Bilall Kasami, kryetari i bashkisë së Tetovës, në një intervistë ekskluzive për ‘Real Story’ u shpreh se koalicioni ‘Vlen’ ka dy mundësi, të vazhdojnë avancimin me çështjen shqiptare ose të zgjedhin që avancimin e vendit drejt BE.
Kasami u shpreh ndër të tjera se kanë nevojë për ndihmesën e Ramës në këtë proces dhe theksoi mbi të gjitha se fuqizimi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut do të fuqizojë shtetin gjithashtu.
“Është një situatë delikate, sot si koalicion ‘Vlen’ kemi dy mundësi. Të negociojmë dhe të bëjmë kompromis me pjesën maqedonase për të avancuar të drejtën e shqiptarëve ose të negociojmë për futjen e bullgarëve dhe të vazhdojmë me futjen e Maqedonisë së Veriut në BE. Nuk është çështje e shqiptarëve. Ne jemi në pozitë të vazhdojmë të avancojmë apo të vazhdojmë luftën për të avancuar në BE dhe të vazhdojmë betejën tonë.
Përsëri na duhet ndihma e Edi Ramës, ne në një kordinim me Tiranën mund të kushtëzojmë qeverinë në kohën kur Tirana duhet të kujdeset për të drejtën e shqiptarëve. Ne ose duhet të punojmë për të drejtat etnike ose duhet të luftojmë për të drejtat qeveritare. Pozicioni ynë është i drejtë dhe ende nuk kemi elementë korruptiv që do të duhet ne t’i mbrojmë. Në qeverisjen 2 vjeçare asnjë nuk ka dalë në gjykatë, kurse ne kemi thënë që nuk do të mbrojmë funksionar të korruptuar edhe me çmim politik. Përkundër kësaj, përkushtimi ynë është avancimi i shtetit drejt BE dhe avancimi i të drejtave të shqiptarëve. Është mision i vështirë por i arritshëm, nuk dëmton maqedonasit, avancimi i të drejtave tona është fuqizim për shtetin.
Unë kam thënë që do e bejmë Maqedoninë shtetit e tretë shqiptarë në rajon, nuk i kishte pëlqyer kryeministrit. Shqiptarët e fuqishëm në MV nuk nënkuptojnë ndarjen, janë shqiptarë që do fuqizojnë shtetin. Në rrethanat që jemi, maqedonasit nuk punojnë për mirëqenien sepse kanë frikë se jua marrin shqiptarët. Sot Maqedonia është shtetit i askujt, është përgjegjësi t’jua sqarojmë dhe shqiptarëve dhe maqedonasve. Në Tetovë kam gjetur 5 milionë euro taksa që nuk kanë paguar shqiptarët ndaj bashkisë. Në vitin e fundit e mbaroj me 20 % taksa më shumë, nëse doni shtet duhet të paguani taksat. Duam të kontribuojmë në ndërtimin e një shteti. “
/ abcnews.al


