainën, të mbështetur nga Shtetet e e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe, por që të jetë i hapur edhe për vendet e tjera, para së gjithash për anëtarët e G7.
Tre shtyllat e para të një plani të tillë, mund të jenë kreditë e dhëna Ukrainës nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe në mënyrë dypalëshe, ngrirja e rezervave të Bankës Qendrore të Rusisë, dhe një lloj programi ndihme “energji për rindërtim” (shitjet e gazit dhe naftës ruse të përfundojnë në një fond special për të rindërtuar infrastrukturën e Ukrainës).
Së fundmi, ne e dimë se rruga e anëtarësimit në Bashkimin Evropian do të jetë e gjatë dhe e vështirë. Por fakti që aplikimi ynë është i vulosur me gjakun e mijëra ukrainasve, duhet të jetë shenja më e fortë e mundshme se ne i përkasim vërtetë Evropës, dhe e meritojmë të jemi pjesë e BE-së.
Ne e dimë se negociatat do të kërkojnë kohën e tyre. Ne e dimë se nuk ka shtigje të shkurtra në rrugën për t’u bërë një anëtar i unionit. Por me vullnet politik, asgjë nuk duhet të na pengojë që të pranohemi si vend kandidat deri në fund të këtij viti.
Lufta e Putinit kundër Ukrainës na sjell në një realitet të pasluftës së ftohtë. Ne e dimë se për çfarë po luftojmë. Ne e dimë se mund të fitojmë. Ne e dimë që ju jeni në krahun tonë. Por ne kemi nevojë për ndihmën tuaj të vazhdueshme. Me të, ne mund ta rivendosim rendin ndërkombëtar të pasluftës së ftohtë. Pa të, ne mund të shohim një kthim në vitin 1914, por me armët e shekullit XXI-të. Është një e ardhme, të cilën nuk e dëshiron askush. /abcnews.al