Si i zgjedhin vendet demokratike udhëheqësit e tyre?

schedule09:03 - 15 Dhjetor, 2020

schedule 09:03 - 15 Dhjetor, 2020

Mënyra se si Shtetet e Bashkuara e zgjedhin zyrtarisht presidentin dallon shumë me mënyrën se si shumica e demokracive në botë i zgjedhin udhëheqësit e tyre.

Kolegji zgjedhor në SHBA konfirmoi të hënën zgjedhjen e Joe Bidenit president, kundrejt Donald Trumpit. Qytetarët amerikanë kanë votuar më 3 nëntor në zgjedhjet presidenciale.

Shumica e votave kanë shkuar për Bidenin, por ato nuk e përcaktojnë fituesin. Për t’u zgjedhur president në SHBA, një kandidat duhet të fitojë së paku 270 vota të Kolegjit Zgjedhor.

Kolegji Zgjedhor ka gjithsej 538 vota. Secili shtet i SHBA-së ka numër të caktuar të votave të tilla, varësisht madhësisë dhe numrit të popullsisë.

Me zgjedhjen e presidentit të ri përballet edhe Kosova, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje për t’u përballur me aktakuzën për krime lufte në Hagë. Presidenti i Republikës së Kosovës, sipas Kushtetutës së Kosovës, zgjidhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.

Secili shtetas i Kosovës mund të nominohet kandidat për president, nëse ai/ajo siguron nënshkrimet e së paku 30 deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Si i zgjedhin vendet e tjera demokratike udhëheqësit e tyre? Disa procese janë komplekse dhe të ndërlikuara, të tjerat janë më të drejtpërdrejta.

Afrikë e Jugut
Në Afrikën e Jugut, ku zgjedhjet e para janë mbajtur më 1994, qytetarët votojnë për parti politike dhe jo kandidatë. Presidenti, pastaj, zgjidhet me votë në Asamblenë Kombëtare. Partia që i fiton shumicën e ulëseve do të jetë në gjendje të zgjedhë udhëheqësin e saj si president. Kongresi Kombëtar Afrikan -lëvizje çlirimtare që është kthyer në parti politike – ka dominuar politikën qëkur Nelson Mandela është bërë president më 1994. Megjithatë, në vitin 2019, kjo parti ka shënuar fitoren e saj më të dobët, me vetëm 57% të votave.

Poloni
Në Poloni, ku demokracia ka rilindur në vitin 1989, pas rënies së komunizmit në të gjithë Evropën Lindore, një kandidat që fiton së paku 50 për qind të votës popullore, bëhet president. Nëse asnjë kandidat nuk fiton së paku 50 për qind, dy të parët përballen në rrethin e dytë të zgjedhjeve. Ka ndodhur vetëm një herë që kandidati ka fituar në raundin e parë: Aleksander Kwasniewski, në vitin 2000. Edhe Lech Walesa, themeluesi i famshëm i lëvizjes anti-komuniste të Polonisë “Solidariteti”, ka shkuar në raundin e dytë zgjedhor për t’u bërë presidenti i parë i Polonisë, i zgjedhur nga populli.

Spanjë

Në Spanjë, Kongresi i Deputetëve zgjedh kryeministrin. Partia që fiton më së shumti ulëse, por jo edhe shumicën, duhet të krijojë aleanca me partitë e tjera për të zgjedhur udhëheqësin e vendit. Në vitin 1996, kjo e ka çuar në një situatë të vështirë kryeministrin e ardhshëm. Derisa votat numëroheshin, Partia Popullore e Jose Maria Aznarit ka menduar se ka fituar mjaftueshëm, për ta bërë atë kryeministër. Mbështetësit janë mbledhur për të festuar në Madrid, por pak orë më vonë rezultatet kanë treguar se Aznar ka pasur nevojë për votat e Jordi Pujolit, politikan nga rajoni autonom i Katalonjës, për t’u zgjedhur kryeministër.

Mbretëri e Bashkuar

Votuesit e Mbretërisë së Bashkuar zgjedhin një ligjvënës për zonën e tyre lokale. Pastaj, partia që fiton numrin më të madh të 650 zonave elektorale, merr pushtetin, ndërsa udhëheqësi i partisë bëhet kryeministër. Qeveria e koalicionit mund të formohet nëse asnjë parti nuk e fiton shumicën e vendeve. Partia fituese është pothuajse gjithmonë ajo që merr pjesën më të madhe të votave të popullit. Ndodh rrallë që një parti të fitojë shumicën e votave të popullit, sepse konkurrojnë disa. Konservatorët e Boris Johnsonit kanë fituar 44 për qind të votave të popullit në zgjedhjet e vitit 2019, por kanë fituar shumicën prej 80 ulësesh në Parlament, që i kanë mundësuar atij të mbetet kryeministër.

Brazil

Brazili zgjedh presidentin përmes zgjedhjeve të drejtpërdrejta, të mbajtura në dy raunde, përveç nëse fituesi i raundit të parë merr më shumë se 50% të votave të vlefshme. Votimi është i detyrueshëm dhe kjo gjë çon në pjesëmarrje të lartë, por edhe në numër të madh të votave të prishura ose të zbrazëta. Në vitin 2018, pjesëmarrja ka qenë rreth 80 për qind. Gjoba për mosvotim është më pak se një dollar.

Kore e Jugut

Presidenti zgjidhet drejtpërdrejt, në një raund të vetëm votimesh, në të cilin kandidati që merr më shumë vota, fiton. Personi duhet të jetë së paku 40 vjeç që të ketë të drejtë të garojë. Presidenti aktual i vendit, Moon Jae-in, i ka fituar zgjedhjet në maj të vitit 2017, dy muaj pasi Gjykata Kushtetuese e Koresë së Jugut ka larguar nga detyra paraardhësen e tij, Park Geun-hye, për shkak të një skandali me korrupsion. Ajo tani po vuan dënimin me burgim për abuzim të pushtetit, ryshfet dhe krime të tjera.

Tajvan

Me një ndryshim kushtetues në vitin 1994, në Tajvan është vendosur për zgjedhje të presidentit drejtpërdrejt nga populli. Paraprakisht, ai është zgjedhur nga Asambleja Kombëtare. Në zgjedhjet e vitit 1996, Tajvani ka zgjedhur për herë të parë presidentin me votat e popullit.

Zelandë e Re

Kryeministri i Zelandës së Re zgjidhet nga ligjvënësit e tjerë dhe zakonisht është udhëheqësi i partisë që fiton më shumë vota në zgjedhje. Sipas sistemit proporcional të votimit në Zelandën e Re, partitë shpesh duhet të krijojnë aleanca për të udhëhequr shumicën në Parlament.

Edhe pse Zelanda e Re funksionon si një vend plotësisht i pavarur dhe demokratik, kreu i shtetit mbetet Mbretëresha e Britanisë, Elizabeta II. Kjo do të thotë se kryeministri duhet të miratohet zyrtarisht nga përfaqësuesi i Mbretëreshës në Zelandën e Re. /REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!