Si Moska po e rusifikon me dhunë jugun e pushtuar të Ukrainës

schedule10:01 - 22 Qershor, 2022

schedule 10:01 - 22 Qershor, 2022

Nga Thomas Grove “Wall Street Journal”

Disa ditë pasi forcat ruse pushtuan qytetin Berdyansk në Ukrainën Jugore, banorët u mblodhën në sheshin kryesor të qytetit me flamujt ukrainas, duke kënduar këngë patriotike, dhe duke iu bërë thirrje trupave ruse të kthehen në shtëpitë e tyre. Protestat u shtuan nga ditë në ditë. Por shumë shpejt, forcat ruse i ndaluan ata, si pjesë e një fushate një mujore dhune, kërcënimi dhe propagande, që synonte të shtypte rezistencën qytetare, dhe të vendoste qytetin bregdetar nën sundimin rus.

Fati i Berdyansk dhe i qyteteve të tjera të pushtuara, varet tani nga koha që forcat ruse do të mbeten nën kontrollin e Ukrainës Jugore, ku trupat e Kievit kanë nisur tashmë kundër-ofensiva lokale. Autoritetet ukrainase thonë se përpjekjet e Moskës për të shpërndarë pasaportat ruse, për të futur në përdorim rublën, dhe për të shpërndarë tekste të reja shkollore për vitin e ardhshëm akademik, janë një përpjekje për ta zhdukur shtetin ukrainas, dhe për të rrënjosur besnikërinë e këtyre zonave ndaj Rusisë.

Sapo u shfaqën në Berdyansk artileria dhe autoblindat ushtarake ruse, Tatyana Tipakova përdori profilin e saj në Facebook për t’u bërë thirrje banorëve të mblidheshin para bashkisë dhe t’u bënin thirrje pushtuesve rusë që të largoheshin prej andej. Pastaj një mëngjes, forcat ruse e ndaluan zonjën Tipakova në dyqanin e saj.

Ata e çuan atë në një burg të improvizuar aty pranë, ku ajo dëshmon se hetuesit e goditën në duar dhe kokë, dhe u përpoqën ta mbysnin me një kundragaz. Më pas e torturuan duke e goditur më rrymë elektrike. E kërcënuan se do ta dërgonin në qytetet ruse Rostov ose Vorkuta si punëtore, nëse ajo nuk publikonte një video në FB ku të deklaronte se hiqte dorë nga qëndrimi i saj pro-ukrainas.

Ajo ra dakord. “Gjithçka kishte të bënte me atë video”- deklaroi ajo në Zaporizhzhia, ku u arratis pas lirimit. “I rezistova dhunës derisa filluan goditjet elektrike. Pastaj mendova se nëse vdisja atje, nuk do të mund të luftoja. Do të bëja këtë vetëm nëse qëndroja gjallë, dhe ikja prej andej”- thotë ajo.

Organizatorët e tjerë të protestës u arrestuan dhe u rrahën, dhe lëvizja e rezistencës civile u shtyp. Në dallim nga zonat përreth Kievit dhe Ukrainës Lindore, trupat ruse mbërritën në rajonin e Zaporizhzhias thuajse pa asnjë të shtënë, pasi trupat ukrainase ishin pozicionuar për të luftuar diku tjetër.

Ndërsa kërcënimi nëpërmjet dhunës, është një element qendror për trupat ruse, Moska ka provuar një mënyrë më “elegante“për t’i frikësuar aktivistët, për të fituar mbështetjen e vendasve, dhe për t’i dhënë një lloj “legjitimiteti” praninë ushtarake të Kremlinit.

Që në ditët e para të pushtimit, autoritetet ruse kanë kërkuar vendas që janë të gatshëm të bashkëpunojnë me ta. Ata vendosën si kryetar bashkie të Berdyansk banorin e një fshati aty pranë, i cili kishte shprehur prej kohësh simpatinë për Rusinë, dhe për aneksimin e një pjese të provincave Donetsk dhe Luhansk në Ukrainën Lindore.

Një ish-pastrues u vendos në krye të zyrës së regjistrimit të dasmave, e cila mban tashmë një flamur rus. Ceremonia e parë martesore nën pushtimin rus u zhvillua atje, duke bashkuar në martesë 6 çifte nën tingujt e himnit kombëtar rus. Midis tyre të paktën 2 çifte ishin tashmë të martuar, dëshmuan 3 persona që i njihnin më parë çiftet.

Forcat ruse arrestuan madje djalin 10-vjeçar të drejtoreshës të një shkolle në këtë qytet, pasi ajo kishte refuzuar të bashkëpunonte me autoritetet ruse. Të njohurit e saj dëshmojnë se rusët i thanë asaj që të reflektonte për qëndrimin e saj ndaj Rusisë. Vendndodhja e të miturit nuk dihet.

Në të gjithë qytetin janë hequr simbolet shtetërore të Ukrainës, përfshirë godinën e bashkisë. Ndërkohë fotografitë e presidentit rus Vladimir Putin janë varur në zyrat e qytetit, përfshirë ato ku banorët e Berdyansk mund të dorëzojnë dokumentet e tyre për të marrë një pasaportë ruse.

