Luftar Reçi është personi që dyshohet se rihapi dosjen e vrasjes së Klodian Saliut dhe Vajdin Lamajt me dëshminë e tij si i penduar. Reçi aktualisht ndodhet në burg për vrasjen e Maks Lalës që ndodhi në 2005. Gazetari Artan Hoxha zbuloi mbrëmjen e sotme më shumë detaje nga përplasja mes bandave.
“Personi që është dëshmitari kyc është një i dënuar me 25 vite, Luftar Reçi për vrasjen e 8 majit të 2005 të Maks Lalës në Urën e Shkopit. E kishin mik Maks Lalën dhe bashkë me nipin Reçi e vrau, shkoi në Tiranë mori benzinë dhe u kthye dhe e dogji.
Gjatë kohës që bëja emisionin “Xhungël” tentova ta intervistoj. Ai dëshmonte se ishte paguar 200 mijë euro për të vrarë një tjetër të dënuar dhe që ishte transferuar disa herë, sa herë transferohej objektivi. Kur u zbulua u tremb dhe foli.
Unë kam pasur kontakte me të, ai pohon shumë gjëra. Drejtori i krimeve shkoi disa herë i mori deklarimet e tij dhe nuk kishte reagime mbrapa, është hera e parë që dëshmitë e tij merren seriozisht dhe ngrihet një akuzë.
Ky është strumbullari. Problemi ishte që ajo që thoshte ai kishte bazë logjike por nuk ndiqej nga autoritetet. Por nuk ka pasur reagime. SPAK e mori dëshminë e tij, do të ishte rasti më fatlum nëse provohen dy ngjarjet.
Në banesën e Klodian Saliut kam qenë, i janë vrarë edhe dy vëllezër Ndriçim Saliu dhe Arjan Saliu, ka qenë një hasmëri e ashpër. Vrasja e tij, rrethanat, goditja që mori ai. Aty ka pasur një konflikt mes grupit të madh që më vonë u ça që krijoi këtë konfliktin, njëra palë kishte Lulzim Berishën. Kjo vrasje e Saliut që shoqërohet me vrasjet e vëllezërve, 3 në 3 vite për ta zhdukur si familje” tha ai ne “Opinion”.
Por si lidhen dy ngjarjet, vrasja e Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut që janë në një dosje? “I lidhin me Alekës Kekën, njeriu që dyshohet, nga Malësia e Madhe se ka sjellë minën që u vranë dy biznesmenët Vajdin Lamaj dhe Artan Arsi. Aleks Kekën e hodhën në erë në Shkodër me telekomandë dhe meqënë se ai kishte njohje me të dy grupet, mundohej që të bëheshin lidhjet përmes atij” tha Artan Hoxha. / db/Abcnews.al