Si lidhet autori i dyshuar i vrasjes së Bujar Çelës me ekzekutimin e vëllezërve Haxhia në Durrës

schedule15:18 - 9 Tetor, 2020

schedule 15:18 - 9 Tetor, 2020

Është identifikuar autori i dyshuar i vrasjes së vëllait të Talo Celës, Bujar Çela në Elbasan.

Policia e Elbasanit njoftoi zyrtarisht se autori i dyshuar, është 37-vjeçari nga Dibra, Nuredin Dumani i cili është banues në Durrës.

Por 37-vjeçari Dumani është i akuzuar si autori i vrasjes së dy vëllezërve Haxhia në Durrës dhe Klevis Kapllanaj në Rrogozhinë.

Ai akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajte pa leje”.

Si lidhet emri i Nuredin Dumanit në ngjarjet e rënda të muajve të fundit me një bilanc prej 5 viktimash

Nuredin Dumani dhe Klevis Kapllani, janë nga i njëjti fshat, Sinaballaj dhe para se Dumani të shpallej në kërkim nga policia, ata shoqëroheshin bashkë në publik.

LEXO edhe: Kush ishin dy personat e tjerë, pse shkoi Altin Ndoci në ceremoninë e varrimit të vëllezërve Haxhia

Burime nga policia e Kavajës thonë se Kapllani ka qenë i dënuar dy herë në Itali, si shpërndarës droge.

Por tashmë ai rezulton i shpallur në kërkim nga prokuroria e Durrësit, pasi akuzohet se është i implikuar edhe në dy ngjarje të rënda në Durrës, me një bilanc prej 4 viktima, Besmir Haxhia, Viktor Haxhia, Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdylit, në 2 mars 2020.

Për këtë ngjarje në kërkim është dhe Talo Çela, i cili së bashku me Nuredin Dumanin përmenden në dëshminë e të arrestuarit për atentatin e vëllezërve Haxhia, Klevis Alla.

Ky i fundit në cilësinë e bashkëpunëtorit të prokurorisë dhe policisë ka treguar se së bashku me Talo Çelën, Nuredin Dumanin dhe Altin Ndocin, kanë ekzekutuar me armë zjarri, vëllezërit Haxhia në Durrës.

Të gjithë “rrugët” të çojnë tek “Grabitja e Rinasit”?

Pasditen e 27 prillit, në tregun e makinave në Shënvlash të Durrësit, u vranë në një atentat me armë vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhiaj 35 dhe 37-vjeç.

Ata u qëlluan teksa po lëviznin me makinë me nga 20 dhe 18 plumba në trup duke ndërruar jetë në vend.

Besmir Haxhiaj sapo ishte licensuar si avokat në Shqipëri, por ishte person i dënuar me burg më parë në Greqi.

LEXO edhe: Vrasja e vëllezërve Haxhia në Durrës çon në zbulimin e një tjetër ngjarje të bujshme

Ndërsa Viktor Haxhiaj njihej në zonën e Durrësit si sipërmarrës dhe tregtar makinash. Të dy vëllezërit dyshoheshin se trafikonin lëndë narkotike.

Më 1 maj, policia arrestoi dy autorët e dyshuar të vrasjes Altin Ndocin 33 vjeç, dhe Klevis Allën 22 vjeç.

Policia i gjeti të arrestuarve tre armë zjarri kallashnikov dhe 12 celularë, bisedat e të cilave po zbardhen për të mësuar më shumë.

Altin Ndoci është person me precedent të mëparshëm penal.

Ai ka qenë i dënuar për trafik droge.

Ndoci kishte njohje me 2 viktimat Besmir dhe Viktor Haxhia, jo vetëm për faktin se dyshohet të kenë bashkëpunuar për tregtinë e drogës, por edhe për shkak se Ndoci dhe dy vëllezërit Haxhia, janë me origjinë nga i njëjti vend, Puka.

Altin Ndoci mori pjesë dhe në ceremoninë mortore të dy vëllezërve.

Kur të afërmit e vëllezërve e kanë pyetur se kush është, Ndoci është prezantuar me një emër tjetër.

Kjo i ka bërë të afërmit të dyshojnë pasi nuk e kishin hasur më parë këtë person apo në rrethin e tyre familjar apo shoqëror.

I arrestuari tjetër, Klevis Alla vendosi të bashkëpunojë me policinë.

Ai rrëfeu dhe zbardhi dhe vrasje të tjera që kishte kryer bashkë me Ndocin.

Një prej këtyre vrasjeve është ajo e 2 marsit 2020, në Shkozë, ku Ndoci dhe Alla vranë Anxhelo Avdian dhe Dorjan Shkozën.

Grupi kriminal kishte porositur vetëm vrasjen e Shkozës, ndërsa Avdia ndodhej rastësisht në atë moment në të njëjtin vend dhe mbeti i vrarë aksidentalisht.

Shkoza vdiq në vend, ndërsa Avdia teksa po dërgohej në spital.

Shkoza ka qenë i dënuar më parë me tetë vite burg. Sipas raportimeve të ndryshme ai ka qenë dënuar për narkotrafik dhe ishte liruar në vitin 2010.

Të dyja vrasjet e dyfishta, atë të vëllezërve Haxhiaj, dhe atë marsit, policia i lidhi me prishjen e pazareve të drogës.

Në fillim të majit të këtij viti, burime pranë prokurorisë kanë nxjerrë dhe detaje të tjera nga rrëfimi i Allës.

Ai ka rrëfyer se dy vëllezërit Haxhiaj kishin ndihmuar dhe strehuar një prej grabitësve të Rinasit më 9 prill 2019, ku u grabitën rreth 5 milionë euro.

Besmir Haxhia ka qenë i dënuar më parë në Greqi me emrin e rremë Pëllumb Rusi.

Ai ka vuajtur dënimin në burgun ku ndodhej edhe Admir Murataj, ideatori kryesor i grabitjes së Rinasit dhe i vrarë nga policia gjatë ndjekjes.

Për shkak të kësaj lidhjeje, dyshohet se dy vëllezërit kishin ndihmuar dhe kishin dijeni për grabitjen në Rinas.

Përveç strehimit të një prej autorëve, ata kishin dijeni dhe për vendin e fshehjes së parave dhe ky ka qenë një nga arsyet kryesore të vrasjes së tyre.

Tashmë prokuroria ka lidhur bashkë dosjet, atë të vrasjes së vëllezerve Haxhiaj, atë të grabitjes së Rinasit, vrasjes së 2 marsit dhe së fundmi në vrasjen e vellait të Talo Çelës.

nd / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!