Sipas mediave shtetërore ruse, diku tjetër në territoret e pushtuara nga Rusia, Moska do t’u japë automatikisht shtetësinë ruse jetimëve, dhe çdo fëmije të lindur pas fillimit të pushtimit më 24 shkurt. Kjo u konfirmua nga udhëheqësi pro-Kremlinit i pjesës së pushtuar në rajonin ukrainas Kherson.

“Qëllimi i Rusisë është të zhdukë historinë tonë, shtetësinë, identitetin, të mohojë ekzistencën tonë”- tha në fillim të këtij muaji presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Autoritetet në Kiev, thonë se politikat që po zbatohen tani në jug të vendit, synojnë të minojnë legjitimitetin e Ukrainës.

Kievi ishte vendlindja e Rusisë moderne. Disa ditë përpara se Putin të niste pushtimin, vuri në pikëpyetje vetë bazën e shtetësisë ukrainase, duke pretenduar se ky vend u shpik nga Lenini, një narrativë që kontestohet nga shumica e historianëve evropianë. Forcat policore në Berdyansk me veshje civile, i ndihmuan fshehurazi civilët në nevojë gjatë muajit të parë të pushtimit.
Por në fund u urdhëruan të bashkëpunonin. Ata që kanë mbetur në qytet e kanë pranuar sundimin rus. Oficeri i policisë, 30-vjeçari Yuri Mikitenko, tha se pasi refuzoi të punonte me ushtrinë ruse, u arrestua për 3 javë. Forcat ruse e rrahën dhe torturuan me goditje elektrike.

Më pas e çuan në qytetin Sevastopol në Krime, ku hetuesit e morën në pyetje më tej nëse kishte përvojë ushtarake, apo nëse ishte ende besnik ndaj Ukrainës. Në fund u shkëmbye me disa ushtarë rusë, pasi një oficer në Sevastopol i mori gjak, gjurmët e gishtave dhe mostrat e ADN-së.

Tani oficerët e policisë po i mbështesin autoritetet ruse të regjistrojnë se kush është larguar, dhe po i ndihmojnë autoritetet pro-ruse të sekuestrojnë gjithçka që kanë lënë pas. “Të gjithë punonjësit e policisë që qëndruan në Berdyansk për të punuar me rusët, kanë rrëmbyer pronat e atyre që u larguan. Këta tradhtarë do të marrin një ditë atë që u takon!”- thotë Mikitenko.
Vyktor Tsukanov, një ish-këshilltar i qytetit, thotë se pasi u largua nga qyteti, biznesi i tij në plazh u konfiskua, dhe iu dha një polici që pranoi të bashkëpunonte me rusët. Edhe 2 bizneset të tjera, dy kioska dhe një klub nate, u janë dhënë besnikëve të Moskës, thotë
ai.

“Shumë njerëz në qytetin tonë të vogël, i njohin vendet që prodhojnë më shumë para, ndaj janë të lumtur t’i marrin- thotë ai. Tipakova thotë se dyqanet e saj janë bastisur. Fqinjët i treguan se ushtarët ruse, bashkëpunëtorët e tyre dhe zyrtarët lokalë pro-rusë, kanë boshatisur banakun e saj me pije të sjella nga udhëtimet e saj në Amerikën e Jugut dhe Evropë.

Nën pushtimin rus, çmimet e mallrave të zakonshme janë rritur me 2-3 herë, ndërsa autoritetet ruse dhe përfaqësuesit e tyre, po përpiqen të krijojnë zinxhirë të rinj furnizimi
nga Krimea dhe pjesë të tjera të pushtuara të jugut. Ditët e para të pushtimit, ushtarët rusë plaçkitën një fabrikë të përpunimit të mishit, për t’ua shpërndarë njerëzve.

Por që atëherë, u është dashur të sjellin më shumë mish por edhe qumësht nga Rusia. “Dyqanet janë gjysmë bosh, dhe kur ka diçka në rafte, nuk ka asgjë nga ajo që doni”-thotë Viktoria Galitsyna, banore e këtij qyteti që u largua nga Berdyansku në muajin prill. Për t’i shpërqendruar njerëzit nga problemet e pushtimit, autoritetet ruse kanë organizuar më shumë festa, duke kremtuar festa që festohen rrallë edhe në Rusi.

Kështu autoritetet festuan ditëlindjen e shkrimtarit rus Alexander Pushkin. Më 12 qershor, Ditën e Rusisë, garda kombëtare ruse dhe aktivistë të tjerë pro-rusë kënduan dhe kërcyen për shumë banorë vendas. Në mbrëmje, qyteti pati një shfaqje me fishekzjarre.

“Si mund të detyrosh një qytet të traumatizuar nga armët dhe tanket, të shohë shfaqje me fishekzjarre?”- pyet Galitsyna.
Ajo tha se momenti i vetëm i gëzimit të vërtetë në qytet që nga pushtimi, ishte më 24 mars, kur forcat ukrainase goditën anijen zbarkuese ruse “Saratov”, që ishte ankoruar në portin e Berdyansk. “Ne pamë se si qindra ushtarë u larguan nga anija, të vdekur ose të plagosur. Unë nuk kam dashur kurrë të gëzohem për vdekjen e dikujt tjetër, por lufta të bën përbindësh”- thotë ajo./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!